A i lejohet Vjosa Osmanit që të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme?
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese në Kosovë, Kadri Kryeziu thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e qeverisë Hoti ishte shumë cilësor. ”Unë e pashë mbrëmë vendimin dhe vendimi është shumë cilësor, janë konsultuar të gjitha aktet normative të republikës së Kosovës”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, Kryeziu sqaroi se politikanët apo personat që janë dënuar me vendim të formës së prerë nuk mund të kandidojnë në zgjedhje, 3 vite para se të jetë marrë ky vendim. ”Personat që janë të dënuar me vendim të formës së prerë nuk mund të kandidojnë për 3 vitet e ardhshme”, tha ai.
Sa i përket presidentes në detyrë, ai tha se Vjosa Osmani mund të kandidojë në zgjedhje dhe kjo parashikohet edhe në ligj. ”Edhe kjo është e rregulluar me një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Kur jemi në mungesë të presidentit të shtetit këtë detyrë e merr kryetari i parlamentit dhe gëzon të gjitha kompetencat të cilat i ka një president, të garantuara me kushtetutë. E ka vetëm një privilegj, ushtruesit i detyrës ka të drejtë të merret me politikë dhe të jetë konkurrent në garë për parlamentin e Kosovës. Osmani ka kohë dhe kjo është e rregulluar me ligj”, u shpreh ai.