40 mijë qytetarë hoqën dorë nga shtetësia e Kosovës
Mbi dyzetmijë shtetas të Republikës së Kosovës kanë hequr dorë nga shtetësia që nga viti 2009 e këndej, bëjnë të ditur zyrtarë nga Ministria e Punëve të Brendshme. Sipas të dhënave të katër vjetëve të fundit, mesatarisht në vit nga nënshtetësia e Kosovës janë liruar më shumë se 5,000 mijë qytetarë. tendenca e heqjes dore nga nënshtetësia ka shënuar rritje nga viti 2014.
Në vitin 2014 nga nënshtetësia e Kosovës kanë hequr dorë 5,158 persona, kurse më 2016, ky numër ka shënuar rritje në 5,871 persona. Sipas zyrtareve të Ministrisë së Punëve të Brendshme numri më i madh i atyre që kanë humbur shtetësinë e Republikës së Kosovës, vjen nga shtetasit e Kosovës që jetojnë në Gjermani.
Arsyet kryesore të heqjes dorë nga shtetësia janë marrja e shtetësisë së ndonjë vendi tjetër të Bashkimit Evropian, i cili nuk lejon dyshtetësinë për shtetas që nuk janë shtetas të Bashkimit Evropian.
Përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë konsiderojnë se një nga arsyet e lirimit të qytetarëve nga nënshtetësia e Kosovës dhe marrja e shtetësisë së një shteti tjetër, përveç tjerash, është edhe ngecja që ka shënuar vendi në zhvillimin e gjithmbarshëm, në veçanti atë ekonomik dhe kjo nuk është aspak një gjë e mirë.
Fajtore për këtë, është shoqëria në përgjithësi e Kosovës, e cila, ka dështuar në krijimin e një ekonomie të zhvilluar, që siguron mirëqenie më të mirë për qytetarët. Shoqëria civile pret që numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të botës, që do të heqin dorë nga nënshtetësia e vendit të tyre, të rritet në të ardhmen, për shkak se mundësitë që iu ofrojnë shtetet ku ata jetojnë, janë shumë më të mëdha nga çfarë ju ofron Kosova.