Spahiu: Kjo maxhorancë do të shembet vetë përpara se të shembi Teatrin

Intervista e deputetit të LSI, Përparim Spahiu

“Sot renditemi si vendi më i varfër në Europë, ku e vetmja shpresë është emigrimi. Shkoni një ditë te Rruga e Ambasadave dhe do të shikoni radhë të gjata si ato të para një dekade”

Deputeti i LSI, Përparim Spahiu në një intervistë për “Standard” foli rreth ngjarjeve të fundit, siç është miratimi i ligjit të lojërave të fatit, prishja e godinës së Teatrit Kombëtar, përgjimi i kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako. Për sa i përket mbylljes së lojërave të fatit, Spahiu është shprehur se ka pasur mendime të ndyshme për të kuptuar arsyet e vërteta të këtij ligji dhe ka nënvizuar se vendimi i mbylljes ka qënë kërkesë e ardhur nga partnerë të huaj më shumë se sa një skemë e KM për të tërhequr vëmendjen nga problemet e mëdha ku është përfshirë. Gjithashtu deputeti i LSI për çështjen e Teatrit ka shtuar se opozita së bashku me artistët dhe aktivistët nuk do të lejojë shembjen e godinës, ku tha se kjo mazhorancë është drejt fundit të saj, dhe  do të shembet para teatrit. Për sa i përket përgjimeve të kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, Spahiu ka kujtuar se LSI ka qënë e para që tha publikisht se ato ishin zgjedhjet më të këqija historikisht, ku dominoi përfshirja e krimit dhe parave të krimit në to. Ndër të tjera ai tha se Dako ka luftuar dhe vazhdon të luftojë për partinë e tij. Ndërsa sa i takon institucionit të Prokurorisë, por dhe të gjithë sistemit të Drejtësisë, deputeti i LSI theksoi se tashmë besohet nga të gjithë se ajo është e kapur nga KM.

1-Ditën e enjte mazhoranca ka votuar në Kuvend me 75 vota mbylljen e lojërave të fatit, opozita nuk ishte e pranishme në këtë seancë, ku është shprehur kundër këtij vendimi duke folur për prapaskena. Si e vlerësoni këtë vendim?

Nuk di që opozita të jetë shprehur kundra apo pro. Ka pasur mendime të ndryshme për të kuptuar arsyet e këtij vendimi, përtej propagandës, si për çdo çështje tjetër të mazhorancës. Kujtojmë që historia e lojërave të fatit u kthye në kryetemë nga Rilindja me aksionin “Fund marrëzisë”, por që përfundoi me 5-fishim të numrit të pikave të basteve. Ishin po socialistët që shtynë me vite implementimin e një Ligji që për mua ishte racional dhe i punuar mirë. Sa i takon vendimit të mbylljes së tyre, besoj se ka qenë një kërkesë e ardhur nga partnerë të huaj më shumë se sa një skemë e KM për të tërhequr vëmendjen nga problemet e mëdha që ka, apo për të krijuar një monopolizim të tërë të këtij biznesi.

 2-Paketa antishpifje që ka propozuar kryeministri Edi Rama është një temë që opozita ka kundërshtuar që në fillim. Cili është mendimi juaj për këtë paketë të kreut të qeverisë?

E gjitha skemë për të kaluar disa ditë a javë me diskutime, kryesisht në debate televizive. Personalisht do kisha dëshirë që të fitohej ndonjë nga këto proceset për shpifje, jo se KM dhe të tjerë si ai kanë të vërtetën me vete, por të dërguar ca para tek çerdhet dhe kopshtet, siç kanë premtuar…Por kur na gënjejnë ne të mëdhenjve, imagjino ç’u bëjnë fëmijëve?! Madje dhe atyre në bark të nënës, të cilëve po u premtohet rritja e shpërblimit për lindje!!!

 3- Cila është nota juaj për ecurinë e ekonomisë shqiptare në vitin e fundit, duke na përmendur disa nga faktorët që kanë ndikuar pozitivisht apo negativisht?

