“Ja hetuesit që më torturonin dhe përse e inskenoi Sigurimi Grupin armiqësor të Baldushkut ku unë isha…”. Dëshmia e zooveterinerit që u dënua 21 vjet burg
I ftuar në emisionin Memorie në Tv Scan të gazetarëve Dashnor Kaloci dhe Artjan Tepelena, Agim Hakcani me origjinë nga fshati Baldushk i Tiranës, tregoi se më 8 nëntor të vitit 1975, ditën që festohej 34 vjetori i themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare, në fshatin të tij ndodhi një ngjarje shumë e rëndë, pasi ngordhën 98 lopë të rracës hollandeze. Hakcani, në atë kohë vetëm 21 vjeç dhe me detyrë zooveteriner në stallat e lopëve të Kooperativës Bujqësore të Baldushkut, tregoi se ai personalisht menjëherë lajmëroi në telefon Kryetarin e Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Tiranës, Ndue Marashi, i cili mbërriti menjëherë në vëndngjarje dhe pas tij aty zbarkuan edhe shumë funksionarë të tjerë të lartë nga Tirana, si: Manush Myftiu, që në atë kohë ishte anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe sekretar i parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës, Pirro Dodbiba, ministër i Bujqësisë etj.
Po kështu bashkë me ta, sipas Agim Hakcanit, aty te kompleksi i stallave të lopëve të Baldushkut, mbërritën edhe shumë funksionarë të Ministrisë së Brendshme dhe Sigurimit të Shtetit, të cilët vetëm pas dy ditëve, do ta konsideronin atë si: “ngjarje armiqësore, sabotim, që ishte bërë me qëllim dhe lopët kishin ngordhur pasi gruri që ato kishin ngrënë, ishte i helmuar me zhivë”. Pas kësaj, vetëm dy ditë më vonë, më 10 nëntor 1975, filluan arrestimet, ku bashkë me Agim Hakcanin, përfunduan në pranga dhe prapa hekurave, edhe Rifat Daja, me profesion ndihmës mjek, vëllai i tij, Latif Daja, Nuri Allmuça, me profesion infermier, Bashkim Allmuça, kooperativist, Selman Balla, kooperativist, motrat Nadire Shima me profesion mamie, dhe Jemine Shima, mjelse te stallat e lopëve të Baldushkut, etj.
Hakcani tregoi se të gjithë të arrestuarit i’u nënshtruan torturave në qelitë e hetuesisë së Tiranës, (fillimisht te burgu “Mine Peza” dhe më pas te “Reparti 313”, i njohur si “Kaushi i Tiranës”), që të pranonin se ata ishin një grup armiqësor që në bashkëpunim me njëri tjetrin, kishin bërë disa mbledhje, deri sa kishin arritur të realizonin helmimin e lopëve. Po kështu ata akuzoheshin se para se të realizonin helmimin e lopëve, i kishin dërguar një letër anonime Sekretarit të Parë të Komitetit Qëndror të PPSH-së Enver Hoxha, duke e kërcënuar në fund të letrës, se: “Në rast se nuk do e ndryshosh këtë gjëndje, do hash kokrrën e ullirit”, (pra plumbin), etj. Hakcani tregoi para dy gazetarëve Dashnor Kaloçi dhe Artjan Tepelena, se gjatë asaj periudhe gati dy vjeçare që ai dhe të gjithë pjestarët e atij të ashtuquajturi “Grupi armiqësor sabotator i lopëve të Baldushkut”, që u mbajt në qelitë e hetuesisë së Tiranës, i’u nënshtruan një hetuesie mjaft të rëndë nga ana ana e hetuesëve: Kadri Ismailati, Dilaver Bengasi, Kosta Gazheli, Zamir Poda, Bujar Jazexhiu, Nustret Dautaj, Koço Josifi, Isa Halilaj etj.
