Kandidate e PS në Roskovec, kryetarja Bufi: Puna që kemi bërë deri tani garanton fitoren time! Bujqësia dhe turizmi, prioritet

Kryebashkiakja socialiste e Roskovesit, Majlinda Bufi e cila garon për një tjetër mandat, thotë se puna e bërë nga ajo deri më tani në bujqësi, infrastrukturë, pastrimit të qytetit është garanci për fitoren e saj. Bufi e vuri theksin e punës së bashkisë në sektorin e bujqësisë.

“Zhvillimi i bujqësisë në Roskovec është një nga arritjet tona më të mëdha. Sot në Roskovec prodhohen mijëra ton perime dhe 70% e tyre eksportohet jashtë vendit. Qytetarët gjithmonë e më shumë e kanë parë si mundësi reale rikthimin në Atdhe. Ujitja dhe kullimi është një nga elementët kryesorë që qytetarët e kanë parë si një mundësi shumë të mirë për investime në bujqësi, sidomos në sera. Deri në 250 hektarë sera është aktualisht në territorin e Roskovecit. Sa i përket 4 viteve të ardhshme mund të them se objektivi ynë është shndërrimi i bujqësisë nga prodhuese edhe përpunuese. Ne duam t’i mbështesim qytetarët e Roskovecit për një linjë përpunimi. Edhe mbështetja për kultivimin e ullirit është një pjesë shumë e rëndësishme e arritjeve tona”, tha ajo.

Kandidatja socialiste tha gjithashtu se në Roskovec arrihet pastrimi i 100% i territorit të Bashkisë. Ajo e vuri theksin edhe në aspektin social të punës së bashki. Bufi tha se prioritet ka qenë rritja e cilësisë së jetës së komunitetit rom, e cila sipas saj është përmirësuar ndjeshëm. Në fund Majlinda Bufi tha se kthimi i Roskovecit në një destinacion turistik është një ëndërr që do të bëhet realitet.

SHKARKO APP