Transformimi i Tiranës: Nga sundimi komunist, në një qytet për fëmijët
Kryebashkiaku Erion Veliaj ka dhënë një intervistë për “Apolitical” lidhur me kryeqytetin e Shqipërisë dhe qasjen e tij të re. Në shkrimin e saj, “Apolitical”, thekson se në zemër të misionit dhe vendimmarrjes së qytetit qëndrojnë fëmijët; rindërtimi i çerdheve dhe kopshteve, lirimi i hapësirave publike për parqe dhe terrene lojërash, duke i përfshirë të vegjlit në komunitet. Pas disa dekadash nën Perden e Hekurt, kryeqyteti shqiptar, Tirana, po shijon një tjetër mënyrë jete. Në zemër të misionit dhe vendimmarrjes së qytetit qëndrojnë fëmijët; rindërtimi i çerdheve dhe kopshteve, lirimi i hapësirave publike për parqe dhe terrene lojërash, duke i përfshirë të vegjlit në komunitet.
Çfarë do të thotë të përfshish fëmijët si agjentë të ndryshimit shoqëror?
Në një shoqëri tradicionale si e jona, fëmija shihet si një krijesë e shenjtë që Zoti ia dhuron familjes. Kështu, pse të mos u japim këtyre perëndive të vogla të drejtën për të dhënë urdhëra, të shtyjnë familjen për të bërë diçka.
Me Gil Penalosën e “8 80 Cities” kemi bërë një llogaritje të tipit se sa shpenzon një familje tipike shqiptare për makinën e tyre. Zhvilluam disa fokus grupe dhe i pyetëm prindërit se cila ishte gjëja më e rëndësishme në jetën e tyre. 100% e tyre thanë “fëmijët e mi”. Pastaj, i pyetëm: nëse fëmijët janë gjëja më e rëndësishme në jetën tuaj, a është e vërtetë se shpenzoni shumicën e të ardhurave tuaja për rritjen e tij? Njëqind për qind e tyre thanë: sigurisht që po kjo s’do mend. Por, mandej kur u treguam se sa paguajnë për të mbajtur një makinë, pra sigurimin, parkimin, karburantin dhe një mekanik, doli se mesatarisht, ata shpenzonin më shumë për makinën, sesa për fëmijën e tyre. Shumë u tronditën.
Kjo na bindi për më tej. Ne thamë: “Pa dalë pak, vërtet dashuria për makinën e kalon dashurinë për fëmijën, në një shoqëri që mburret se sa të rëndësishëm janë fëmijët?” Kështu, provokuam një debat publik që ndërgjegjësoi shumë njerëz për t’i shpenzuar paratë për gjënë më të shtrenjtë, pra fëmijët. Në fund, kjo e ndryshoi qasjen në qytet.
Si e keni bërë realitet këtë?
Para së gjithash, kemi ndryshuar narrativën e administratës së qytetit. Zakonisht, në politikë, gjithmonë shqetësohesh për zgjedhjet e ardhshme – pra, përderisa bëjmë gjërat e duhura dhe u kemi shërbyer njerëzve, fitorja nuk do të jetë problem. Por, le ta çojmë bisedën në një nivel tjetër: Si të kujdesemi për gjeneratën tjetër, më tepër se për zgjedhjet e ardhshme?
Kemi ngritur Këshillin Lokal të Fëmijëve, organizojmë përditë orë të hapura ku klasa të ndryshme vijnë në bashki për të takuar kryetarin ose një nga drejtuesit tanë. Kemi nxënës të shkollave që një herë në muaj “marrin” drejtimin e administratës së qytetit – njëri bëhet Kryetar i Bashkisë, të tjerë bëhen drejtorë të kësaj apo asaj drejtorie. Kjo është fantastike sepse çdo muaj, deri në 150 fëmijë, bëhen drejtues të lartë. Secili nga ata që largohet nga bashkia, pas kalimit të ditës si një zyrtar i qytetit, kthehet në klasë dhe kthehet në një predikues për mënyrën se si drejtohet qyteti.
Sapo administrata nisi t’u jepte fëmijëve – që janë një e treta e popullsisë sonë – një të tretën e kohës sonë, një të tretën e përpjekjeve tona, një të tretën e vendimmarrjes dhe të të menduarit, atëherë kjo realisht e ndryshoi qytetin. Ajo çka në fillim u pa me dyshim nga elita politike, sot është kthyer në një eksperiment social interesant.
Pse kaq shumë qytete po e shohin Tiranën si një model?
Po zbulojnë se mund të bëjnë më shumë, me më pak. Qytetet shpenzojnë kaq shumë para duke ftuar arkitektët dhe planifikuesit urbanë, duke marrë gjëra që janë të pambaruara. Ata krijojnë infrastrukturë të madhe, por pa jetë. Koncepti i shprehjes “ndërtoje dhe ata do të vijnë” nuk është domosdoshmërisht i vërtetë. Sepse nëse ndërton një qytet jo për njerëz, ata nuk do të vijnë.
Sa ndikon ky entuziazëm në mënyrën se si matni sa i mirë është një qytet për fëmijët? Cilat janë pasojat?
Jemi duke monitoruar nga afër 15 këndet e lojërave që kemi ndërtuar nëpër lagje. Kemi kuptuar se ka shumë më pak vandalizëm në zonat që monitorojmë. Një shesh lojërash josh kryesisht gjyshërit që mbikëqyrin fëmijët, të cilët më pas bëhen kujdestarë të pronës lokale aty. Ka gjithmonë ndonjë përjashtim, por jo vandalizme tipike të viteve të kaluara.