Hakcani dëshmoi në studion e emisionit Memorie në Tv Scan, se ndaj tij personalisht janë ushtruar tortura çnjerzore nga disa prej hetuesëve, të cilët u ndërruan disa herë, si: Dilaver Bengasi, Dino Leli, Fahri Kraja, Kosta Gazheli etj. Hakcani tregoi se hetuesin e parë Dilaver Bengasi, e hoqën më pas, (sepse ai u ngarkua si si hetues me një ish-kryetar Kooperative që akuzohej si bashkëpunëtor i Ndue Marashit), dhe hetuesinë ndaj tij e vazhdoi Dino Leli, i cili edhe ditën e dasmës i shkoi në qeli dhe e torturonte, deri sa atij i binte të fikët dhe më pas i hidhte një kovë ujë për ta përmëndur. Kurse për hetuesin, Fahri Kraja, Hakcani tha se ndaj tij ushtroi vetëm dhunë psikologjike dhe nuk e preku me dorë. Hakcani tregoi se i vetmi hetues që u soll shumë mirë me të, kishte qenë Bujar Jazexhiu, i cili ndër të tjera në një moment i kishte thënë: “Po kush ka interes që ta prishi familjen tuaj të vëllezërve Bush”, (se Agimi kishte dhe gjashtë vëllezër të tjerë). Lidhur me këtë, Hakcani u shpreh: “Aq mirë u soll me mua Jazexhiu, sa unë mendoja se mo ai ishte provokator dhe në fund ai më tha: ‘Me mua nuk do shihesh më, por nëse ke gjë dhe nuk ma tregon, në qafë paç veten. Jo se unë do të nxjerr nga burgu, por do të mundohem të jap dënimin minimal, deri 10 vjet burg, pasi kjo akuzë nuk ka më pak”.
Hakcani mes të tjerash u shpreh se: “Në qoftë se ajo ngjarje do ishte ashtu siç ne akuzohehshin nga Sigurimi i Shtetit, unë do detyrohesha ta pranoja, pasi jo vetëm se nuk isha trim, por se nuk do i duroja dot tortuart gjatë hetuesisë. Ata më kërkonin që të tregoja shokët me të cilët kisha kryer aktin armiqësor për helmimin e lopëve, po ku t’i gjeja unë shokët kur nuk kisha shokë, se ajo gjë nuk ekzistonte fare dhe nuk kishte asnjë lloj grupi armiqësor”?! Hakcani tregoi se vetëm pas disa muajsh hetuesie ai e morri vesh se ishin arrestuar edhe pjestarët e tjerë të atij të ashtuquajturi “Grupi armiqësor sabotator”, pasi gjatë procesit hetimor, atë e pyesnin për lidhjet që kishte me secilin prej të arrestuarëve, ku pjesën më të madhe të tyre ai nuk i njihte dhe nuk i kishte takuar kurrë. Ai tregoi se gjatë procesit hetimor atë e ballafaquan me Rifat Dajën, i cili nën efektin e torturave, pranoi akuzat duke thënë se së bashku kishin kryer helmimin e lopëve. Hakcani tregoi se i vinte keq për torturat që i kishin bërë Rifat Dajës, por ai nuk e pranoi atë akuzë, pasi edhe sikur ai ta kishte pasur ndërmënd që të helmonte lopët, ai nuk mund ta bisedonte atë gjë me Rifat Dajën, vëllai i të cilit, Faiku, ishte oficer i Sigurimit të Shtetit dhe se te familja Daja, vinin për dreka dhe darka shumë nga udhëheqja e lartë e Tiranës, si Manush Myftiu, Ndue Marashi etj. Hakcani tregoi edhe për ballfaqimin me njërin nga të arrestuarit e tjerë, të cilin kur hetuesi e pyeti se si i kishin helmuar lopët, ai tha: “Nuk mbaj mënd, por ashtu siç e kam shkruar në proces-verbal siç ma ka kërkuar hetuesi i parë”, gjë e cila tregonte se i gjithë ai proces hetimor ishte i montuar nga Sigurimi i Shtetit.
