“Vota për LSI, votë për më shumë shërbime dhe punësim”
Flet kandidatja e LSI për Këshillin Bashkiak të Tiranës, Floida Kërpaçi
Kandidatja e LSI për Këshillin Bashkiak të Tiranës, Floida Kërpaçi, shprehet se vota e 21 qershorit është një mundësi e qytetarëve për të zgjedhur projektet dhe programet më të mira. Si një përfaqësuese e re në politikë ajo shprehet se LSI-ja është forca që ka kthyet në programe konkrete punimin dhe më shumë shërbime për qytetarët.
Jemi shumë pranë zgjedhjeve të ardhshme vendore. Këto zgjedhje janë cilësuar si mjaft të rëndësishme edhe në kuadrin e një reforme historike që është ndërmarrë si ajo Administrativo Territoriale. Si do të ndikojë kjo reformë në mendimin tuaj tek zhvillimi i bashkive të reja?
Reforma administrativo-Territoriale është vërtetë një reformë historike, e cili do të ndikojë në konceptimin, menaxhimin dhe mirëfunksionimin e bashkive të reja. Tashmë në të gjithë Shqipërinë do të kemi vetëm 61 Bashki, 61 administratorë të cilët do të jenë të ngarkuar me më shumë përgjegjësi përpara qytetarit për të punuar më shumë. Çfarë shoh më pozitive nga reforma e re është eliminimi i shumë burokracive që ekzistojnë aktualisht në organet e shumta të qeverisjes vendore dhe më e rëndësishmja është që do të ofrojë mundësi më të mira për të alokuar fondet sipas vizionit të zhvillimit të qyteteve e fshatrave, dhe kam besim se nuk do të kemi më zhvillim dhe investime të paorientuar drejt nevojave të qytetarit.
Një veçanti tjetër e këtyre zgjedhjeve do të jetë edhe barazia gjinore në këshillat bashkiakë. Çfarë mund të na thoni për këtë? Si do ta ndihmojë kjo politikën shqiptare por edhe zhvillimin ekonomiko-social të gruas shqiptare?
Gratë sjellin bashkëpunim, i njohin dhe i kuptojnë mirë problemet që përballen familjet shqiptare sot. Unë kam besimin se përfaqësimi kaq i gjerë i grave në vendimmarrjen lokale, do të prodhojë politika që do të jenë më pranë qytetarit dhe nevojave të tij, por më e rëndësishmja është që vajzat dhe gratë në këshillat e ardhshëm bashkiakë do të jenë zëri i grave shqiptare, do të jenë mbështetëset më të mëdha të tyre për të rritur nivelin e arsimimit, punësimit, zhvillimit profesional, ekonomik e social dhe të integrimit të plotë në shoqëri.
Ju jeni kandidate për në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Çfarë do të thotë ky besim për ju?
Ky besim ka ardhur nga strukturat e Lëvizjes Rinore për Integrim dhe njëkohësisht falë mbështetjes shembullore që Lëvizja Socialiste për Integrim u jep të rinjve. Duhet thënë që LSI është një forcë politike e cila u hap dyert e mundësive të rinjve dhe të rejave për të qenë përfaqësues në vendimmarrje. Ky besim për mua është vlerësim po aq sa është përgjegjësi. Tashmë e ndjej veten më të përgjegjshme në bisedat që bej më bashkëmoshatarët e mi, sepse pas 21 qershorit pikërisht ngritja e zërit dhe propozimi konkret i zgjidhjeve së problematikave të rinise do të jenë detyrat e mia kryesore në Këshill. Detyra ime në këshill do të jetë për më shumë shërbim dhe punësim për rininë. Ky është lajtmotivi i punës time në çdo ditë të pjesëmarrjes time në politikë. Kjo është detyra e të gjithë bashkëmoshatarëve të mi të cilët do të jenë pjesë e këshillave bashkiakë në të gjitha bashkitë e vendit. Duke qenë pjesë e Këshillit të Bashkisë së Tiranës, mundësitë për ta çuar përpara këtë mision do të jenë më të mëdha e reale.
Lëvizja Rinore për Integrim do të ketë një përfaqësim të jashtëzakonshëm në listat e LSI-së për këshillat bashkiakë në të gjithë vendin. Por në Tiranë LRI ka 39 nga 61 kandidatë. Pse gjithë ky besim?
Ky besim është njëkohësisht prodhim i mbështetjes që Lëvizja Socialiste për Integrim do t’i ofrojë rinisë si dhe punës së palodhur që në të rinjtë e Lëvizjes Rinore për Integrim bëjmë çdo dite. Shqipëria është e të rinjve dhe të rinjtë do ta kenë në dorë të ardhmen e këtij vendi, dhe misionin për ta bërë Shqipërinë më të mirë. Lëvizja Socialiste për Integrim beson se përfshirja e të rinjve dhe të reja në politikë e bën politikën më të mirë. Ju e thatë edhe në pyetjen tuaj që Lëvizja Rinore për Integrim ka një përfaqësim të jashtëzakonshëm në listën e kandidatëve për Këshillin Bashkiak të Tiranës. Pothuajse 60% e listës është me të rinj dhe të rija. Pra janë 39 të rinj energjik, më ëndrra për të ardhmen e më vullnetin për të bërë më shumë. Prandaj ne themi që vota për Lëvizjen Socialiste për Integrim më 21 qershor, pra vota për numrin 47, është vota për rininë.
