40 vite mësimdhënie, Tahiri: Pa arsimim, shoqëria nuk ecën përpara

Bedri Tahiri nga Vushtrria, i cili në janar mbush 40 vite në arsim, si profesor në gjimnazin “Eqrem Çabej”. Profesor Bedriu filloi të punojë në arsim në kohë të vështira për Kosovën. Në vitin 1980, kur kapi ditarin në duar, Kosova përballej me demonstrata të mëdha nga studentët shqiptarë që kërkonin më shumë të drejta në ish-Jugosllavi.

Profesor Tahiri rrëfen se kënaqësia që një mësimdhënës merr nga nxënësit kur ata mësojnë dhe janë aktivë, është e veçantë. ”Çdo vit e kemi praktikuar që me 7 Mars ta nxjerrim një numër të revistës shkollore, ose një libër të veçantë që quhet ”Vrulle Rinore”. Kënaqësia është e dyanshme. Unë i udhëzoj nxënësit dhe i edukoj aq sa mundem, por edhe frymëzohem prej tyre. Unë u ndihmoj të shkruajnë poezi, ata më frymëzojnë të shkruaj edhe unë, sepse kur e shoh që nxënësi është i interesuar, kënaqësia është e dyanshme”.

44 librat që mbajnë emrin e tij për autor janë kryesisht monografi për figurat e shquara të kombit, si Hasan Prishtina, Azem Galica dhe Adem Jashari. Marrja me krijimtari letrare për profesorin është ndihmesë në punën me nxënësit, edhe pse mësuesia është dashuria e tij e vetme profesionale. Për profesorin i cili së shpejti do të dalë në pension, shoqëria nuk ka ditur që arsimit t’i japë vendin dhe rëndësinë që i takon. “E shoqëria, pa një arsimim të mirëfilltë, nuk mund të ecë përpara”. Ai shpreson se brezat e rinj do të vazhdojnë të japin kontributin e tyre, aty ku brezi i tij, dita-ditës, po e dorëzon stafetën.

SHKARKO APP