Tërmet Peçi: Edhe Ali Pashai do tmerrohej për mënyrën sesi ia kishin uzurpuar kështjellën
“Do punojmë fort me qeverinë shqiptare dhe Edi Ramën, për të sjellë projekte të reja. Nxitja e punësimit dhe hapja e fabrikave të reja, sfida e mandatit të ardhshëm”
Tërmet Peçi, djaloshi 45 vjeçar që kandidon për një mandat të dytë në bashkinë e Tepelenës është baba I tre fëmijëve dhe sic thonë të gjithë në qytet, sillet me gjithë banorët si të jenë pjesë e një familjeje të madhe. Në një intervistë për gazetën “Koha Jonë”, ai rrëfen se pse kërkon të votohet nga banorët, çfarë ka bërë, cilat janë prioritetet në mandatin e arshshëm, por edhe për kundërshtarët në këtë sfidë.
Zoti Peçi, pyetja e parë që bëhet është: pse duhet t’ju votojnë qytetarët e Tepelenës në një mandat të dytë?
Nuk dua të merrem me fjalë, shifrat dhe investimet janë fjalët që ne themi dhe që i flet gjithë Tepelena. Mendoj se qytetarët e dinë shumë mirë se çfarë ka ndodhur me qytetin e Tepelenës dhe si e transformuam këtë qytet në katër vite. Kur hyra për herë të parë në Bashki në korrikun e vitit 2011, pashë se shpresa e njerëzve për të përmirësuar jetën e tyre në këtë qytet të varfër ishte shumë e zbehtë. Unë vija nga puna ne emigracion dhe nga puna e biznesit, dhe kështu, mendova se gjithcka mund të bëhej më mirë nëse punët do të bëheshin më mirë; nëse do të mblidhja pas vetes një staf profesionistësh dhe teknicienësh të cilët do të arrinin që me punën e tyre, të hartonin projekte konkrete për qytetin. Dy vitet e para kanë qenë të vështira. Të gjithë e dimë se qeveria e Sali Berishës nuk ndihmoi madje bllokoi në të shumtën e rasteve bashkitë që drejtoheshin nga socialistët. Thënë kështu, dua të kujtoj këtu “vjedhjen” e hapur të fondeve që na bënë nga grantet e pakushtëzuara në fundvitin 2012, si shumë bashki të majta, edhe bashkinë e Tepelenës. Për të mos folur për borxhin prej 175 milionë lekesh që lane në këtë bashki paraardhësit.
Por, falë vullnetit të ekipit të njerëzve që përzgjodhëm në bashki, falë kontributit të qytetavë dhe të bizneseve, puna në Tepelenë nuk ndaloi. Dhe pse në volum ishte më pak, njerëzit arritën të shohin ndryshimet e para.
Dakord, thënë kështu duket shumë bukur zoti Peçi por çfarë keni bërë konkretisht?
Po shikoni Tepelenën sot, është një qytet që ka marrë një pamje tjetër. Nuk po flasim për investimin që u bë në qendër të qytetit me mbështetjen e qeverisë shqiptare nga Fondi I Rajoneve, por po flas për investimet në cdo rrugë e cdo lagje.
Pastaj, e mbani mend si ka qenë Kalaja e Tepelenës? Edhe Ali Pasha të ishte gjallë, nuk do të mund ta clironte dot nga plehrat dhe nga pluhuri I harresës në një monument kaq të rëndësishëm që Tepelena e ka fatin ta ketë.
Sot Kalaja pret shumë vizitorë, vendas e të huaj. Kemi hequr nga muret rrethues të kalasë, mijëra e mijëra tonë inerte, plehra, sepse, paraardhësit e dikurshëm e kishin kthyer në një vend grumbullimi plehrash. Në bashkëpunim me ministrinë e Kulturës, me qeverinë shqiptare, me Forumin për Trashëgimninë Kulturore, hartuam një projekt konkret dhe të detajuar se si mund të shpëtonim këtë object, I cili duhet thënë, tashmë është në harmoni të plotë si me qendrën e re, ashtu edhe me shëtitoren kryesore të qytetit.
