Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla dënohet me dy vjet burgim për korrupsion

Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit la sot në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, duke dënuar me 2 vite burgim ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Gjykata e Shkallës së Parë e ka dënuar me 2 vjet burgim dhe 5 vjet përjashtim nga funksionet publike, zotin Llalla, pasi e gjeti atë fajtor për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”. Gjykata vendosi dhe konfiskimin e disa pronave të tij, të vëna paraprakisht nën sekuestro, përkatësisht 4 sipërfaqe toke, në 22 mijë metra katrore dhe 1 apartament në Durrës.

As në seancën e sotme zoti Llalla nuk ishte i pranishëm, ndërsa avokati i tij tha se ish-kryeprokurori gjendet në regjim spitalor. Avokati tha se vendimi ishte i padrejtë dhe se do të ankimohej në Gjykatën e Lartë.

Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, bëhet i pari zyrtar i lartë që dënohet për korrupsion nga Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Zoti Llalla është i pari ish-zyrtar i lartë nga Shqipëria, ndaj të cilit Departamenti Amerikan i Shtetit mori në vitin 2018 vendimin për t’i ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara. Në këtë listë u përfshinë ish-deputeti Tom Doshi, ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit Vanghush Dako e së fundi dhe ish-kryeministri Sali Berisha./VOA/

SHKARKO APP