12-Vjetori i pavarësisë së Kosovës me festime dhe sfida
Prof. Lisen BASHKURTI –
Sot festohet 12-vjetori i shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës. Është një ngjarje, rëndësia e së cilës lidhet me fatet e popullit të Kosovës, por është një moment kthese me impakte edhe në historinë moderne të Ballkanit, të Evropës e të mbarë njerëzimit.
Shpallja e pavarësisë së Kosovës i dha fund një sundimi rreth 100-vjecar Serb mbi popullin shqiptar që banon prej mijra vitesh në trojet e veta të lashta, autoktone dhe autentike shqiptare. Pavarësia e Kosovës mbylli hartën e tarshëgimisë kolonialiste të dizajnuar dhe imponuar me forcë nga sistemet e periudhës imperiale dhe të diktuar nga luftrat Ballkanike dhe Botërore.
Pavarësia e Kosovës mbylli faqet e përgjakshme të shpërbërjes së dhunshme të ish -Jugosllavisë në fundin e shekullit 20-të dhe fillimin e shekullit 21-të. Ishte Kosova që u përball e para, por edhe e fundit me politikën nacionaliste dhe makinerinë ushtarake të Serbisë nën Milloshevicin dhe që me sakrificat, mundin dhe gjakun e saj shënoi triumfin e lirisë mbi diktaturën.
Shpallja e pavarësisë së Kosovës shënoi një kapitull të ri në Evropën e mbas shëmbies së Murit të Berlinit. E drejta e popujve për liri, pavarësi dhe vetëvendosje gjeti në aktin e pavarësimit të Kosovës mishërimin e saj më të lavdishëm. Mësimi që lind nga ky event, vlen për cdo popull e në cdo kohë.
Pavarësia e Kosovës shënoi një ngjarje me vlera të mëdha për Ballkanin. Ishte kjo pavarësi që mbylli kalvarin e urrejtjes etnike, fanatike, fetare, i dha fund kapitullit të luftrave dhe definoi hartën politike të re të Ballkanit, përcaktimi i së cilës mbylli ëndrrat aventuriste për dominime etnike, territoriale, politike dhe ekonomike të nacionalizmave të vjetër Serbomëdhenj në Ballkan.
Pavarësia e Kosovës cliroi energji lirie dhe paqeje në mbarë Evropën e mbas Luftës së Dytë Botërore. Me pavarësinë e Kosovës, Evropa rikonfirmoi vendosmërinë e saj për të vijuar projektin e një Kontinenti në liri, paqe, prosperitet dhe demokraci, duke mos u pajtuar me forcat regresive të trashëgimisë së vjetër Ballkaniko-Lindore.
Shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte një triumf ndërkombëtar i parimeve të mbrojtjes me cdo cmim e sakrificë të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut dhe të pakicave etnike përkundër shtypjes, resprezaljeve, patrimit etnik, genocidit dhe krimeve kundër njerëzimit të ndërmarra nga politika shtetërore diktatoriale.
Në triumfin e Kosovës së pavarur është mishëruar kontributi i përbashkët i popullit të Kosovës, demokracive më të konsoliduara sic janë ShBA, BE, NATO; është mbështetja e mbarë popujve të hapsirës Euro-Atlantike; është ndihmesa e cdo vokacioni progresiv shoqëror, komunitar apo individual i mbarë njerëzimit.
Kosova e pavarur është projekti më i rëndësishëm dhe më i sukseshëm i arritur nga komuniteti ndërkombëtar mbas rënies së Murit të Berlinit, shpërbërjes se BRSS dhe Jugosllavisë, pasi shënon triumfin e teorisë së paqes demokratike në rendin botëror, lartëson vlerat e demokracisë liberale mbi totalitarizmin e cdo forme e ngjyre, ndicon liritë dhe të drejtat e njeriut dhe pakicave etnike mbi cdo formë diskriminimi.
Ky 12-vjetor pavarësie e gjen Kosovës të gatshme për përballje me sfida të reja. Zgjedhjet e 6 tetorit 2019 krijuan një udhëheqje të re për Kosovën, sfidat e së cilës janë të brëndshme dhe ndërkombëtare. Qeveria Kurti dhe koalicioni VV-LDK kanë krijuar shpresa të mëdha në mbarë Kosovën, në mbarë shqiptarët e Ballkan e më gjërë.
Në rrafshin e brëndshëm udhëheqja e re e Kosovës duhet të adresojë ngritjen ekonomike dhe sociale të vëndit, duke luftuar vendosmërisht korrupsionin, krimin dhe nepotizmin. Në rashfin ndërkombëtar udhëheqja e re e Kosovës do të adresojë sfidën e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë për një zgjidhje të plotë e gjithëpërfshirëse dhe që do konkludojë mbi baza të njohjes reciproke.
12-Vjetori i pavarësisë së Kosovës e gjen popullin dhe udhëheqjen e saj me ngazëllimin e fitores dhe me angazhimin për përballje me sfida të reja. Gezuar dhe suksese Kosovë!