Stela Laknori: Ngjyrat, stilet, aksesorët dhe tendencat e modës për sezonin veror
Kostumografja, Stela Laknori tregon për tendencat e modës në sezonin e verës
Stela Laknori: Ngjyrat, stilet, aksesorët dhe tendencat e modës për sezonin veror
Intervistoi: Sidorela Lepuri
Tashmë stina e verës ka trokitur dhe bashkë me të edhe sugjerimet lidhur me tendencat e këtij sezoni. Çdo sezon sjell me vete risi në stile, ngjyra, modele dhe një sërë komponentësh të tjerë shtesë.
Kostumografja, Stela Laknori na tregon më shumë për tendencat e modës në këtë sezon, ngjyrat mbizotëruese, aksesorët shtesë dhe këshillat që duhet të kemi parasysh kur vishemi apo kombinojmë aksesorët bashkë…
Zyrtarisht jemi në stinën e verës. Mund të na tregoni diçka lidhur me tendencat e modës për këtë sezon?
Mendoj që ëshë një ndër sezonet më të pëlqyer. Normalisht që materialet të cilat përdoren do jenë të lehtë e të freskët, megjithëse për nga forma e veshjeve shpesh do na duket sikur kemi tërhequr pak vjeshtën, siç është pardesyja verore pa mëngë e lehtë që kombinohet shumë mirë me gjithë veshjet që mund të veshim poshtë.
Të shkurtrat, pantallonat, bluzat, fustanet me motive florale dhe printet me ngjyra janë shumë të pëlqyeshme. Sigurisht, ngjyrat që do mbizotërojnë janë disa. Më e rëndësishmja është të themi se tonet e tyre nuk janë shumë të forta, por pastel (jeshile, blu, verdhë dhe rozë).
Flasim për ngjyrat bazë, por dhe nuancat e këtyre ngjyrave janë shumë të pëlqyeshme.
Përsa i përket copave janë akoma shumë trend dantellat dhe copat shumë të holla, gati transparente. Po ashtu dhe materialet e shkëlqyshme si varak gri ose floriri, copat me shkëlqim të viteve 70-80.
Kjo vlen edhe për grimin. Po ashtu thekët do të jenë shum prezente së bashku edhe me kardiganët e ndyshëm. Të mos harrojmë këmishat e gjata si fustane që janë shumë të përdorshme me rrip ose pa rrip, me të sheshta ose me pak tak. Po ashtu edhe sandalet me shumë rripa, tip skllavi janë në trend këtë sezon.
Është përfolur për një rikthim të tendencave të shkuara duke u harmonizuar me elementë të modernes. Kjo do të jetë risia e këtij sezoni?
Moda është shpessherë një rotacion dhe si pasojë kemi gjithmonë rikthime në kohë, në elemente apo forma të veshjeve. Edhe ky sezon nuk do të bëjë përjashtim, por s’mund edhe ta identifikojmë vetëm për këtë veçori. Vitet 70’ do të jenë referencë e këtij sezoni tek pantallonat, fundet e fustanet më së shumti. Kemi shumë elementë retro që kombinojnë shumë mirë me veshje të kohës tani. Kështu mund edhe të luajmë pak me garderobën tonë ose të bëjmë disa ndryshime të vogla, pse jo edhe vetë.
Po përsa i përket aksesorëve shtesë?
Aksesorët shtesë janë shumë të rëndësishëm çdo sezon që vjen. Ato janë kaq shumë të nevojshëm sa gjysma e veshjes që kemi ndërtuar dhe kjo vlen për të gjitha llojet e veshjeve, jo vetëm për ato të plazhit. Duke filluar që tek çanta e deri te kapësja e flokëve me raste. Janë kaq të shumtë tanimë sa ne duhet vetëm të bëjmë zgjedhjen e duhur. Kombinimi midis tyre nuk është strikt, por një lojë e vërtetë. Shumë të rëndësishme ngelen akoma kapelet dhe bizhutë e mëdha në qafë.
Kryesisht në sezonin e verës jemi mësuar të shohim ngjyra tipike verore. Edhe këtë sezon do të vazhdohet në të njëjtën linjë?