Ulja i nivelit të vandalizmit është i jashtëzakonshëm, kjo ndodh për shkak se njerëzit ndihen sikur e kanë këndin e lojërave të tyren. Adoleshentët ndihen sikur kanë hapësirën e tyre “në një cep rruge” të improvizuar, ndërsa vëllezërit dhe motrat e tyre më të vegjël kanë hapësirën e tyre.
Nga monitorimi i mediave sociale, për herë të parë kemi vënë re një trend të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, që postojnë fotografi duke thënë: “Nuk mund ta besoj që kjo po ndodh, është koha që unë të kthehem”. Në një kënd lojërash takuam fëmijët e emigrantëve shqiptarë, të cilët kishin ardhur herët për të kaluar verën këtu, thjesht sepse kemi shumë më shumë terrene sportive, se sa shumë lagje të tyret në Britaninë e Madhe.
Befas, për një vend ku “Plani A” ishte ikja sa më shpejt të që e mundur, tani është kthyer në një vend emocionues për t’u kthyer, për shkak se qytetet janë më të këndshme dhe fëmijët kanë shumë më tepër argëtim se më parë.
A është krahasimi me periudhën komuniste një gjë e mirë?
Unë jam ndoshta brezi i fundit që e kujton, por komunizmi ishte një gjë shumë e keqe. Partia Komuniste vendoste nëse ju do të shkonit në universitet, bazuar në biografinë familjare dhe besnikërinë ndaj partisë. Sapo të shkonit, ata vendosnin bazuar në kuota, se për çfarë do të studionit. Pasi të ishit diplomuar, vendosnin se ku do të shkonit për të punuar. Ju nuk kishit zgjedhje për jetën tuaj.
Jo vetëm kaq, por duhet të merrnit miratimin e partisë për atë me të cilin donit të martoheshit dhe sapo të martoheshit, ata vendosnin se ku duhet të jetonit. Madje, vendosnin se çfarë lloji të mobiljeve, qoftë ajo e klasit A ose B ose C, do të merrnit.
Imagjinojeni që kjo të ndodhë për 45 vjet me radhë. Kur njerëzit dolën nga komunizmi, e urrenin shtetin dhe çdo gjë që ishte publike. Një prej mënyrave që njerëzit nxorën zemërimin e tyre kundër shtetit, ishte dhuna ndaj pronës publike. Kjo është fryma që qëndron pas kërcënimit, që u krijua mbi planifikimin urban në vitet e fundit. Por, si ta paraqesësh këtë marrëdhënie dashurie, jo me shtetin, por me diçka që është publike jo domosdoshmërisht shtetërore dhe që i takon komunitetit në tërësi? Ndërhyrjet në çdo lagje rezultuan kyçe për këtë.
A mund të na jepni një shembull suksesi, të ndryshimit të marrëdhënies së njerëzve me pronën publike?
Unë nuk kam fëmijë, kështu që në një vend ku cinizmi është sport kombëtar, njerëzit thonë: “Shiko, ky nuk i bën këto për fëmijët e tij sepse nuk ka fëmijë!” Shumë prej tyre mendojnë se kjo është një marrëdhënie pa kushte.
Tryeza e bukës është kthyer në një vend për të debatuar rreth bashkisë. Më parë, nëse i pyesnit fëmijët se çfarë donin të bëheshin kur të rriteshin, ta kthenin futbollisti, pilot i Formula 1 ose zjarrfikës, gjërat tipike. Kurse tani, për herë të parë fëmijët thonë: kur rritem, dua të jem Kryetar Bashkie.
Puna e politikanit, një prej profesionet më të urryera në shoqëri, befas është kthyer në një dëshirë për fëmijët. Sepse në mendjen e tyre, kjo është kryesisht për t’i bërë fëmijët të lumtur. Të zbulosh se gjysma e fëmijëve duan të bëhen kryebashkiakë kur të rriten, mendoj se është një ndryshim shumë emocionues.
Shumë protesta të dhunshme u bënë në përgjigje ndaj ndërtimit të një këndi lojërash. Pse erdhi një reagim i tillë?
Për disa arsye: e para, sepse grupi opozitar në këtë protestë ishte nga partia e kryebashkiakut të mëparshëm, i cili kishte reputacionin e të bërit thuajse asgjë për qytetin. Disa prej tyre ishin kaq të dhunshëm, sa bënë sherr me punëtorët në vendin e ndërtimit; madje thyen dhe shkatërruan makineritë. Një nga anëtarët e parlamentit, i opozitës, kishte marrë edhe armën e tij me vete.
Së dyti, ka pasur shumë grupe nga shoqëria civile, shumë skeptike, të cilët në ato ditë të hershme kishin pyetje legjitime: a është ky vetëm një politikan tjetër, i cili do të hyjë në një park dhe do të ndërtojë kulla të larta? Me të vërtetë u bë debati më i nxehtë politik, kur anëtarë të parlamentit, presidenti i vendit, komuniteti mjedisor, të gjithë duke kërkuar që ta shkatërrojnë këtë park.
Tani janë bërë aleatët tanë më të mëdhenj, por në fillim, dyshuan nëse ky do të ishte një kamuflim politik, për një gjë monstruoze. Në fund, rezistenca e madhe u shndërrua në një mundësi të madhe për të shpjeguar dhe treguar një histori, që njerëzit kuptojnë. Procesi u bë shumë më demokratik. Tani kjo është një e dhënë se, çfarëdo prone që ne të çlirojmë nga makinat, njerëzit e dinë se do t’ua kthejmë atë fëmijëve.