Zero. Asgjë, vetëm regres. E gjitha ndërtuar në një sistem propagande a fasade që nisi me projektin e famshëm të Rilindjes Urbane, të cilën edhe kur ishim në bashkëqeverisje, e kemi kritikuar mjaft. Asnjë vend në botë nuk guxon të bëjë shpenzime luksi me një borxh publik mbi 70%. Sot renditemi si vendi më i varfër në Europë, ku e vetmja shpresë është emigrimi. Shikoni aplikimet në rritje çdo vit për Llotarinë Amerikane apo numrin e madh të kërkesave për azil në vendet e BE-së. Do të doja që as unë të mos e besoja veten, por shkoni një ditë te Rruga e Ambasadave dhe do të shikoni radhë të gjata si ato të para një dekade… Për shumë pak kohë Shqipëria do mbetet jo vetëm pa mjekë e infermierë, por edhe pa kamerierë…

4- Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako rezulton të jetë përgjuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në  një bisede telefonike me një person, që në dosjen e organit të akuzës identifikohet si Nicja. Cili është mendimi juaj për përgjimin e kryebashkiakut Dako? Dhe si e vleresoni institucionin e Prokurorisë dhe vendimarrjet e fundit të saj?

Sa i takon zgjedhjeve të Qershorit ne kemi qenë shumë të qartë për mënyrën se si u zhvilluan. LSI gjithashtu ishte e para që tha publikisht se ato ishin zgjedhjet më të këqija historikisht, ku dominoi përfshirja e krimit dhe parave të krimit në to. Kështu që përgjimi dhe dëgjimi i bisedave të kryebashkiakut të Durrësit apo kujtdo tjetër me ata që kanë thesin e votave, s’mund të jetë lajm. Gjatë fushatës në Durrës thuhej se edhe Merkel po të kandidojë përballë socialistëve, do të humbasë. Dako s’ka të sharë…ai ka luftuar dhe vazhdon të luftojë për partinë e tij. Sa i takon institucionit të Prokurorisë, por dhe të gjithë sistemit të Drejtësisë, tashmë besohet nga të gjithë se ajo është e kapur nga KM.

 5- Çështja e Teatrit Kombëtar është cilësuar nga opozita si rrënimi i shtetit, ligjit dhe kulturës së vendit. Me votimin e prishjes së godinës së teatrit nga mazhoranca, cili do jetë qëndrimi juaj? Duke kujtuar se opozita se bashku me artistët dhe aktivistët është shprehur se nuk do ta lejojë shembjen e godinës. Si do ndodhë kjo sipas jush?

Përgjigjja gjendjet në pyetjen tuaj se opozita së bashku me artistët dhe aktivistët nuk do të lejojë shembjen e godinës. Besoj fort që kjo maxhorancë është nga fundi i saj, pra do të shembet vetë përpara se të shembi teatrin.

6- Ditën e enjte kur mazhoranca rrëzoi Dekretin e Presidentit për prishjen e Teatrit Kombëtar dhe vendimi për mbylljen e lojërave të fatit, opozita ka refuzuar të marrë pjesë në seancën parlamentare. A do të kthehet opozita në Kuvend, apo do të shkohet drejt skenarëve të tjerë, siç janë protestat dhe më ekstremi, djegia e mandatit?

Tashmë, që prej fillimit të sesionit të ri në shtator, opozita nuk ka marrë pjesë në punimet e Kuvendit dhe ka qenë shumë e qartë me kushtet që ka vënë për kthimin në jetën e rregullt parlamentare. Ju jeni njohur me këtë platformë dhe me katër kushtet bazike të saj: 1) Dekriminalizimi i plotë përmes Vetingut të politikanëve të lidhur me krimin; 2) Çlirimi i drejtësisë nga kapja politike në funksion të bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin; 3) Zgjedhje të lira të ndershme, demokratike ku qytetarët të jenë ata që vendosin; 4) Një ekonomi e çliruar nga monopolet, nga oligarkët dhe nga korrupsioni qeveritar, në funksion të mirëqenies së qytetarëve.

SHKARKO APP