1 vit e 1 ditë nga vendosja e taksës, çfarë fitoi dhe çfarë humbi Kosova!
Fiks, dje një vit, Qeveria e Kosovës, në krye me Ramush Haradinajn, iu kundërpërgjigj fushatës së Serbisë për heqjen e njohjeve, përmes ekonomisë, duke i vendosur Taskën 100 % ndaj produkteve.
Ky vendim do të bëhej për një vit, ndër çështjet më të diskutuara si nga faktori ndërkombëtar, ashtu edhe nga vet Serbia, ku Aleksander Vuçiç kërkon nga Kosova heqjen e taksës, për t’i hapur rrugë dialogut.
Por, njohësi i fushës së ekonomisë, Naim Gashi, thotë se taksa e vendosur ndaj produkteve të Serbisë e ka ulur nën 1% importin nga Serbia, por Kosova vazhdon të ketë bilanc negativ tregtar me botën e jashtme për faktin se importet nga Serbia nuk janë zëvendësuar me prodhim vendor por kryesisht me import nga vendet e CEFTA dhe vendet tjera.
“Vendimi i Qeverisë për vendosjen e taksës kundër prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjës, fillimisht është cilësuar si i drejtë për shkak të agresionit të vazhdueshëm të Serbisë kundër Kosovës. Në vend se të sillej si agresor dhe përgjegjës për vrasje dhe shkatërrime, Serbia edhe 20 vite më pas po përdor politikë armiqësore kundër Kosovës, në të gjitha fushat. Por Qeveria Kosovës, në vend se të vazhdojë masat e reciprocitetit me Serbisë, ajo e përdori tarifën për të mbuluar aferat dhe skandalet korruptive. Çdo akuzë për keqqeverisje dhe abuzim enorm të parasë publike, Qeveria mbulohej me tarifën kundër prodhimeve të Serbisë. Si pasojë e tarifës çmimet u ngritën dhe u ulë standardi jetësor i popullatës dhe kjo vërtetohet edhe në të dhënat e BQK-së”.
Gashi thotë tutje se nëse marrim parasysh importin galopant, mbi 3 miliardë euro në vit, kjo na tregon se prodhuesit vendorë nuk kanë mundur që të mbulojnë hendekun e mungesës së mallrave tjera, dhe në këtë mënyrë është dashur që të kërkohen tregje tjera me çmime më të larta.
Ai flet edhe premtimet e Vetëvendosjes dhe Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me taksën, nëse të njëjtit arrijnë ta formojnë qeverinë.
“Dy partitë e opozitës, fituese të zgjedhjeve, kanë premtuar anulimin e tarifës dhe vendosjen e reciprocitetit të plotë me Serbinë. Në këtë mënyrë ulet presioni ndërkombëtar ndaj Kosovës dhe bartet presioni në Beograd për shkak të luftimit të ashpër që i bëjnë shtetit të Kosovës, sidomos në aspektin e tërheqjes së njohjeve dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Pas vendosjes së reciprocitetet SHBA dhe BE do të bartin presionin në Beograd për të ndaluar fushatën agresive kundër Kosovës në fushën e njohjeve dhe do të kërkojnë politika fqinjësore në pajtim me standardet ndërkombëtare”.
Në anën tjetër, ekonomisti Lulzim Beqiri, mendon se taksa e vendosur para një viti ndaj Serbisë, ishte e domosdoshme dhe se nga kjo kanë përfituar edhe kompanitë kosovare, duke rritur kështu kapacitetin e prodhimit, ani pse ende shumë produkteve serbe janë të pranishme në tregun tonë.
“Tarifa e vendosur nga Republika e Kosovës, ndonëse në kundershtim me rregullat e CEFTA-së, ndaj produkteve serbe dhe boshnjake është vendim goxha i diskutueshëm sa i përket shkeljeve ndërkombëtare të marrëveshjeve me karakter ekonomik, mirëpo shikuar nga aspekti i ofensivës së shtetit serb karshi Kosovës mendoj se kjo masë ishte e domosdoshme, prandaj shikuar në aspektin ekonomik kompanit kosovare kanë përfituar nga tarifa duke i rrit kapacitetet e prodhimit dhe të hyrat e tyre, shqetësuese mbetet situata e prezencës së produkteve serbe në sasi kaq të mëdha edhe pas shumë muajve nga vendosja e tarifës, pra efekti i taksës nuk ka arritur siç pretendon qeveria e vendit, nuk ka mundësi që bizneset të kenë pasur stoqe në kaq sasi të mëdha.
Prandaj, i vetmi dyshim që kam është se ato produkte janë kontrabandë me letra, pra, dikush nga institucionet e vendit ka gisht në legalizimin e mallrave, ose edhe siç jemi të informuar që segmente të sigurisë konkretisht pjesëtarë të Policisë së Kosovës e ndihmojnë këtë kontrabandë, kjo bazuar edhe në arrestimet e fundit të pjesëtarve të policisë së Kosovës”.
Beqiri thotë se shikuar në aspektin ndërkombetar Kosova ka stagnuar në arenën ndërkombetare duke u bërë qendër e kritikave nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian si pasoj e taksës, pasi që ajo u ka shkaktuar shumë dëme enorme këtyre shteteve.
“Vënia e tarifës i ka shkaktuar dëme enorme këtyre shteteve, Serbia ka humb rreth 99% të tregut, nga 440 milionë euro sa kanë qenë imporet nga Serbia, ka rënje drastike vetem në 4 milionë euro, ndonëse përqindja e tregut të Kosovës nuk e kalon edhe shifrën e 3% -shit, sido që të jetë ka efekte pozitive, por edhe negative nga vënia e tarifës. Si përfundim mendoj se efekti i taksës i ka dhënë frytet e veta sipas të dhënave zyrtare është rrit numëri i të punësuarve dhe janë rrit edhe investimet edhe të hyrat, pra efekt pozitiv në ekonominë vendore e në anën tjeter dëmtim të imazhit të Kosovës në arenën ndërkombetare”./Indeksonline/