Telekom Albania lançon 4G+, shpejtësi e jashtëzakonshme për lundrim në internet
Telekom Albania, si pjesë e Grupit Deutsche Telekom do ta ofrojë 4G+ duke nisur nga 1 shtatori. Shërbimi është ndër më të avancuarit që po aplikohet aktualisht në Europë
Telekom Albania do të sjellë në tregun shqiptar një tjetër zhvillim tepër të vlefshëm për abonentët. 4G+ është hapi përpara në teknologjinë e telefonisë së lëvizshme, dhe mbi të gjitha një shërbim ekskluziv që ofrohet nga Grupi Deutsche Telekom. Drejtori i Divizionit Teknik në Telekom Albania shpjegon se Shqipëria është ndër vendet e para në Europë që do të ofrojë 4G+. Rauf Elmas thotë se strategjia e Deutsche Telekom mundëson ruajtjen e superioritetit teknologjik dhe me këtë zhvillim të ri do të sjellë shpejtësi të jashtëzakonshme të lundrimit në internet nëpërmjet telefonit “smart”, tablet-it apo modem-it.
Cilat janë përfitimet e kompanisë, dhe rrjedhimisht edhe të abonentit, në kuadrin e teknologjisë?
Deutsche Telekom përfaqëson inovacionin, teknologjinë më të përparuar të komunikimeve dhe standardet më të larta të mundshme të cilësisë së shërbimeve. Këtu përfshihen edhe kërkime në nivel shkencor, të cilat u paraprijnë zbulimeve të reja teknologjike dhe zbatimit të tyre në jetën e përditshme për miliona njerëz në të gjithë botën. Ky avantazh i padiskutueshëm teknologjik tashmë bëhet i prekshëm edhe për ne. Telekom Albania ka bashkërenduar punën me të gjitha kompanitë e Grupit Deutsche Telekom si pjesë e strategjisë së këtij Grupi për konsolidimin e tregut të tij në Europë, shërbimeve dhe operacioneve. Unifikimi i strategjisë dhe shkëmbimi i përvojës e njohurive më të mira të Grupit bën që Telekom Albania të ofrojë rrjetin më të mirë në vend, të jetë pjesë e rrjetit më të mirë Europian dhe i aftë t’u mundësojë abonentëve shpejtësi të pakonkurrueshme transmetimi të dhënash, siguri maksimale dhe shtrirjen më të madhe në vend.
Disa prej zhvillimeve më të afërta që do të shohim?
Grupi Deutsche Telekom po ngre strukturën e një rrjeti mbarë europian, ku përfshihet çdo kompani e Grupit. Ky rrjet do të jetë i integruar, i hapur dhe transparent për shërbimet e partnerëve dhe simbol i aplikimit të standarteve Europiane të cilësisë së komunikimeve, shërbimeve dhe sigurisë. Produktet apo shërbimet, të njejta në thelb por të përshtatura për tregjet lokale, mund të hidhen njëkohësisht në treg në të gjitha vendet. Për shembull një model i ri teknologjik i krijuar në Gjermani mund të përshtatet menjëherë për tregun shqiptar të telekomunikacionit, ashtu siç një produkt i zhvilluar në Shqipëri mund të gjejë zbatim dhe ofrohet menjëherë në Gjermani apo vende të tjera të këtij Grupi. Nën brandin AMC kemi hedhur në treg shërbime ekskluzive dhe po vazhdojmë të lançojmë shërbime të tilla edhe nën brandin Telekom. Shërbime siç janë Magisto, Deezer, Evernote, janë prezantuar në tregun shqiptar pothuajse në të njëjtën kohë me vendet e tjera të Grupit Deutsche Telekom dhe për shërbime të tjera, si për shembull Message+, Shqipëria ishte një prej vendeve pionere që e sollën atë në treg. Qëllimi ynë kryesor në përzgjedhjen e partnerëve është që eksperienca e klientëve tanë të bëhet më e pasur dhe më e lehtë duke përdorur teknologjinë tonë në mënyrë më të sigurt, siç është shërbimi e-Di, apo më të volitshme siç është AirBNB, me arritjen e marrëveshjeve ekskluzive për konsumatorët e Telekom Albania, për ofrimin e kuponave me vlerë 35 € për rezervime të bëra nëpërmjet këtij aplikacioni. Përdorimi i avantazheve teknologjike, ekspertiza e grupit dhe partnerët globalë lider do të bëjnë të mundur sjelljen në Shqipëri të produkteve dhe shërbimeve në të njëjtën kohë me pjesën tjetër të Europës, me kostot më optimale për konsumatorët. Brandi Telekom përfaqëson superioritet dhe synon arritjen e përsosmërisë në eksperiencën e konsumatorit. Kjo përvojë do të përjetohet nga abonentët gjatë përdorimit të rrjetit dhe shërbimeve tona, në të gjitha pikat e kontaktit me kompaninë tonë dhe në mënyrë të ngjashme e transparente në të gjitha rrjetet e komunikimit të Deutsche Telekom në Europë.
Ndalemi tek 4G dhe tek ajo që ju theksoni në komunikimet tuaja të fundit, pra 4G+
Që në ditën e parë të përqafimit të brandit Telekom, abonentët tanë u lidhën me njëri-tjetrin me anë të rrjetit 4G. Sigurisht që rrjeti 4G përfaqëson një inovacion dhe revolucion në teknologjinë e informacionit me shpejtësitë e komunikimit dhe shërbimet që ofron. Siç e përmenda, një ndër vlerat tona është zbatimi i teknologjive më të përparuara dhe me këtë cilësi ne patëm kurajon dhe guximin të zbatojmë teknologjinë e rrjeteve të lëvizshme më të avancuara që po aplikohet aktualisht në Europë, 4G+. Mund të pohoj me krenari se Telekom Albania ka tashmë kapacitetet për t’u ofruar abonentëve këtë zhvillim të ri botëror. Funksionet e rrjetit 4G+ të Telekom Albania bëjnë të mundur ofrimin e shpejtësive më të larta të komunikimit për abonentët me pajisjen që suporton 4G+, 225 Mbps shpejtësi shkarkimi të të dhënave, e cila do të rritet më tej në të ardhmen e afërt. Nga ana teknologjike kjo arrihet duke ndërthurur frekuencat 1800 MHz dhe 2600 MHz, vënien në dispozicion të më shumë kapaciteteve të rrjetit për abonentin i cili mund të realizojë shpejtësi të jashtëzakonshme të lundrimit në internet dhe të përjetojë një eksperiencë superiore në përdorimin e rrjetit tonë. Përdoruesi do të shohë në ekranin e celularit LTE+ ose 4G+. Natyrisht Telekom Albania do të ofrojë edhe celularët e zgjuar dhe modem-ët e internetit të përshtatshëm për këtë teknologji të fjalës së fundit. Ofrimi i shërbimeve 4G+ realizohet në kuadër të zbatimit të strategjisë së Deutsche Telekom për ruajtjen e superioritetit teknologjik, superioritet i cili garanton eksperiencën më të mirë për përdoruesit e rrjetit tonë. Shërbimet 4G+ janë implementuar në një kohë rekord dhe duke nisur nga 1 shtatori, abonentët tanë do të kenë mundësi t’i përjetojnë realisht.