Valbona Mema, “Pengu”, libri i jetës sime…

 

Intervistoi: Albina Gjergji

Përveç famës si këngëtare karriere e muzikës së vërtetë popullore, nëse do të vlerësohej edhe për diçka tjetër Valbona Mema, me siguri origjinaliteti në karakter do të ishte një virtyt që do ia theksonin të gjithë njëzëri. E cilësuar si një nga personazhet më simpatikë edhe nga juria e DWS ku ajo mori pjesë para disa kohësh, Mema padiskutim tashmë ka krijuar simpati të gjerë në publik. E thjeshtë dhe mjaft e drejtëpërdrejtë vjen edhe në intervistën e mëposhtme, dhënë për suplementin e gazetës “Koha Jonë”. Sapo është kthyer nga një tur i suksesshëm koncertor, zhvilluar në SHBA e ndërsa po pushon, njëkohësisht shënon me stilolaps datat e shumta të gëzimeve familjare që do të marrë pjesë në stinën e verës. Sa i takon projekteve në muzikë, sigurisht që Valbona po përgatit diçka. Një këngë dedikuar qytetit të saj të zemrës, Tiranës, e cila do të vijë me një tekst shumëvjeçar dhe që vetë ajo mezi pret ta lançojë. Por ky është vetëm një projekt, të tjerë flenë për momentin në kokën e Valbonës e që do t’i prezantojë në kohën dhe momentin e duhur. Sa i takon jetës përtej skenës gjithashtu, artistja në rrëfimin e saj ndalet e na tregon shumëçka…

Çdo ditë e më e freskët, në look e në daljet publike… cili është sekreti i suksesit tënd Valbona, çfarë e bën kaq të dashur e të kërkuar emrin tuaj në tregun muzikor, sipas jush?

Ndoshta ruajtja e imazhit tim dhe mos dalja jashtë kornizës që unë kam krijuar ndër vite.

Çdo herë ndryshe, e mirëkuruar edhe estetikisht, a mund të themi që, përveç muzikës që është pasioni juaj më i madh, një tjetër pasion është edhe Moda?

Gjithkush nga ne ka stilin e vet dhe mendoj se gjithsecili vishet ashtu siç ndjehet më mirë. S’e di, unë kam një stil timin, të cilin shumë e pëlqejnë e për këtë më bëhet qejfi, pasi stili im është unik, në kuptimin që kijoj idetë e mia dhe i vë në jetë duke i stiluar që në mendje. 

Çfarë është e bukura në tërësi për ju?

E bukura për mua është origjinaliteti dhe pikërisht ky detaj e bën njeriun më të bukur. Të njëjtën gjë do të thoja edhe për thjeshtësinë. Sa më pak të lyera, sa më e freskët, sa më pak make-up  dhe sa më shumë femër “ujë e sapun”, aq më mirë bukur do te dukemi edhe tek të tjerët.

Raporti me kohën, ç'marrëdhënie keni me të shkuarën, të tashmen dhe a ndodh ta planifikoni të ardhmen?

Ndoshta me të shkuarën raporti është shumë i këputur dhe nuk mund ta harroj dot. Do doja ta harroja, sepse në jetën time kanë ndodhur ngjarje të trishta që kanë lënë shenjë në mua, por që në fakt edhe pa këto kujtime nuk do mund të jetoja. Ndërsa sa i takon  së tashmes, jam shumë e lumtur, shumë krenare me fëmijët e mi, ndërsa me punën time në të ardhmen ndjehem shumë optimiste, sepse njeriu kështu duhet të jetë, duhet t’i buzëqeshë së ardhmes.

Aktualisht me se po merreni Valbona?

Aktualisht jam duke punuar për një projekt, titullin e së cilës ia dedikoj Tiranës sime. Është një dedikim me një tekst shumëvjeçar. Falendenderoj shumë me këtë rast Klinton Malokun, i cili më solli një tekst të mrekullueshëm dhe që është një dedikim për bukuritë e qytetit tim. 

Bëni pjesë tek ato këngëtarë, që në stinën e verës duhet patjetër të lançojnë një projekt të ri muzikor, qoftë për hir të tregut?

Absolutisht jo. Nuk e shoh fare si praktikë timen dhe as më intereson fare nëse është verë, apo dimër. Unë kam investuar shumë gjatë jetës për karrierën që kam ngritur dhe mendoj se pikërisht nga emri që kam krijuar është publiku ai që më kërkon të lançoj herë pas here këngë. Prandaj unë përpiqem të jem korrekt e koherente me gjithë dashamirësit e muzikës sime, duke u sjellë këngë e klipe me motivet e tyre të preferuara. Kështu që me këtë rast mund të them që është edhe vetë publiku që kujdeset daljet e mia artistike.

Ndonjë bashkëpunim është në projektet tuaja? Nëse po, me kë?

Po kam ndërmend edhe një bashkëpunim me një këngëtare tironse, por që për momentin nuk dua ta zbuloj emrin e saj. Ta lëmë surprizë.

Koncertet, prej vitesh jeni ndër më të kërkuarat për ngjarje artistike brenda dhe jashtë vendit. Po këtë verë si paraqitet agjenda?

