Vasili: Të mbyllim reformën në drejtësi para vizitës së komisionerit Hahn

Reforma në drejtësi duhet të përmbyllet sa më shpejt. Apeli i nënkryetarit të LSI-së, Petrit Vasil, vjen ndërkohë që paralajmëron vizitën e komisionerit për Negociatat e Zgjerimit, Johanes Hahn.

I ftuar në “Orën e Intervistës” në Ora News, Vasili tha se duhet ta punohet me shpejtësi për të përmbushur këtë kusht të integrimit. Ai deklaron se Shqipëria është e vonuar në këtë drejtim.

Vasili: Koha nuk pret. Shpërdorimi i kohës është në dëm të integrimit. Më datë 30 do të kemi një vizitë të komisionerit Hahn dhe ne do të ishte e domosdoshme që të bënim natën ditë të jepnin zgjidhjet konsensuale përkatëse dhe të raportohet që Shqipëria këto detyrime kushtetuese i kreu dhe të plotësohet një nga 5 kushtet. Koha nuk pret. Shumicën e gjërave i ka zgjidhur Venecia. Lëvizja Socialiste për Integrim do të mbështesë të gjitha këto zgjidhje dhe ne e kemi bërë të qartë qëndrimin politik përpara se këto çështje do të shtrohen për diskutim. Dakordësimi politik do ta mbështesim me 20 votat tona dhe atë që Euralius dhe Opdat, do të na sugjerojnë do të shërbejnë për zgjidhjen e tyre.

Gazetarja Anjola Hamzaj: Pyetja ka apo jo vullnet është kthyer në anën e kundërt të saj. Duket sikur nuk ka vullnet nga politika për këtë reformë.

Vasili: Unë jam këtu për të shprehur vullnetin politik dhe prokupacionin e madh për t’i dhënë zgjidhje, por edhe rrugën për të vajtur në zgjidhje për forcën politike që unë kam nderin të përfaqësoj. Besoj që keqkuptimet mund të kalohen.

Gazetarja Anjola Hamzaj: Është e nevojshme të ndërhynë sërish ndërkombëtarët siç është Byroja e Hetimit, varësia e saj?

Vasili: Edhe për Byronë e Hetimit kemi përgjigje nga Komisioni i Venecias. Propozimi është në tavolinë dhe eja ta votojmë. Ku do të gjejmë vlerësues të tjerë më të mirë dhe më të kualifikuar ku shtete me traditë qindra vjeçare i referohen Venecias.

Nënkryetari i LSI-së u shpreh se reforma në drejtësi quhet e mbyllur kur ajo është finalizuar.

Vasili: Reforma në drejtësi ndodh në momentin e finalizimit të saj. Në një vit e gjysmë janë konsumuar ide, janë prodhuar drafte. Është ndërtuar një bashkëpunim shembullor me Komisionin e Venecias, nuk ka pasur të dytë kaq intensiv dhe shterues. Në një kohë kaq të shpejtë të mundshme, Komisioni i Venecias ka dhënë një vlerësim shumë të gjerë të çdo elementi të dërguar atje për opinion.

Ky është momenti përfundimtar. Kemi në tavolinë disa ingredientë të rëndësishëm. Kemi një pjesë të mirë të çështjeve të reformës, të cilat kanë marrë një përgjigje shteruese. Komisioni i Venecias ka folur qartë, kjo është korrekte, kjo kërkon këtë zgjidhje, kjo meriton këtë pozicionim. Këtë institucion e kemi pranuar të gjithë dhe po të përdorim një term jo korrekt, ky është “Arbitër”, është një arbitër profesional dhe jo politik”.

Ai tha se Komisioni i Venecias ka kërkuar bashkëpunim politik për disa çështje, duke sjellë këtu rastin e mënyrës së zgjedhjes së gjyqtarëve me 3/5-t apo 2/3-at.

Vasili: Venecia ka thënë se ka edhe formulë me 2/3-at që është zbatuar në Hungari, por nuk ka funksionuar. Pra, duhet të gjejë dakordësinë politika. Venecia ka thënë se politika duhet të gjej dakordësinë, dhe në rast se nuk e gjen mazhoranca dhe opozita të propozojnë në raport me proporcionet e tyre politike.

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së tha se janë disa çështje për të cilat nuk janë gjetur zgjidhje ende dhe palët politike do të dialogojnë midis tyre. Nëse nuk gjendet dakordësi, ai tha se atëherë do të kërkohet ndihma e misionit të Bashkimit Evropian EURALIUS dhe atij amerikan OPDAT.

Vasili: Në rast se ne kemi vlerësime të ndryshime për opinionin e Venecias, atëherë na duhet një palë e paanshme. Atëherë kush do të ishte ndërmjetësi më i drejtë? Kemi EURALIUS dhe misionin OPDAT. Shumë e thjeshtë. Kemi 10 ose 11 pika që ne nuk mund të biem dakord. Mund të jenë 3 ose 4 pika që ne gjejmë dakordësinë në saj të dialogut politike.

Atëherë kur ne nuk gjejmë dakordësi përfundimisht, të gjitha palët duhet të pranojnë që këto misione të na japin opsionet e tyre. Kjo është një rrugë e kthjellët, që ruan paanshmërinë. Konsulenca është profesionale dhe debati shteron. Jashtë kësaj rruge nuk mund të ketë asnjë rrugë tjetër. Nuk mund të ketë asnjë rrugë të imponimit politik as rrugë të tërheqjes nga vullneti i fortë për ta bërë reformën.

SHKARKO APP