Haliti: Humbja e Kosovës në KiE, sikur të vinte Berisha

Kryetari i delegacionit të Kosovës në KiE, Xhavit Halili thotë në një intervistë se impenjimi i delegacionit shqiptar ka qenë maksimal për lobim, por fatkeqësisht beteja u humb për një votë. Sipas nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, nëse Sali Berisha do të kishte qenë në delegacion, rezoluta do të ishte miratuar sipas interesave të palës shqiptare.

E konsideroni si një humbje diplomatike të Kosovës vendimin e Asamblesë së KiE-së?

Nuk e besoj që është një humbje. Ne kemi një fitore sepse Kosovës i jepet mundësia që në mbledhjen e ardhshme të Byrosë të shqyrtohet statusi i Kosovës në Këshillin e Evropës. Nëse do ta konsideronim këtë humbje, unë dua të theksoj se nuk është humbje pikërisht sepse prej angazhimit të madh të dy delegacioneve, duke përfshirë këtu edhe zonjën Ermira Mehmeti e cila ka ardhur nga Maqedonia… Por që mungoi në votim… Në votim mungoi me të vërtetë, por faji nuk ishte i saji. I kishin nxjerrë biletën e kthimit një ditë para, dhe u desh të largohej. Ajo ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm edhe për mbledhjen e nënshkrimeve për amendamentet, por edhe për lobim. Ne kemi pasur një situatë 100%, në komunitetin politik muajin e kaluar ku janë votuar amendamentet e propozuara nga delegacioni i Serbisë. Kjo gjë ndryshoi fatkeqësisht, dhe ne nuk arritëm ta bënim numrin e duhur të votave, e veçanërisht për një amendament të rëndësishëm, tek çështja e kompetencave të UNMIK-ut në Kosovë, në raportet me Interpolin dhe Europolin, dhe ata e fituan për një votë. Kjo ishte gjendja. Sa i përket angazhimit të delegacionit të Shqipërisë, unë them që ka qenë si asnjëherë më parë, i dyanshëm. Së pari në Tiranë, jemi takuar bashkë me delegacionin e Shqipërisë, dhe kemi diskutuar për 2 ditë çështje të delegacionit që duhet t’i ngrinim këtu. Leskaj ka thirrur dhe ambasadorin e Kosovës dhe ka diskutuar me të paraprakisht për këtë çështje. Këtu kemi funksionuar si një delegacion i vetëm. Kemi pasur një mbështetje të fuqishme, ku veçanërisht e majta evropiane ka mbështetur amendamentet e sponsorizuara nga delegacioni i Shqipërisë. E djathta ka votuar në tërësi kundër amendamenteve tona.

Megjithëkëtë, Serbia ia ka dalë të miratojë amendamentet e saj. Cilët aleatë e lanë në baltë Kosovën? Ka një arsye gjeopolitike?

Nuk do të thoja që ishin aleatët ata që nuk na mbështetën. Problemi është që këtu në KiE, kryesisht vendimet merren sipas grupeve politike, ku grupet e majta marrin qëndrimet e tyre e të djathtat të vetat, pavarësisht se nga çfarë shteti vijnë. Në këtë rast, delegacioni i Kosovës nuk është anëtar me të drejtë vote, por delegacioni i Shqipërisë ka bërë të pa mundurën për lobim, angazhim, përpilim të amendamenteve, në biseda me delegacione të ndryshme. Ne kemi shkuar zyrë për zyrë dhe i kemi takuar shumicën e delegacioneve që pranuan të takohen me ne. Ne kemi takuar edhe ata që kanë votuar kundër nesh. Fatkeqësisht konsideroj që herët e tjera duhet të funksionojmë ne si delegacion i Kosovës më të organizuar dhe të jemi më në kohë të parashohim ngjarjet. Dua të përsëris që delegacionet tona nuk kanë qenë dy, por një i vetëm, dhe impenjimi i delegacionit të Shqipërisë ka qenë maksimal.

Pra, Kosova nuk ka rezerva për angazhimin e Shqipërisë?

Jo. Sikur të kishte ardhur edhe zoti Berisha, me siguri amendamentin për çështjen e UNMIK-ut e kishim kaluar sipas interesave tona.

“Shqiptarja.com”

SHKARKO APP