Vëllai i Aida Çajkut: Motrën e vrau sistemi

“Natë të gjatë dhe të dhimbshme”, të tilla i përshkruan peripecitë që iu desh të kalonte në spital vëllai i nënës 35-vjeçare  Aida Çajka, e cila humbi jetën bashkë me foshnjën e saj në bark, para katër ditësh në maternitetin ‘Koço Gloizheni”. 

***

A ka pasur komplikacione gjatë shtatëzanisë?

Për aq sa jam në dijeni nuk ka pasur asnjë lloj komplikacioni, shtatëzania ka qenë më se normale. Edhe komplikacioni që erdhi për ne para lindjes ishte diçka normale, meqë kishte mbaruar që me datë 10 nëntëmujorin prisnim të lindte brenda ditëve, kështu që nuk u shqetësuam shumë realisht. Ashtu sikurse nuk u shqetësova dhe unë shumë kur më morën në 11:00 të natësdhe më thanë hajde se jemi në spital.Prisnim të gjithë që ajo të lindte dhe kemi menduar se ajo dhimbje ishte para lindjes, asgjë më shumë.

Nga lindjet e mëparshme ka pasur probleme?

Absolutisht jo, e vetmja që gjë nuk na shqetësoi edhe me këtë rastështë që dy fëmijët e parë kanë lindur me një javë ose dy javë ekstra. Vajza ka lindur me dy javë ekstra, ishte një çikë dembele nuk doli në kohë.Por nuk ka pasur asnjë lloj problemi, kanë qenë lindje më se normale.

Çfarë ndodhi që e shoqëruat në spital, cilat ishin simptomat e para?

Me sa më kanë referuar, se në spital e kanë shoqëruar kunetërit, ka pasur të vjella dhe një dhimbje në pjesën e majtë të krahërorit.Kisha folur në mbrëmje nga ora 7-8 e darkës dhe nuk më tha se kishte ndonjë problem.

Në spital çfarë ndodhi?

Sa i përket hyrjes në maternitet më thanë se e kanë gjetur urgjencën të mbyllur, kanë pritur disa momente derisa është hapur.Ka ardhur një gjinekolog me një mjek roje.I kanë shoqëruar brenda. Pas disa momentesh u kanë thënë që mund të ketë komplikacione kardiake dhe duhet shoqëruar për në QSUT.Doktorin e pyeta nëse ka bërë ndonjë ekografi për të parë nëse fëmija ishte në rregull apo kishte ndonjë problem, më ka thënë që e ka bërë por akoma deri sot nuk më ka dhënë asnjë provë, imazhi ekografik.Nuk e kam parë akoma, më duhet ta shikoj që ta besoj se e kanë bërë.

E keni lëvizur me ambulancë nën prezencën dhe të mjekëve.

Nga një krevat spitali në një barelë, e më pas në ambulancë është transportuar nga ne vetë, nuk kemi pasur mjekë, infermierë ose asistent që ta lëvizinin. Është lëvizur nga njerëz të pakualifikuar për ta bërë, si unë, kunati i saj etj. E vërtetë është që ambulanca na ka shoqëruar dhe kanë qenë prezent mjekët, por nëse mjeku roje në njjë repart gjinekologjik lë gratë shtatëzënë që dyshoj të kenë forcën që të bëjnë spostimin fizik të një gruaje shtatëzënë dhe delikatesën që ta bëjnë këtë, realisht mua më duket shqetësuese. Kam dëgjuar se jo po ka funksionuar gjithçka, mjekët kanë qenë, personeli ka qenë, po unë nuk i pashë. Mbasë kanë qenë në ndonjë dhomë, duke pirë ndonjë cigare, duke folur në chat. Nuk e di unë se çfarë kanë qenë duke bërë.Por prezent për të spostuar motrën time nga një krevat në një barelë dhe pastaj në një ambulancë dhe e kundërta, por dhe tre herë të tjera.Nuk ka ndodhur nga ata , por nga ne familjarët. Dhe me tërë respektin, por ne nuk jemi të pregatitur për ta bërë.Tani që e mendoj më duket pak absurde që kemi qenë të detyruar ta bëjmë ne. Shkuam në QSUT, fola me doktoreshën e urgjencës, doktoreshë kardiake, më tha se dyshonin për probleme kardiake, i kishin bërë një ekografi kardiake dhe çdo gjë ishte në rregull, që është paraqitur në QSUT me një presion gjaku 5 me 4 dhe për të rritur presionin e gjakut i kanë injektuar dopaminë. Tani nëse ka pasur një hemoragji të brendshme, dopamina e ka përshpejtuar le të themi hemoragjinë.Ajo që mua më duket e gabuar është të injektohet një medikament përpara diagnozës specifike.Rregulli do që përpara të vendosësh se çfarë ke dhe pastaj të gjesh kurën.Jo e kundërta, të injektojmë njëherë diçka dhe pastaj të kuptojmë a ishte e duhura.Nëse ka një rënie të presionit të gjakut, rregulli do të kuptojmë pse po bie dhe më pas të mundohemi që ta ngremë.Se nëse ne e ngremë pa u shqetësuar fare pse ka rënë presioni i gjakut, unë nuk jam i fushës por më duket absurde të fillojmë direkt nga konkluzionet dhe pastaj të kthemi mbrapsht.

