10 persona të dyshuar me koronavirus në Kosovë, rezultatet dalin ditën e sotme
Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, aktualisht janë mbi 10 persona të cilët dyshohen se janë të prekur me koronavirus.
Infektologu në Klinikën Infektive, Valbon Krasniqi, bëri të ditur se rezultatet e këtyre pacientëve pritet të dalin gjatë ditës së sotme.
“Janë mbi 10 persona të cilët kanë ardhur pasditen e të enjtes, mostrat u janë marrë dhe sot pritet të dalin rezultatet. Gjendja e përgjithshme e tyre është e mirë, çdo pacientë ka histori të ndryshme të cilët mund të jenë prekur nga coronavirus”, deklaroi Krasniqi.
Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë, ka njoftuar se që nga data 08.02.2020 deri me 12.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, kanë testuar gjithsej 93 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe të gjitha kanë rezultuar negative.
IKSHPK, thekson se nuk ka vend për panik, por për kujdes të shtuar duke përsëritur rekomandimet.