Kërcënimi i Iranit, Rama: Nuk kontribuojmë me raketa dhe bomba. SHBA pranë Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama, i ndodhur në Vienë, tha se nuk është surprizuar nga deklarata e liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei, i cili e quajti Shqipërinë “një vend të vogël dhe të keq”, për shkak të strehimit të mbi 3000 anëtarëve të opozitës iraniane (MEK). Në një intervistë për Top Channel, ai tha se vendi ynë nuk kontribuon në aleancën me SHBA-në me raketa dhe bomba por nëpërmjet operacionit humanitar për strehimin e muxhahedinëve.

“Nuk jam fare i surprizuar nga deklarata në fjalë. Shqipëria ka bërë atë që duhet në respekt të traditës së saj, në respekt të faktit që jemi aleatë strategjikë të SHBA dhe nuk jemi kontributor në këtë aleancë të madhe me raketa apo bomba, por jemi kontributorë në ofrimin përmes një operacioni humanitar, të strehës për një grup njerëzish të kërcënuar me vdekje nga një regjim diktatorial”.

Kreu i qeverisë qetësoi qytetarët sa i përket sigurisë së Shqipërisë, duke theksuar se SHBA është shumë e angazhuar në këtë aspekt. “Sa i përket aspektit të sigurisë, kemi qenë dhe jemi ngushtësisht të koordinuar me SHBA. Gjithnjë ka një shqetësim kur bëhet fjalë për t’u gjendur në situata kur shqetësohet një diktaturë, sidomos një diktaturë si ajo e Iranit. Ka momente jo vetëm kur duhet të marrim, por edhe të japim. U them të gjithë shqiptarëve që nuk duhet të ketë asnjë shqetësim dhe SHBA-të janë shumë të angazhuara në sigurinë e vendit tonë”.

SHKARKO APP