448 policë të rinj në Kosovë, Kurti: Niveli më i lartë i detyrës

448 policë të rinj janë diplomuar në Kosovë. Kryeministri Albin Kurti, i cili ishte i pranishëm në ceremoninë që u mbajt këtë të premte, tha se policia po shton dhe forcon radhët e veta duke qenë në nivelin më të lartë të detyrës për sundimin e ligjit dhe ruajtjen e sovranitetit e integritetit të vendit.

Kurti theksoi se Policia e Kosovës shënon këtë vit 25 vjetorin e themelimit, duke promovuar vlerat më të mira të shoqërisë.

“Policia jonë po shton e forcon radhët e saj, duke qenë kështu në nivelin më të lartë të detyrës në zbatim të misionit të saj për mbrojtjen e qytetarëve, sundimin e rendit dhe të ligjit dhe ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës sonë.

Këtë vit Policia e Kosovës shënon 25-vjetorin e themelimit të saj, sikurse vendi ynë që shënon 25 vjetorin e çlirimit. Një çerek shekulli liri, një çerekshekulli shërbim me përkushtim për të gjithë dhe pa dallim. Ajo ka promovuar vlerat e mira të shoqërisë sonë dhe i ka thyer barrierat e padrejta që përkojnë me detyrën dhe shërbimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës”, u shpreh Kurti.

SHKARKO APP