Ia kisha borxh qytetarëve të Tepelenës tu riktheja monumentin për të cilin ata krenohen.
Po, por as ju s’mund të krenoheni me një kala apo jo zoti Peçi…
Juve, si gazetarë mund t’ju duket punë e vogël. Sigurisht që unë krenohem me atë Kala, ashtu sikurse krenohem me investimin e madh që bëmë në spitalin e qytetit të Tepelenës, në lagjen “15 shtatori” . Që kur është ndërtuar ky spital, askush nuk kishte vënë dorë në të. Shkoni e shikoni sot si është bërë…Por vazhdoj të them se është bërë shumë pak. Sepse, u morëm me ambientin e jashtëm gjatë këtij mandati që kaloi. Në këtë mandat të ri katër vjeçar do të punoj ngushtësisht me ministrinë e Shëndetësisë për të ndërhyrë në ambientin e brendshëm dhe për të thithur në të një staf profesionistësh për të punuar dhe për tu qëndruar shumë pranë banorëve që kanë halle shëndetësore. Sepse deri dje, cdokush shkonte drejt Tiranës dhe Gjirokastrës. Nesër, do të bëjmë të mundur që të trajtohen këtu shumica e problemeve të tyre shëndetësore.
Por, ashtu sikurse krenohem me shtimin e sipërfaqeve të gjelbëruara me 3000 metra katrorë dhe 300 pemë dekorative në gjithë qytetin; kemi asfaltuar rreth 6000 metra katrorë sheshe e rrugë në qytet dhe në lagje të ndryshme të qytetit; kemi ndricuar qytetin dhe shumicën e rrugëve duke shtuar rreth 70 ndricues të rinj; kemi ndërhyrë në pastrimin e qytetit duke shtuar koshat e hedhjes së mbeturinave rreth 60 të tillë në zona të ndryshme të qytetit;
Për të mos folur për projektet sociale. Bëmë rikonstruksionin e plotë të kopshtit të fëmijëve “Murat Koçiu” me një vlerë 60 milionë lekësh të vjetra; kemi paisur me infrastrukturën e nevojshmë të shkollës 9 vjecare “Avni Rustemi” të cilën e gjetëm në gjendje të mjeruar; sollëm në parametrat normal të mësimit, gjimnazin “Abaz Shehu” që ishte në një gjendje skandaloze dhe që duhet thënë se ka qenë nga gjimnazet më të mira në vend dhe prej tij kanë dalë shumë prej vendimmarrësve që sot janë në politikë; Unë vetë personalisht jam investuar për ndihmën e familjeve që janë në situata të vështira ekonomike e në raste fatkeqësish. Prej katër vitesh, unë si kryetar bashkie, pagën time mujore, e kam destinuar për këto familje në nevojë; nuk ka ndodhur në ndonjë rast të më kenë takuar qytetarë në rrugë apo në zyrë duke më kërkuar ndihmë për shqetësime ekonomike dhe sidomos shëndetësore, dhe të mos e kem zgjidhur. Në fundvit me rastin e festave po ashtu kemi kontribuar për të ndihmuar;
Kemi gjallëruar jetën kulturore të qytetit të Tepelenës. Kemi organizime të shpeshta të aktiviteteve me studentë, si dhe koncerte të mëdha në qendër të qytetit për të gjithë banorët e qytetit tonë.
Kemi mbështetur klubin e futbollit të Tepelenës dhe talentet e reja në qytetin tonë, dhe ky klub u rendit në vendet kryesore dhe ishte një pretendent. Do të arrijmë tia dalim në vitet në vazhdim duke shtuar investimet në këtë sektor.
Kështu si flisni ju, duhet që qytetarët të vijnë të banojnë në Tepelenë, përderisa jetohet kaq mirë…
E kuptoj ironinë e pyetjes suaj, por duhet thënë se kur mora detyrën katër vite më parë, kam gjetur një qytet tërësisht të rrënuar. Ndjeja keqardhje kur takohesha me bashkëqytetarët e bashkëfshatarët e mi të cilët ankoheshin për probleme nga më të thjeshtat e deri tek më të ndërlikuarat. Unë nuk pretendoj se në katër vite arritëm të mbyllim të gjitha problemet. Ne jemi në rrugën e duhur sepse nisëm shumë projekte në një fazë emergjente, dhe tani duhet të vazhdojmë në një fazë afatmesme për politika të qëndrueshme ekonomike e sociale të qytetit tonë.
