Xhelal Mziu: Kamza dhe Paskuqani do të votojnë për vazhdimin e ndryshimit
Xhelal Mziu është rikonfirmuar në unanimitet nga strukturat e degës së PD-së, nga kryesia e PDSH-së dhe kryetari Basha për të qenë kandidat për mandatin e tretë në krye të Bashkisë Kamëz, detyrë që e mban. Zoti Mziu vjen me një bilanc konkret para bashkëqytetarëve si dhe me projektet e së ardhmes që pritet ta zhvillojnë më tej Kamzën dhe Paskuqanin. Në një intervistë z. Mziu flet për rikandidimin, punën e tij 8-vjeçare si dhe shpalos projektet për një tjetër mandat. Ai numëron problemet me të cilat përballen banorët e njësisë së tij administrative fal keqqeverisjes së Ramës, beson në fitore, numëron pikat më të forta në garë dhe ka një mesazh për zgjedhësit.
Zoti Mziu, si e pritët besimin e kryetarit Basha për të rikandiduar për kreun e Bashkisë Kamëz dhe si do ta lexonit ju këtë besim ndaj jush?
Besimi i kryesisë së PDSH-së dhe kryetarit Basha për të më konfirmuar si kandidat në krye të Bashkisë së Kamëz, veçse një vlerësim, është më shumë një përgjegjësi e madhe, pasi më obligon jo vetëm për të ruajtur rezultatin e PD-së në Kamëz dhe Paskuqan, por edhe për ta thelluar më tej atë. Ky besim vjen edhe si vlerësim për punën time si kryebashkiak dhe kryetar i degës së PD-së Kamëz.
A mund të na bëni një bilanc të punës suaj në 2 mandate në krye të bashkisë Kamëz?
Realiteti flet për ndryshimet e mëdha të ndodhura në Kamëz, ku në 8 vite u investuan mbi 54 milionë euro. Jemi ndër qytetet e para që kemi mundësuar miratimin e planit urbanistik, u hartua dhe u zbatua sistemi i adresave dhe emërtimi i 505 rrugëve, janë asfaltuar mbi 140 km rrugë, janë ndërtuar 18 objekte shkollore (shkolla dhe kopshte) me standarde evropiane duke ndryshuar standard, ku kemi 30-32 nxënës për klasë nga 55-60 nxënës që ishin në vitin 2007. U rikonstruktuan të gjitha qendrat shëndetësore, është ndërtuar Pallati modern i Kulturës për të rinjtë dhe të gjithë qytetarët, është ngritur qendra e shërbimeve ndaj qytetarëve, One Stop Shop, më e mira në Shqipëri, e vlerësuar nga ndërkombëtarët si praktika më e mirë e qeverisjes vendore, është 3-fishuar numri i bizneseve, nga 600 në 1800, në të cilat u punësuan 10 mijë qytetarë. Të ardhurat e Bashkisë janë 10-fishuar krahasuar me 8 vitet më parë. Gjatë viteve të fundit janë punësuar 6 mijë të reja në kompanitë e huaja me fason, është ndërtuar stadiumi i qytetit dhe ngritja e klubit shumësportësh Kamza, u ndërtua palestra moderne e basketbollit në Bathore si dhe janë shtrirë 215 km rrjet të ujësjellës-kanalizimeve duke përmirësuar ndjeshëm furnizimin me ujë të pijshëm si dhe u mundësua çelja e fazës së parë të projektit të ujësjellës-kanalizimeve nga banka gjermane KfW, me vlerë prej 12 milionë euro, maj 2015. Kemi mundësuar dhe shtrirjen e rrjetit të furnizimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike 20 kv mbi 70% të popullsisë. Kamza sot është një qytet i pastër me makineri pastrimi bashkëkohore dhe kontejnerë të standardeve evropiane. Mundësuam shtrirjen e linjës së telefonisë fikse dhe internetit në gjithë territorin e Kamzës.
A keni punuar mbi një strategji zhvillimi?