Sipas Hakcanit, pjesa më e madhe e tyre i pranuan akuzat nga torturat që u bëheshin gjatë hetuesisë, duke filluar nga Refat Daja, që u akuzua si autor i letrës anonime në adresë të Enver Hoxhës. Hakcani tregoi në studion e emisionit Memorie në Tv Scan, se e gjitha ajo ishte e montuar nga Sigurimi i Shtetit, pasi jo vetëm që asnjë prej të akuzuarëve nuk kishte asnjë faj për sa kishte ndodhur, pasi lopët kishin ngordhur nga që gruri i farës që ato kishin konsumuar, ishte spërkatur me pesticide (lëndë helmuse) siç bëhej zakonisht dhe se të pandehurit nuk njiheshin fare me njeri tjetrin. Madje disa prej tyre vinin nga familje që ishin shumë të lidhura me pushtetin, siç ishte Refat Daja, vëllai i të cilit ishte oficer Sigurimi dhe në shtëpinë e tyre në Baldushk, vinin për dreka e darka, Manush Myftiu, Ndue Marashi etj. Hakcani tregoi se sipas asaj që i kishte thënë vite më vonë pasi kishte dalë nga burgu, Fadil Lami, (ish-funksionar i lartë partiak në vitet 1970-’80-të, që mbulonte fshatrat e Tiranës), gjatë periudhës gati dy vjeçare që “Grupi armiqësor sabotator i lopëve të Baldushkut”, mbahej në hetuesi, në Baldushk dhe fshatrat përreth shkonin natën oficerë të lartë të Sigurimit të Shtetit dhe hetuesisë, të cilët me prozhektorë, gjoja zbulonin vëndet ku “Grupi” kishte bërë mbledhjet dhe kishte vendosur për helmimin e lopëve në stallat e atij fshati.
Hakcani tregoi se atë gjë i’a kishin konfirmuar edhe disa bashkëfshatarë të tij që shikonin natën makinat e Ministrisë së Brendshme që vinin lart e poshtë rrugëve të fshatit me bujë për të bërë presion mbi popullsinë e asaj zone ku ishte zbuluar “grupi armiqësor”. Hakcani tregoi gjithashtu se atë gjë ia kishte konfirmuar edhe njëri nga hetuesit, i cili kur e kishte marrë në pyetje i kishte thënë të depononte edhe për mbledhjen që sipas tij kishin bërë te një përrua, ku kishi vrarë një gjarpër duke i shtypur kokën me gur dhe aty “grupi” ishte betuar se kush do të tregonte, do ja shtypnin kokën si atij gjarpëri.
Në fund të emsionit, i pyetur nga gazetari Artjan Tepelena, se për çfarë arsyesh Sigurimi i Shtetit e kishte sajuar dhe montuar atë “Grup armiqësor sabotator”, Hakcani tha: “Partia dhe udhëheqja kërkonin zbatimin e luftës së klasave dhe Sigurimi i Shtetit me ne do e zbatonte luftën e klasave në zonën e Baldushkut, që konsiderohej si fshati i Osman Balit. Gjatë zhvillimit të gjyqit, ne na akuzuan edhe si grup që kishim mbeshtetur grupin e Beqir Ballukt dhe mua personalisht, gjyqtari Andrea Varfi, më akuzoi se para arrestimit, kisha thënë se: “gjynah që e kanë arrestuar dhe pushkatuar Beqir Ballukun”. Në fakt, unë aty në gjyq në atë moment e mësova se e kishin pushkatuar Beqir Ballukun dhe në mënyrë instiktive e pyeta: Ouuu, pse e kanë pushkatuar Beqir Ballukun…?! Sipas meje, helmimi i lopvëe mund edhe të kishte qenë aksidental, për shkak se gruri që ato konsumuan mund të kishte qenë spërkatur me pesticide dhe grupi armiqësor i sajua për të shpëtuar Kryetarin e Kooperativës, Luan Shahu, ndaj të cilit binte përgjegjësia kryesore për atë që kishte ndodhur. Por atij nuk i hyri ferrë në këmbë, pasi vëllai i tij ishte me pozitë të lartë, deri në zv / ministër i Punëve të Brrndëshme, kurse motra e tyre, ishte gruaja e një prej antarëve të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe më pas antar i Byrosë Politike, deri në shëmbjen e regjimit komunist. Po kështu, njeriu që duhej të mbante përgjegjësinë kryesore për atë ngjarje, zooveterineri kryesor i Kooperativës Baldushkut, as nuk u thirr fare për atë që kishte ndodhur, sikur nuk ekzistonte. Kurse një tjetër nga më kryesorët që duhej thirrur dhe të mabante përgjegjësi, jo vetëm që nuk u thirr fare dhe s’i hyri gjemb në këmbë, por në vitin 1991 u zgjodh edhe deputet I Kuvendit Popullor”.