Është mëse normale. Nisur nga vetë kushtet e klimës është e “detyrueshme” që në verë do të mbizotërojë gjithmonë e bardha dhe ngjyra të tjera pa fund. Sezonet ndryshojnë nga detaje ose trende të reja që propozohen, por baza e ngjyrave verore ngelet shpesh e njëjtë. Kështu që pa frikë, sa më shumë ngjyra dhe copa të holla e të lehta me dizenjo të ndryshme të aplikuara.
Cilat do të ishin disa këshilla që do të jepnit për lexuesit tanë, të cilat duhen marrë parasysh kur vishemi apo kombinojmë të gjithë aksesorët bashkë?
Këshilla më e mirë është që në radhë të parë të bëjmë blerje dhe përzgjedhje të zgjuara. Në këtë mënyrë nuk do të ngarkohemi dhe teprohemi pa kuptim. Është shumë e rëndësishme të gjejmë dhe përdorim atë që na shkon ne më mirë, jo domosdoshmërisht atë që shohim nëpër pasarela. Aksesorët sikurse e thamë janë shumë të rëndësishëm. Prandaj është mirë që të mos ngarkohemi së tepërmi, por që të jenë mjaftueshëm sa për të plotësuar veshjen tonë.
Realisht profesioni juaj është kostumografe në filmat artistikë. Është e vështirë të punosh me personazhe të njohur?
Nuk ëshët aspak e vështirë. Kam pasur fatin të punoj me aktorë shumë profesionist të huaj dhe shqiptarë. Asnjëherë nuk kemi pasur përplasje përvec diskutimeve të zakonshme për një finalizim sa më të mirë të punës. Ata e dinë që është shumë e rëndësishme që secili profesionistë të bejë punën e tij dhe rezultati te jete maksimal.
Sa kërkues janë ato ndaj veshjeve dhe a janë gjithmonë dakort me propozimet tuaja?
Ata janë kërkues, po aq sa jam edhe unë, mbase dhe më shumë unë. Kjo për t’i nxjerë personazhet e tyre sa më brenda karakterit dhe sa më të arrirë, pse jo që ti lehtësojë dhe atyre për të arritur rolin. Është një punë e cila nis me regjisorin e veprës dhe diskutohet gjatë derisa të vendoset më e mira dhe aktorët e dinë këtë marrëdhënie e zinxhirë të punës. Padiskutim, që edhe me to bashkëbisedojmë gjatë për idetë dhe rehatinë e tyre me kostumin e vendosur për personazhin.
Në vendin tonë ka jo pak prurje në fushën e stilimit të veshjeve, pavarësisht se jo tëgjithë njihen dhe i mbijetojnë tregut. Sipas jush, cilat janë ato detaje që bëjnë diferencën duke veçuar produktin më të mirë?
Diferencën e bën cilësia dhe çmimi padiskutim. Shumë e rëndësishme është edhe shija e përzgjedhjeve që bëjnë dyqanet për t’i ofruar klientëve veshje sa më cilësore e me stil. Përsa i përket profesionistëve me ateliet e tyre të modës, normalisht ka një sërë elementesh qe i bën ata ti rezistojnë kohës. Mendoj që ka gjithmonë vend për të ofruar më shumë në këtë drejtim. Jemi në rrugë të mirë përderisa shohim që tanimë kemi dhe marka shumë të mira që kryejnë aktivitet në Shqipëri. Ajo që unë do doja është ti japim më shumë prioritet prodhimit të vendit, që të krijohet një strukturë e cila të ndihmojë stilistët shqiptarë të prodhojnë veshjet e tyre. Në këtë mënyrë, më në fund edhe Shqipëria të ketë markat e saj të veshjeve.
Dhe së fundmi, si e shihni modën në Shqipëri?
Në Shqipëri ka shumë prurje, si nga stilistë që punojnë këtu, por edhe nga dyqanet ose qendrat e ndryshme tregtare që mundohen gjithmonë të sjellin firma të reja. Më pëlqen që shoh interes dhe studim të mirfilltë gati se çfarë duhet të veshim dhe kur duhet ta veshim. Shoh që njerëzit janë sensibilizuar për rëndësinë që ka një pamje e kuruar dhe kjo vëret jo vetëm tek personazhet.