Mendoj se agjendën e kam më shumë të ngarkuar me dasma, sesa me koncerte. Flas për gëzimet famijare, ku pjesë e tyre bëhem edhe unë me këngët e mia. Kështu që dy muajt e verës i kam shumë të zëna vetëm me dasmat shqiptare. 

Përtej këngëtares, Valbona është një familjare shembull, nënë e dy fëmijëve dhe mike e shumë artistëve. Sa i takon pjesës së parë të pyetjes, na flisni pak për lidhjen e veçantë që keni me fëmijët?

Raporti im me fëmijët, si kur ishin të vegjël dhe tani që janë rritur është një raport prind-fëmijë. Nuk është raport shumë shoqëror, apo raport shumë konfidencial, por është ai raport që unë e mbaj dhe do ta mbaj gjithmonë me portretin e nënës. Nëse do ta konsideroja veten shoqe me fëmijët e mi, atëherë do të ishte marrëdhënie shoqërore. Për mendimin tim një nënë duhet të ketë raport prind-fëmijë dhe duke mos patur praninë e babait të tyre, mua më është dashur të mbaj një lloj autoriteti në familje, që të jem vërtetë një nënë kërkuese, një nënë edukuese dhe një nënë me imazh të mirë.

Po me kolegët?

Edhe me kolegët kam një raport jashtëzakonisht korrekt e të mirë. Jam person që ruaj raporte të shëndosha dhe mendoj se kjo është pikënisja e një shoqërie pozitive.

Një personazh mjaft simpatik gjithashtu, ju Valbona jeni sukses më vete edhe për pjesëmarrjet në spektakle televizive. Kujtojmë këtu konkurrimin në “Dancing with the stars”, ku publiku njohu një Valbonë edhe më tip. Si e kujtoni eksperiencën në këtë garë-show?

Që në momentin që më është bërë ftesa për të qenë pjesë e këtij spektakli e kam pranuar me kënaqësinë më të madhe, sepse në këtë produksion kishe të bëje me një staf profesionist, balerinë profesionistë, kolegë profesionistë. Edhe pse më është dashur të anuloj projektet e mia koncertore, pranova me dëshirë dhe e mora me sportivitet konkurrimin aty.  Gjëja më e bukur që unë kam provuar në jetë ka qenë dashuria ime e parë dhe mendoj se dashuria e parë dhe e fundit është lindja e fëmijëve dhe kjo eksperiencë e paparë që unë kam përjetuar dhe shijuar pafund në DWS. I falenderohem shumë stafit dhe i falenderohem shumë Holtës. Aty unë kam gjetur veten dhe publiku ka njohur vërtetë Valbonën e vërtetë.

Do ju shohim në ndonjë spektakël tjetër në vazhdim?

Nuk e di nëse do jem pjesë e ndonjë spektakli tjetër, por nëse ndodh do të ishte me të vërtetë diçka e bukur dhe do t’i shtohej edhe më shumë origjinaliteti spektaklit. Mendoj se skena e “Dancing ëith the stars” për mua ka qenë një magji dhe lum kush e provon të paktën një herë në jetë.

Gjëja e parë që bëni, sapo zgjoheni në mëngjes, cila është Valbona?

Pasi laj dhëmbët që i kam fiksim dhe gjithë gjërat e tjera që bën një femër për kujdesin e saj, është shoku im, Rocky, (qeni i familjes) që dalim bashkë në mëngjes, pimë kafen bashkë, flasim të dy, përkëdhelemi…

 Është domosdoshmëri kafja e mëngjesit për ju dhe me kë preferoni ta pini?

Kafja e mëngjesit është sigurisht domosdoshmëri dhe gjithmonë e pij poshtë pallatit tim me qenin tim.

Fundjavat e Valbonës?

Shumë të zëna. Normale tani është periudhë pushimi, sepse unë vij nga turne jashtë vendit, eksperiencë e bukur, por nëse do të më jepej mundësia të jepja ndonjë intervistë për shqiptarët që jetojnë në SHBA kam shumë për të folur.

Raporti me kujtimet? Jeni natyre nostalgjike?

Unë jam natyrë nostalgjike, por jo pesimiste. Nuk jetoj me të kaluarën time, por nuk e harroj sepse është pjesë e jetës sime, sepse e kaluara ime ka qenë e bukur, pavarësisht se u lëndova shumë e re në moshë, por ajo është një plagë që nuk dua ta gërvisht, sepse do më dhembë gjithmonë.

Nëse do t'i vinit një titull kënge jetës suaj, cili do ju përshtatej?

Libri im që del shumë shpejt në treg është titulluar “Mes pasionit dhe dhimbjet”, sepse pasioni për këngën ka qenë shumë i madh dhe dhimbja në jetë ka qenë shumë e madhe. Nëse jeta ime do të kishte një titull atëherë duhej t’ia vija “Peng”, sepse jeta ime është një peng, pasi unë meritoja më shumë. Peng, sepse unë nuk munda ta jetoj deri në fund dashurinë e jetës sime.

SHKARKO APP