Ndërkohë gjendja e zonjës përkeqësohej?

Gjendja e zonjës ishte si ajo teoria e kaosit, mjafton që një flutur të përplasë krahët atje në Brazil dhe e ndjekur nga qerkostanca të tjera të shkaktojë një tornado në SHBA. Kështu vazhdonte dhe gjendja e zonjës.

Kur u rikthye në maternitet gjendja ishte shumë e keqe dhe u fut direkt në sallën e operacionit.

Jo aty jam në dijeni, nga QSUT deri në momentet e fundit të jetës së saj jam në dijeni se kam qenë përkrah.Nuk është e vërtetë që u fut direkt në sallën e operacionit.Nuk është e vërtetë që na kanë pritur dhe asistuar direkt, nuk është e vërtetë që ka pasur personel, nuk është e vërtetë që ka funksionuar sistemi.Kemi parkuar ambulancën përpara hyrjes së spitalit, kemi pritur, jemi futur brenda dhe na ka dalë një mjek roje na ka thënë urdhëroni.Pastaj ne po na shoqëronte doktoresha e senatoriumit, u mbyllën në një dhomë ata të dy dhe donin të më nxirrnin jashtë por nuk pranova.I ka shpjeguar që kemi një hemoragji të brendshme kështu që duhet ta transportojmë në reanimacion me urgjencë. Kemi dalë për ta transportuar në reanimacion me urgjencë, problemi ishte se nuk kishim oksigjen në katin e parë. Kemi pritur disa minuta derisa dikush ka zbritur nga kati tjetër për të sjellë oksigjen.

Diçka e çuditshme që unë kam vënë re në spitalet në Shqipëri është që mjekët komunikojnë njëri me tjetrin përmes celularit. Nuk e di sesi lejohet të kesh një celular në punë, ndërkohë që je mjek. Nuk di pse nuk kanë sinjalizues kur duhet të jesh i gatshëm 24 në 24.Këtu te ne nuk funksiononte kështu. Ne e bëjmë sistemin si na pëlqen ne, mjekët tanë komunikonin përmes celularit, nuk e di realisht pse e përdorin celularin por di që na u paraqit një aty në dalje me celular në dorë. Kjo është një nga pjesët e para që sistemi nuk funksionon realisht si duhet të funksiononte. Celularët nuk duhet të jenë në dorë ndërkohë që ti je mjek, duhet ti futësh në një raft aty siç ndodh në të gjithë botën. Komunikonin me celular, pas disa minutash zbriti oksigjeni, mund të kenë kaluar 25-30 minuta, keni kamerat e jashtme të spitalit që mund të shikoni sesa ka ndenjur aty ambulanca me dyer të hapura aty përjashta. Nuk është se duhet të më besoni mua, pavarësisht se mundohem të jem sa më objektiv dhe jo sentimental.Shikoni kamerat, provat i keni aty.

Do ta kuptoni sesa ne kemi pritur në hyrje dhe në dalje. Sepse nëse ne rrimë aty duarkryq në hollin e spitalit dhe në momentin që na zbret dikush me një bombël oksigjeni në dorë dhe në lëvizim menjëherë do të thotë se ne po prisnim atë dhe jo gjë tjetër.E morëm, shkuam lart, më nxorën jashtë se do bënin verifikimet e momentit. Po flisja me doktor Helidonin, më thotë se duhet një ekografi dominale. I thashë pse nuk e bën, ndërkohë që doktori më kishte thënë se e kishte bërë një ekografi dominale në momentin kur ishte paraqitur për herë të parë. Më tha nuk jam i aftë ta lexoj në detaje.I thashë po si, ti e ke lexuar njëherë. Këtu tha duhet më e detajuar dhe na duhet një ekograf. Në atë moment po fliste në telefon me Drejtoreshën Moisiu dhe i thotë merr kolegët në telefon të vinë këtu se është pak urgjente çështja. Dhe po ja specifikonte, nëse i merr ti të dëgjojnë më shumë se mua nuk më dëgjojnë. Unë nuk e kuptoj, aty nuk është çështje dëgjimi apo dëshire. Apo imponim autoriteti. Çfarë i bie të jetë një strukturë spitalore, një strukturë diktatoriale që zëri i dikujt vlen më shumë se i tjetrit, apo i bie që nëse ti nuk e ke zërin që të vlen i bie që pacienti që ke aty të vdesë?