Çfarë peshe kanë të rinjtë në politikën shqiptare sipas jush? A është kjo peshë në nivelin që kërkohet?
Unë besoj te forca e rinisë. Besoj te rinia që ka ëndrra, ka shpresë, ka dëshirë për më shumë e që me vullnet bën çmos që të arrijë objektivat e veta. Ky është modeli i Lëvizjes Rinore për Integrim, fale punës sonë dhe mbështetjes së jashtëzakonshme që kemi nga lidershipi i Lëvizjes Socialiste për Integrim ne kemi arritur të bëjmë shumë për të rinjtë në Tiranë e në të gjithë Shqipërinë. Ka akoma shumë për tu bërë sigurisht, por LSI me të rinjtë këshilltarë që do të zgjidhen me votën e shqiptarëve më 21 qershor, do të ofrojë një shembull që besoj se duhet të ndiqet dhe nga të gjitha forcat e tjera politike për fuqizimin e rolit, ideve dhe potencialit të rinisë shqiptare.
“Më shumë shërbim dhe punësim” është slogani i Lëvizjes Socialiste për Integrim për zgjedhjet e 21 qershorit. Pse është zgjedhur ky slogan?
Zgjedhjet lokale janë për probleme lokale, për problemet e përditshme që kanë komunitetet. Ndaj “Më shumë shërbim dhe punësim” nuk është thjesht dhe vetëm një slogan por është lajtmotivi i punës sonë të përditshme në Lëvizjes Socialiste për Integrim. Më shumë shërbim dhe punësim do të jetë edhe objektivi i punës së përditshme të anëtarëve të ardhshëm në këshillat bashkiakë në Tiranë dhe në të gjithë vendin. Ne u ofrojmë qytetarëve shqiptarë atë çfarë kanë më shumë nevojë, më shumë shërbime cilësore dhe më shumë vende të reja pune.
Në programet e kandidatëve për kryetarë të bashkive të reja të vendit është vënë re një vëmendje e veçantë kushtuar projekteve konkrete për punësimin e të rinjve dhe grave e vajzave. Sipas jush, pse janë përqendruar më së shumti në këto dy grupe të mëdha shoqërore?
Punësimi është problematika më e madhe që vuajnë shqiptarët shqiptarë sot. Politikat konkrete për punësimin e të rinjve, vajzave dhe grave do të sjellin mirëqenie për familjet shqiptare. Duke folur për të rinjtë që i njoh më nga afër problemet e tyre, nevoja për politika konkrete për punësimin e tyre është emergjente. Kemi të rinj të diplomuar që në tregun e punës diploma e tyre nuk ka vlerë. Kemi të rinj që kërkojnë të marrin një profesion por që vuajnë nga mungesa e shkollave profesionale. Ndaj të rinjtë kane nevojë për politika konkrete për punësim, sepse rinia meriton më shumë.
Po përsa i përket garës në Tiranë. Pse qytetarët e Tiranës duhet të votojnë më 21 qershor për kandidatin e “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”, Erion Veliaj?
Vota për Erion Veliajn, është votë për drejtimin e duhur që duhet të marrë Tirana. Erioni është i ri, energjik, ka dhënë prova konkrete që di të punojë për rininë dhe për njerëzit dhe mbi të gjitha ai e ka një plan. Njerëzit duhet të votojnë programin në zgjedhje, atë kandidat më programin që do ta çoje qytetin në drejtimin e duhur. Drejtimi i duhur për Tiranën është kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Evropiane, është Erion Veliaj.
Cili është objektivi i Lëvizjes Socialiste për Integrim në këto zgjedhje në Tiranë. Si do të jetë përfaqësimi i ardhshëm i forcës suaj politike në këshillin e ardhshëm bashkiak?
Ne do të kemi një rezultat të jashtëzakonshëm më 21 qershor dhe përfaqësimi ynë në Këshillin Bashkiak të Tiranës do të jetë i gjerë dhe shumë cilësor. Objektivi jonë ngelet ajo çfarë thashë më sipër, më shumë shërbime dhe punësim për të gjithë të rinjtë e Tiranës, për gratë, për vajzat, për të gjithë qytetarët. Këshilltarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim do të përfaqësojnë në Këshillin e ardhshëm Bashkiak të Tiranës problemet e qytetarëve. Ne do të jemi krah tyre për zgjidhjen e problematikave që ato i shqetësojnë çdo ditë.
Intervistoi: Matea Cane