Kërcënimet e Iranit, Rama: Shqipëria nuk është e ekspozuar direkt

Kryeministri Rama në një bashkëbisedim me gazetarët në Vjenë ka folur për kërcënimin që mund t’i kanoset Shqipërisë nga Irani për shkak të aleancës së saj me SHBA. Shqipëria ka strehuar muxhahedinë të përndjekur nga regjimi iranian, por Rama thotë se kjo çështje nuk është në raport të drejtpërdrejtë me Shqipërinë, por ai shton se Shqipëria është në kontakt me aleatët strategjikë si dhe deklaroi se aleanca me SHBA është e panegociueshme.

“Së pari, kjo është një temë dhe një çështje që nuk është e re për ne në raport me Iranin. Kemi marrë një veprim që i bën nder Shqipërisë që është në vazhdën e traditës shqiptare. Një aleancë strategjike të panegociueshme me SHBA për të mikpritur dhe hapur dyert një grupi njerëzish që janë në rrezik për jetën si dhe në marrëveshjen e bërë ata janë në Shqipëri në vazhdën e një misioni humanitar. Ne kemi jetuar në diktaturë dhe e dimë shumë mirë si veprojnë diktaturat dhe sa janë të observuara për të kontrolluar gjithçka, për të asgjësuar çdo kundërshtar në gjithë globin. Shqipëria diktatoriale ishte vend shumë i vogël me resurse minimale përballë Iranit të sotshëm dhe kishte një kundërspiunazh të jashtëzakonshëm që vepronte në gjithë territorin dhe eliminonte ‘armiqtë’ e vendit. Kjo nuk ekspozon në mënyrë të posaçme Shqipërinë, dhe nuk kemi pse të besojmë këtë sepse jemi në kontakt permanent me aleatët. Kur bie puna te derigjenca jemi në duar të sigurta sa i përket. S’kemi arsye objektive që ka një ekspozim të veçantë por jemi të angazhuar në përditshmëri për këtë proces”, tha Rama

Gjatë ditës së sotme, udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, ka reaguar pas sulmit me raketa ndaj dy bazave amerikane në Irak, ku kryefjalë ishin akuzat dhe paralajmërimet ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës por dhe ndaj vendeve të tjera aleate të saj, siç është Shqipëria. Krahas akuzave për SHBA, ai ka përmendur edhe “një vend të vogël, por shumë djallëzor europian”, duke iu referuar Shqipërisë, por pa e përmendur me emër.

Lexoni edhe…

SHKARKO APP