Pse mjeku nuk është i gatshëm në moment, pse ekografi nuk është i gatshëm në moment, pse mjeku roje i natës nuk di të lexojë ekografinë në detaje?Duhet që dikush të ma japë këtë përgjigje. Nuk po them se e ka bërë me qëllim, që është injorant me qëllim, po them se ishte injorant në leximin e ekografisë me detaje, që e ka pranuar ai. Më akomodojnë përjashta, pres pak përjashta ndërkohë që më thirrin brenda, ky personazhi që erdhi me mungesën më totale të empatisë, më thotë shiko Fatjon e vogla ka ikur, le të shpëtojmë të madhen. Sikur bëhej fjalë për ndonjë radiator makine. Më thotë duhet të na japësh lejen që ta operojmë. I kam thënë, doktor më fal po foshnja kur vdiq? Ka ardhur e vdekur këtu brenda? Sepse nëse ka ardhur e vdekur brenda, simptomat e motrës sime janë si pasojë e vdekjes së fëmijës.

Më thotë nuk e di Fatjon po le të vazhdojmë. I thashë po si nuk e dini, më keni thënë që keni bërë një ekografi dominale kur është paraqitur në spital. Ku është, ta shikojmë pak si ishte fëmija?U thashë dakord, por a ja vlen që ta operoni? Donin ta spostonin prapë nga krevati në një barelë, u thashë jepni një qetësues.Jo thanë, ska gjë. U thashë dakord por mos e spostoni më në një barelë tjetër se është e dhimbshme. Dakord më thanë, u treguan humanë në atë rast dhe e shoqëruam me krevatin në të cilin ndodhej. Futemi tek dera e sallës së operacionit, hapim dy dyert. Pas derës së majtë në hyrje kishte kuti kartoni që pengonin hapjen e derës.Se kam parë të ndodhë një gjë e tillë në vend tjetër. Në hyrje të dhomës sterile pashë që kur hapej dera, doreza e derës nuk lejonte që të futej krevati, se është më i gjerë se barela. Nuk futej dot. Në atë moment u them një sekondë, se donin prapë ta spostonin në barelë.U detyrova ta ngre derën dhe ta lëviz.

Dola jashta, vazhdojnë operimin. Kaluan disa momente dhe unë shikoj një njeri që bënte lëvizjet e një mesazhi kardiak. Pasi kaluan disa minuta vura re se të gjitha u larguan nga salla. Salla e pritjes, nuk e di se pse është përballë me sallën e operacionit.Një që po pret aty mund të shikoj realisht që i afërmi i tij po hapet në dysh. U afrova dhe i thashë infermierës më thirr një doktor të dalë përjashta të më thotë se çfarë po ndodh.Pres disa minuta dhe i them dikujt tjetër trokit pak të më thërrasësh dikë. Më tha trokit vetë. Shkova, trokita, u thye xhami. E theu unaza, nuk e di. Ka diçka tjetër që nuk më pëlqen në këtë vend, pse duhet të ketë xhama në dyert e spitaleve?Në vende të tjera të botës nuk ka xhama në dyer e spitaleve se një përplasje dere shkakton një rënie xhami.Po nëse në atë moment po kalon një pacient sipër çfarë i bie të ndodhë?Pse duhet të ketë çelësa manulë nëpër dyer, po nëse humb?Ai në sallën e operacionit të mbetet aty derisa të vijë një zjarrëfikës?Si kuptoj.

