A do të ketë kurajo Albin Kurti të kundërshtojë sot Minishengenin ballkanik?
Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti do të vijë sot në Tiranë, për herë të parë si kryeministër i Kosovës. Ashtu si dhe shumica e paraardhësve e tij në këtë detyrë, zoti Kurti nuk e ka thyer rregullin që vizitën e parë zyrtare si kryetar qeverie jashtë Kosovës, ta zhvillojë në Tiranë. Në axhendën e vizitës janë planifikuar takime me gjithë drejtuesit e shtetit dhe politikanët kryesorë.
Kështu kreu i qeverisë kosovare do të takohet me Presidentin Ilir Meta, Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi, kryeministrin Edi Rama, kreun e opozitës Lulzim Basha, kryebashkiakun Erion Veliaj dhe përfaqësues të tjerë të politikës në Tiranë. Vizita e Albin Kurtit në Shqipëri vjen në momentin kur raportet institucionale mes Kosovës dhe Shqipërisë janë më të tendosura se kurrë. Dy kryeministrat, Edi Rama dhe Ramush Haradinaj, disa vite më parë premtuan se do t’a çojnë në nivelin më të lartë bashkëpunimin mes dy shteteve shqiptare. Premtuan heqjen e kufijve, krijimin e komiteteve ndërqeveritare, marrëveshje për bashkëpunim strategjik, përfaqësim diplomatik të njëjtë dhe njehsimin e politikës rajonale dhe ndërkombëtare të dy shteteve. Pasi premtuan, dolën në foto duke bërë shqiponjën dhe e thërrisnin njeri-tjetrin vëlla, sot Edi Rama e ka hedhur në gjyq Ramush Haradinaj për shpifje.
Në historinë e dy shteteve, periudha e vitit të fundit do të mbahet mend si momenti kur kryeministri i Shqipërisë quan, pa pikën e drojës, gënjeshtar kryeministrin e Kosovën dhe injorantë gjithë klasën politike në Kosovë që kundërshton idetë e tij, dhe të Presidentit serb, për “Minishengenin ballkanik”. Kjo gjuhë e Edi Ramës dhe sulmet e tij me padi, akuza vijnë pas idesë së tij për krijimin e Minishengenit ballkanik me Serbinë, si dhe mbështetjes indirekte që i ka dhënë idesë së ndarjes së Kosovës, siç akuzon ish-kryeministri Haradinaj. Raportet e thyera personale mes Edi Ramës dhe Ramush Haradinajt, si dhe qëndrimi i kryeministrit të Shqipërisë për minishengenin me Serbinë, pa pëlqimin e Kosovës, i kanë përkeqësuar marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë edhe në nivelin shtetëror.
Ndaj vizita e Albin Kurtit sot në Tiranë nuk është thjesht takimi i radhës i kryeministrave të dy vendeve, por edhe momenti që do të përcaktojë se si do të ecin në të ardhmen raportet mes dy vendeve. Kundërshtitë e tyre publike kanë qenë më të forta në momentin kur Edi Rama pranoi të priste në Tiranë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe të nënshkruante marrëveshjen e Minishengenit, pa Kosovën. Albin Kurti i zgjedhur për kryeministër, por ende pa mandat, deklaroi në muajin nëntor se Edi Rama kishte hedhur hapa të gabuar me marrëveshjen me Serbinë. Sipas tij, marrëveshjet në rajon nuk nisin nga Serbia dhe Edi Rama duhet të kishte pyetur politikanët në Kosovë për nismën që do të ndërmerrte.
Sot qeveria e re e Albin Kurtit ndodhet para faktit të kryer. Edi Rama ka zhvilluar tre takime me Aleksandër Vuçiç, në Novi Sad, në Ohër dhe në Tiranë si dhe ka rënë dakord për hapjen e kufijve me Serbinë e krijimin e Minishengenit pa Kosovën. Kosova nuk u pyet, as dhe formalisht, nuk u ftua në takimin e Durrësit, vetëm pak ditë pasi Aleksandar Vuçiç kishte mohuar masakrat e serbëve në Kosovë. Me lëvizjet që bëri Edi Rama e ka vendosur Kosovën në pozitën e vështirë, ku duket sikur është Prishtina ajo që refuzon dialogun dhe jo Serbia. Kur në fakt kërkesa e Kosovës është se me Serbinë mund të dialogojë pasi të pranojë realitetin e ri dhe ta njoh si shtet. Parimi i reciprotetit duket një shtysë elegante e Kurtit për t’ia lenë në derë Serbisë fajin e mos heqjes së taksës 100 %, nëse Beogradi nuk njeh shtetin e Kosovës. Por sot, do apo nuk do kryeministri Edi Rama, minishengeni do të jetë temë kryesore e raporteve mes Shqipërisë dhe Kosovës. Rama, sigurisht që do të mbajë qëndrimin e njohur që e prezanton këtë projekt si një kërkesë të ndërkombëtarëve dhe pjesë e integrimit në Bashkimin Europian. Ndërsa Albin Kurti ndodhet para sfidës së parë si kryeministër, nëse do të pranojë të ndjekë lojën e Aleksandër Vuçiç dhe Edi Ramës në rajon, apo do t’i qëndrojë korrekt deklaratave të mëparshme që kundërshtonte Minishengenin, në formën që është aplikuar deri më sot.
Sot do të kuptohet nëse kemi një kryeministër kosovar me parimet e Albin Kurtit në opozitë apo një kryeministër, të cilin e zapton karrikja, duke harruar premtimet dhe parimet me të cilat ai erdhi në pushtet.
Edhe një gjë duhet të ketë kujdes kryeministri kosovar: Kujdes nga kryeministri Rama, pasi është mjeshtër për ta shfrytëzuar tjetrin, kur ka nevojë dhe e flakë sapo kalon “lumin”, siç bëri me Ramush Haradinaj.
Mbetet të presim deri në mesditë! /Q. Xhani/