Bashkia Kamëz ka bërë realitet atë vizion që ka përcaktuar në strategjinë e zhvillimit të Kamzës që në vitin 2008, që Kamza të ndryshojë me ritme po aq të shpejta sa edhe rritja e saj demografike. Sot pas 8 vitesh, jo vetëm kemi mbajtur premtimet, por kemi tejkaluar edhe ato parashikime, që dikujt i dukeshin të pamundura apo tepër ambicioze për Kamzën. Tetë vjet më parë, Bashkia Kamëz konsiderohej si një bashki që trajtohej si një partner i dobët, që mund t’i ofronin asaj vetëm disa ndihma humanitare, aq sa mund të mëkëmbej e të fillonte të ecte me këmbët e veta. Sot është shndërruar në një nga partnerët më potencialë e aktivë në marrëdhëniet me qeverisjen qendrore e vendore, me shoqërinë civile dhe organizmat ndërkombëtarë, duke fituar besimin e mbështetjen e tyre të plotë dhe duke bashkëpunuar me ta në projekte të rëndësishme zhvilluese. Investimet në 8 vite janë 11 herë më të larta se investimet e 9 viteve 1998-2006.
Cila janë problemet me të cilat përballen sot banorët Kamzës dhe Paskuqani?
Si të gjithë qytetarët e Shqipërisë, edhe banorët e Kamzës dhe Paskuqanit përballen me të njëjtat probleme, por ndoshta specifikisht kanë më shumë problematika. Papunësia është plaga më e madhe, me të cilën përballen banorët e Kamzës dhe Paskuqanin. Ndonëse nuk besuan në ndryshimin që do të sillte ky koalicion, pasi në vitin 2013 votuan PD-në, qytetarët e Kamzës dhe Paskuqanit po vuajnë keqqeverisjen “Rama”. Papunësia në radhët e tyre është rritur dhe për këtë ka ndikuar edhe bllokimi i lejeve të ndërtimit, të cilat gjeneronin vende pune. Sot qytetarët kërcënohen nga qeveria vetëm me burg. Burg, nëse do të ndërhyjnë të kryejnë ndonjë punim të shtëpia; burg për energjinë etj. Problem shqetësues në Bashkinë Kamëz është debia e energjisë elektrike. Janë më shumë se 90% e qytetarëve të cilët janë shpallur debitorë me një shumë që varion nga 5-30 milionë lekë të vjetra, duke i vendosur qytetarët e Kamzës dhe Paskuqanit në kushte shumë të vështira ekonomike. Unë jam dakord që të paguhet energjia, por shteti duhet të ketë prioritet qytetarin, jo ta dhunojë atë. Në Kamëz dhe Paskuqan ka ndodhur që është dhunuar qytetari. Së pari, jam për falje 100% të kamatëvonesave të qytetarëve; së dyti një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve në Kamëz dhe Paskuqan përballen me mbifaturime për të cilat u kërkohet të paguajnë, ku ka qytetarë që kanë vetëm një llambë në shtëpi e televizor dhe debia shkon në miliona lekë! Ata nuk e kanë konsumuar këtë energji elektrike, por janë të detyruar ta paguajnë. Kjo është e papranueshme. Familje të tëra sot janë pa energji elektrike. Nisma e qeverisë është antisociale. Nuk mund të vendosësh shtet ligjor, duke i lënë pa drita dhe duke i shpallur debitorë për periudhën të cilën ata jo vetëm që nuk e kanë konsumuar energjinë elektrike, por janë edhe në pamundësi për ta paguar atë. Ka ende zona ku furnizimi me energji elektrike është në kushte skandaloze ku qytetari ka blerë telin, shtyllën, transformatorin që asnjë prej tyre nuk është në inventarin e OSHEE-së, e ndërkohë që nga furnizimi mezi u skuqet llamba, tarifimi nga kompania është i njëjtë me atë që ka linjën 220 kv. Ky është një problem shumë i madh social sepse qytetarët e Kamzës dhe të Paskuqanit kanë bërë vetelektrifikimin e kësaj zone. U ndala në dy nga problemet më evidente, por sot çdo banor i Kamzës dhe Paskuqanit përballet dhe me një sërë problemesh si mungesën e ofrimit të një shërbimi cilësor shëndetësor, arsimor etj.
Përse kërkoni një tjetër mandat nga qytetarët?
Duke qenë se qyteti ndryshoi rrënjësisht në këto 8 vite dhe ne hodhëm bazat e këtij ndryshimi, duam të ngremë ndërtesën e së ardhmes. Kemi ditur që të vlerësojmë dhe të mbështesim shpirtin iniciator dhe gatishmërinë e qytetarëve për të ndryshuar jetën e tyre dhe duam të vazhdojmë të jemi pranë tyre. Kemi hartuar programe dhe projekte për vazhdimësinë, për të ardhmen, madje kemi siguruar edhe fonde të konsiderueshme për vënien në jetë të tyre, duke krijuar besueshmërinë dhe vlerësimin e merituar të qeverisë, donatorëve dhe institucioneve ndërkombëtare më prestigjioze.
