Vangjel Tavo: Humbja e LSI në disa bashki, për shkak të faktorëve lokalë
Deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo, ka zbutur tonet në lidhje me çarjen e koalicionit LSI-PS në zgjedhjet e 21 qershorit. Ai thotë në një intervistë për 'TemA TV' se në ato bashki që ka humbur LSI, mund të kenë ndikuar faktorët lokalë, dhe jo vullneti politik i PS.
Zoti Tavo! Nga 15 bashki, humbët 9, a jeni të kënaqur me këtë rezultat në shkallë kombëtare, për numrin e bashkive që ju keni marë, a u përmbushën pritshmëritë tuaja?
Mund t’ju them që LSI ka arritur të sigurojë një numër votash sa ishin parashikuar, madje në disa raste është tejkaluar objektivi. LSI ka deklaruar që do të arrijë forcë e dytë në vend, besoj dhe kam shpresë deri në fund se me përfundimin e gjitha kutive të votimit të subjekteve politike ne do të jemi forca e dytë në rang vendi. Përsa i përket rezultateve paraprake kemi të bëjmë me një rritje drastike në krahasim me 2013. LSIja nuk është më një forcë siç ka qënë në vitin 2011t, por bëhet fjalë për një forcë politike elektorale, e cila luan një rol plotësues në koalicionet politike. Është një forcë politike e cila tashmë është pretendente. Përsa i përket numrit të bashkive, ne kemi fituar shumicën e bashkive të cilat LSI–ja kishte përgjegjësinë të propozonte kandidatin në emër të Aleancës për Shqipërinë Europiane. Përsa i përket këshillave bashkiake ne kemi një rritje drastike. Nëse i referohemi Gjirokastrës, dua t’ju them se në Gjirokastër si qark LSIja deri në këto momente kryeson si forcë e parë edhe mbi PS-në edhe mbi PD-në. Jemi forcë e parë në Memaliaj ku është mbyllur numërimi, jemi forcë e parë në bashkinë e Përmetit, në bashkinë e Këlcyrës, në bashkinë e Dropullit, jemi forcë e dytë në bashkinë e Gjirokastër me diferencë të vogël votash. Me një diferencë shumë të vogël jemi forcë e dytë në bashkinë e Tepelenës dhe në gjithë qarkun LSI renditet forca e parë me një diferencë të konsiderueshme.
LSI në shumë bashki duket si forcë e parë politike, cfarë ka ndodhur? Ndërkohë në disa bashki të cilat LSI-ja ka humbur, nuk ka funksionuar koalicioni me PSnë , apo kjo votë është ndëshkim i elektoratit?
Duhet të kuptojmë që në zgjedhjet lokale nuk është thjesht qëndrimi politik apo vullneti politik, i cili përcakton rezultatin, por janë edhe shumë faktorë të tjerë lokal. Le t’i quajmë interesat lokale, janë kandidaturat dhe kandidatët që luajnë rol. Normalisht mund të ketë problemet e kësaj natyre që kanë ndikuar në këtë rezultat. Ju them me bindje të plotë që LSI-ja ka mbështetur absolutisht 100% të gjithë kandidatët e Aleancës për Shqipërinë Europiane në të gjitha bashkitë e Republikës.
Por mesa duket nuk ka ndodhure njëjtja gjë në çdo bashki nga ana e PS-së?
Unë e sqarova që në zgjedhjet lokale nuk bëhet fjalë thjesht për vullnet politik, por ndërthuren shumë faktorë të tjerë. Por mund të ketë ndodhur dhe kjo gjë.
Kjo çështje do jetë objekt i diskutimit ndërpartiak, pasi njëra palë për arsye të ndryshme nuk ka përmbushur marrëveshjen?
Nuk jam unë personi i autorizuar dhe përgjegjës për të thënë këtë, por me siguri si brenda strukturave të LSI-së do të bëhet një analizë e hollësishme siç e kemi bërë gjithmonë ne si forcë politike. Analizë e hollësishme e rezultatit zgjedhor në të gjitha njësitë vendore duke filluar nga jugu në veri ose anasjelltas. Përsa i përkete diskutimit brenda koalicionit është një çështje e drejtuesve të koalicionit për ta vendosur.