Xhami u thye, hapa derën dhe u futa brenda në paradhomën, jo në pjesën e sterilizuar. Dolën tre doktorë, kemi biseduar në mënyrën më paqësore të mundshme dhe i sfidoj këdo qoftë nëse është ngritur zëri për një moment. Më kanë thënë, Fajtjon gjendja është shumë e rëndë. Doktor i thashë, sa mundësi ka të shpëtojë. Fajton janë minus, tha. I thashë çfarë po presim? Po presim një specialist të shpretkës që të vijë na thotë se çfarë po bëhet. I thashë po nëse mundësitë janë minus edhe Krijuesi të jetë nuk mund ti kthejë këto gjërat në plus. Po prisja dhe u futën sërish brenda. Erdhën disa policë, vjen një vajzë e re dhe më merr të dhënat e mia. Më drejtohet njëri: Çfarë ke ti, pse ke pirë të gjithë natën vjen të prishësh spitalin? I thashë zotëri nga e pe ti që kam pirë, më bëj një test alkooli para se të më gjykosh. Vinë dy të tjerë, më kapin për krahu dhe më shoqërojnë. I thashë zotëri më lër rehat se kam dy njerëz që po më vdesin brenda. Të marr një lajm se çfarë po ndodh dhe paraqitem vetë në komisariat.Ose rri këtu dhe më shoqëro pas.

Këtë nuk duhet ta harrojnë të dashurit tonë që do të vendosin nesër drejtësi mbi këtë çështje. Masa që merret ndaj një mjeku që gabon diagnozën apo anestezinë nuk mund të jetë thjesht një gjobë. Gjobën e marr kur kaloj limitin e shpejtësisë dhe jo kur bëj një vrasje. Pse një mjek nuk duhet të denohet siç dënohet një qytetar i thjeshtë. Më shoqëruan në polici.Kam ndjenjur 2 orë. Më merrnin në telefon të gjithë të shtëpisë dhe nuk dija çfarë tu thoja. Pas dy orësh më shoqëruan në spital, në holl gjeta 5 policë të tjerë. U thashë më thirrni një doktor të më konfirmojë diçka. Më thanë jo vëlla. Zbrita poshtë dhe ka qenë një i afërm i motrës sime që ma ka konfirmuar vdekjen.Nuk kam takuar akoma një doktor deri më sot që të ma ketë konfirmuar vdekjen.Pas kësaj jemi drejtuar në zyrën e zonjës Moisiu.

E pyeta, Drejtoreshë në këtë çështje do jeni pala denoncuese apo e denoncuar. Më tha do jem pala denoncuese, do denoncoj stafin tim. Nuk e di nëse e ka bërë apo jo. Kam dëgjuar që një individ që ne si popull shqiptar e kemi marrë në punë, që ka dhe titullin e Ministrit të Shëndetësisë, që është individ që ne shqiptarët i paguajnë shtëpinë, makinën, të ngrënin, veshjet e tij dhe të gruas, bizhuteritë e gruas, shkollën e fëmijëve të vet, çdo gjë që bën në këtë dynja ja paguajmë ne shqiptarët, del dhe pa pasur haberin më vogël mbi atë që ka ndodhur thotë se sistemi na paska funskionuar mrekullisht. Por sistemi nuk funksionon që nga momenti që ti ke tre reparte të ndara në tre zona të ndara. Sistemi nuk funksionon në momentin që ti nuk ke një strukturë polivalente, në momentin që një shofer ambulance të mbushur me oksigjen vjen duke pirë cigare dhe kur i thua hiq cigaren se ke një grua shtatëzënë thotë çfarë ke ti, nuk po ja hedh në surrat motrës tënde. Sistemi nuk funksionon në momentin që nuk ke oksigjenin kur pacienti futet në kontakt me spitalin.

Nuk e ke në katin zero por në katin e katërt. Sistemi nuk funksionon kur mjeku lëviz celular në dorë. Sistemi nuk funksionon kur mjeku i thotë Drejtoreshës zëri jot është më i lartë se i imi.Nuk janë hamendësime, por gjëra me të cilat jam përballur atë natë. Ka qenë natë shumë e gjatë. Nuk dua që të ngjall mëshirë, dua objektivitet nga gjithkush, edhe nga Urdhëri i Mjekëve.Nuk dua asnjë lloj partitizmi. Nuk po flas nga dhimbja, nuk po flas për dhimbje, por po flas me fakte. Duhet të jetë një histori objektive që gabime të tilla të mos përsëriten më, ose të limitohen.Të mos marrim përgjegjësi përsëipër që nuk i bëjmë dot. Nëse nuk je i aftë të jesh mjeku i duhur, mos u bëj mjek. Dikush duhet të paguajë qoftë për sistemin qoftë për gabimin njerëzor.Sistemet i bëjmë ne njerëzit, nëse i kemi bërë të gabuara, le të paguajmë. -‘dritare’.

SHKARKO APP