Në fund të emsionit Memorie, Hakcani tregoi për gjyqin ku u dhanë dy dënime me vdekje, ku Rifat Daja e Nuri Allmuça u ekzekutuan dhe eshtrat e tyre ende nuk janë gjetur akoma dhe sot e kësaj dite, ndërsa për mjelsen Jemine Shima, tha se vdiq gjatë vuajtjes së dënimit në burgun e Kosovës së Lushnjes. Kurse ai vetë u dënua me 21 vite burg, të cilat i vuajti në kampin e Spaçit, nga ku u lirua vetëm në vitin 1989, si rezultat i uljes së dënimit nga disa amnisti. Hakcani tregoi se gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit në kampin e Spaçit, aty kishte bërë një inspektim një mjek i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i qujajtur Bujar Zhgaba, e cili në koefidencë, i kishte treguar se ish-hetuesi i tij, Bujar Jazexhiu, kishte përfunduar si Refat Daja dhe Nuri Allmuça, (kishte vdekur gjatë torturave), pasi ishte arrestuar nga Sigurimi i Shtetit.
I pyetur nga dy gazetarët se pas viteve ’90-të a kishin tentuar të hapnin një proces gjyqësor për të marrë pafajësinë për atë që u kishte ndodhur dhe nëse kishte pasur rastin që të takohej gjatë këtyre viteve me ish-hetuesit e tij, apo me të tjerë persona që kishin pasur gisht në atë ngjarje, Hakcani u shpreh: “Ku ta kërkonim ne pafëjësinë?! A mund të kërkosh në komunizëm që të dënohen fajet dhe krimet e komunizmit?! Unë shkova njëherë për të marrë një dokument që më duhej, dhe te stafi i ngushtë ministrit Petro Koçi, gjeta ish-hetuesin tim? Disa vite më para se të vdiste, nëpërmjet një mikut të përbashkët, më kërkoi takim ish-Kryetari i Kooperativës Baldushkut, Luan Shahu, por unë nuk pranova, duke i thënë se: Luani do kishte bërë mirë që të vinte në Baldushk, pasi nuk isha akuzuar vetëm unë, por i gjithë fshati. Por Luani nuk erdhi, duke thënë atij se: ‘nuk vij dot atje, pasi Baldushkut i kemi shumë borxhe’. Ndërsa hetuesin tim Dilaver Bengasi, kam mundësi ta takoj çdo ditë, pasi e kam komshi, por nuk dua, se ja kam lënë zotit. Unë dola i gjallë nga kjo histori dhe jam mire, se kam krijuar familje dhe jetoj i qetë edhe pas gjithë atyre vuajtjeve në hetuesi dhe në burg. Por më vjen keq për shumë nga pjestarët e atij të ashtuquajturi grup armiqësor, që u pushkatuan apo vdiqën më pas pa e ditur sepse…”?! Tv Scan