Cili është vizioni dhe projekti juaj për një tjetër mandat?
Vizioni im për të ardhmen e Kamzës dhe Paskuqanit është përfshirja e qytetarëve në proceset vendimmarrëse dhe bërja sa më të dëgjueshëm zërin e tyre në qeverisjen vendore. Bashkia i ka dyert e hapura për këdo, një bashki të cilën qytetarin e sheh si një partner në zhvillimin e qytetit. Projektet për të ardhmen e Kamzës dhe Paskuqanit janë të shumta në fushat e infrastrukturës rrugore, ujësjellës-kanalizimeve, energjisë, arsimit, shëndetësisë, transportit, biznesit, punësimit, mjedisit, kulturës dhe sportit, rinisë dhe moshës së tretë si dhe ndihmës sociale. Të gjitha këto do të bëjnë realitet atë që ne kemi përcaktuar në vizionin për Kamzën dhe Paskuqanin, për të bërë atë një qytet plotësisht të integruar dhe me kushte jetese që i bëjnë qytetarët të jetojnë dhe punojnë me dinjitet ne qytetin e tyre.
Sa besoni në fitore dhe cilat janë anët tuaj më të forta?
Unë besoj në fitore. Këtë garanci më shumë ma japin takimet e përditshme që kam me qytetarët e Kamzës, të cilët kërkojnë të vazhdojmë së bashku ndryshimin, si dhe të Paskuqanit, të cilët presin një administrator, i cili do të sjellë ndryshime rrënjësore në infrastrukturë, siç ka bërë deri më tani. Avantazh imi në këtë garë është eksperienca 8-vjeçare në krye të Bashkisë, fakti se unë jam banor i kësaj njësie dhe si qytetar, por edhe kryebashkiak, kam jetuar me çdo hall dhe shqetësim të bashkëqytetarëve.
Mesazhi juaj për zgjedhësit?
Ju bëj thirrje të më votojnë mua dhe PD. Duke më votuar mua, keni votuar për njërin prej kush, keni votuar për Kamzën dhe Paskuqanin modern, për më shumë Urbanizim, Punë dhe Dinjitet, për vazhdimësinë e zhvillimit të dy qyteteve! Duke më votuar mua, keni votuar vazhdimësinë e përpjekjeve për një të ardhme më të mirë. Garanci për këtë janë premtimet e mbajtura, puna e bërë dhe përvoja ime në krye të Bashkisë Kamëz. Unë do të jem aty ku është nevoja juaj. 24 orë në shërbim. Të vazhdojmë së bashku për më shumë urbanizim, më shumë punësim e mirëqenie për fëmijët tanë!
Projektet në Kamëz dhe
Paskuqan për 4 vitet e ardhshme
– Do të asfaltohen të gjitha rrugët në çdo lagje
– Do të ndërtohen disa ura lidhëse me kryeqytetin
– Këto ditë fillon investimi prej 55 milionë euro për furnizimin me
ujë të pijshëm 24 orë në Kamëz e Paskuqan
– Do të ndërtohen shkolla, kopshte e çerdhe në çdo lagje
– Do të ndërtohet spital, qendra shëndetësore e ambulanca në çdo lagje
– Do të ndërtohet tregu agro-ushqimor në Kamëz e Paskuqan
– Do të ndërtohet pallati i sportit më i madhi në Ballkan
– Do të gjelbërojmë e ndriçojmë Kamzën e Paskuqanin
– Do të kemi shërbim urban të integruar dhe abone në linjat Kamëz – Paskuqan – Tiranë
– Do të hapim qindra e mijëra vende të reja pune për të rinjtë
– Do të ulim taksat, tatimet e tarifat
– Do të stimulojmë zhvillimin e biznesit
– Do të futen në skemën e ndihmës ekonomike të gjitha familjet e hequra nga qeveria dhe familjet e tjera në nevojë
– Do të falen të gjitha debitë për ujin, taksat e tarifa për çdo familje
– Do të sigurojmë bursa për studentë
– Do të stimulojmë nxënësit e dalluar
– Do të ndihmojmë fëmijët jetimë
– Do të rikthejmë dinjitetin e nëpërkëmbur nga ulja e nivelit jetik të familjes
– Do të rikthejmë shpresën për të ndaluar varfërinë dhe eksodin nga qeveria
– Do të rrisim imazhin dhe konkurrencën e qytetit tonë
– Dera e bashkisë do të jetë e hapur për qytetarët