Thënë kështu, duhet të kuptojmë se përgjegjësia ime do të jetë zgjidhja e problemit të punësimit. Kjo do të arrihet nëpërmjet bashkëpunimit me qeverinë shqiptare dhe me projekte të reja që të përfitojmë nga fondi i nxitjes së punësimit; në planin tim të ardhshëm katër vjecar është afrimi I bizneseve të mëdha për të hapur këtu, fabrikat e tyre, ndërkohë që bashkia do të krijojë mundësinë për të gjetur objektet se ku do të vendosen. Një repart fasson është në proces ku fillimisht do të punësohen rreth 100 persona. Dhe kjo ndodh për herë të parë në këto 25 vite të demokracisë.
Gjithashtu një fabrikë e përpunimit të produkteve blegtorale do të ngrihet gjatë mandatit të ri. Tepelena me zgjerimin nga ndarja administrative, përfshin tashmë edhe komunat e Kurveleshit, Lopsit dhe komuna Qendër. Njerëzit në këto komuna, si punë të parë të tyre kanë blegtorinë. Ndaj, fokusi kryesor I bashkisë së re do të jetë, menaxhimi dhe administrimi në bashkëpunim me fshatarët e gjithë këtyre zonave, të produkteve të tyre, për ti bërë jo vetëm të konkurrueshëm për tregun vendas, por për të sjellë të ardhura të mjaftueshme për familjet e tyre dhe sigurisht nxitjen e punësimit.
Nga ana tjetër nëpërmjet projekteve me ministrinë e Bujqësisë do të punojmë për të vënë në eficensë të plotë gjithë sistemin e vaditjes që është problematik dhe është një nga premtimet e mia elektorale.
Vendimet e rëndësishme për qytetin e ri të Tepelenës do të merren në bashkëpunim me Këshillin Bashkiak, por edhe me dëgjesat e qytetarëve. Në asnjë rast nuk e kam neglizhuar këtë proces. Dera ime ka qenë një portë e hapur për të dëgjuar të gjitha hallet e shqetësimet e tyre.
Dakord, por do e keni të vështirë sepse një kandidat I pavarur nga radhët tuaja ka konkurruar për qytetin e Tepelenës…
As ju si gazetare nuk ia mbani mend emrin. Tërmet Peçi ka katër vite që punon për qytetarët e Tepelenës. Ndoshta dikur bënit ironi me posterin elektoral “Tërmeti për Tepelenën” sepse vërtet duhej një tërmet I fuqishëm për të zgjuar qytetin nga gjumi që e kish marrë. Nuk më shqetëson asnjë kundërshtar që ka dalë rrugës për të arritur në këtë sfidë. Unë kam një kontratë me banorët e qytetit tim, dhe kjo kontratë e sigurt do të zgjasë edhe katër vite të tjera. Sepse për këtë flasin punët e mira që janë bërë për qytetin, energjia jo vetëm e imja, po gjithë stafit të bashkisë, Partisë Socialiste, koalicionit, veteranëve, studentëve, të rinjve dhe padyshim, mbështetja e madhe që jep qeveria shqiptare për Tepelenën, dhe në mënyrë të vecantë kryeministri Rama.
Kanë mbetur shumë pas kandidatët e tjerë. Janë mijëra kilometra larg meje. Nuk kanë platforma e as ide. Dhe për më tepër nuk kanë mbështetës. Nuk jam asfare I shqetësuar për ta. Votat do të shkojnë për kandidatin e PS, Tërmet Peçi dhe Partinë Socialiste, për të vazhduar punët e mira që kemi filluar. Këtë e kam bindje. Detyrim, kam faktin t’u shërbej me ndershmëri dhe plot ide bashkëqytetarëve dhe bashkëfshatarëve të mi.