141 raste të reja me koronavirus në Kosovë, gjashtë viktima
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar të martën se gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë regjistruar edhe 6 viktima nga koronavirusi i ri.
Në bazë të 494 mostrave të testuara janë konfirmuar edhe 141 raste të të infektuarve, ndërsa sëmundjen COVID-19 e kanë mundur 219 pacientë.
Me këto shifra, numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 416, i të infektuarve në 11.686 ndërsa janë shëruar gjithsej 7.562 persona.
Aktualisht në Kosovë, raste aktive me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri janë 3.708 persona.
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar se në institucionet publike shëndetësore në Kosovë, aktualisht janë të shtrirë 544 pacientë, prej tyre 439 janë të infektuar me koronavirus dhe po trajtohen në klinika dhe spitale.
Në raportin ditor të SHSKUK-së është thënë se 19 pacientë janë në respiratorë, 22 janë duke u trajtuar me makinat e frymëmarrjes, CPAP, derisa 358 të tjerë janë me oksigjenoterapi./REL