A mund të bëhet Leku, monedhë zyrtare e Kosovës? Guvernatori i Bankës i jep fund dilemës, ja çfarë thotë

Është thënë disa herë se Kosova mund të bëjë si valutë zyrtare Lekun e Shqipërisë. Madje, lideri i Vetëvendosje Albin Kurti, që drejtoi qeverinë për disa muaj, pati thënë Kosova do të heqë dorë nga Euroja dhe si valutë të përdoret Leku. Për këtë çështje ka dhënë një përgjigje guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti. Ai ka treguar se a mund të ndodhë kjo.

Kosova dhe Shqipëria, njihen si dy shtete vëllazërore dhe se qytetarët e këtyre dy shteteve i ndanë veç një kufi formal. Mirëpo, shtetet vëllazërore kanë edhe një dallim mes tyre. Kosova dhe Shqipëria nuk e përdorin paranë e njëjtë.

Shqipëria tash e shumë vite e ka paranë e vet, Lekun. Kurse, Kosova që nga viti 2001 përdor Euron, derisa vite me parë qytetarët e Kosovës kanë përdorur valutën tjetër Marka. E gjatë vitit të kaluar ishte hedhur ideja që Kosova të heq dorë nga paratë e tjera dhe si valutë zyrtare të bëjë Lekun e Shqipërisë.

Por, a mund të ndodhë kjo?

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, në një deklarim për “Monitor” i ka dhënë fund kësaj dileme.

Ai ka thënë se qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë ta përdorin Euron si valutë zyrtare.

“Shfrytëzimi i euros-s si valutë zyrtare në Kosovë ka bërë që të kemi një valutë të qëndrueshme me ndikim shumë të rëndësishëm në stabilitetin makroekonomik dhe financiar. Po ashtu, duke qenë se partneri kryesor tregtar i Kosovës është Eurozona, përderisa partnerë shumë të rëndësishëm janë edhe vendet e rajonit të cilat në përgjithësi kanë kurs mjaft stabël të këmbimit kundrejt euros, ne vlerësojmë se euroizimi i ka sjellë Kosovës mjaft përfitime edhe në aspektin e lehtësimit të tregtisë me vendet tjera”, ka thënë Mehmeti.

Ai ka bërë me dije se Kosova ka qëllim që të bëhet pjesë e Bashkimit  Europian dhe Eurozonës. “Kosova, ashtu edhe si vendet tjera të rajonit, synon integrimin sa më të shpejtë në Bashkimin e Evropian dhe natyrshëm edhe në Eurozonë, me çka synojmë të bëhemi anëtar i barabartë me të gjitha shtetet tjera që shfrytëzojnë euron si valutë zyrtare”, ka thënë guvernatori i BQK-së.

Monitor për idenë e ngritur nga Albin Kurti, se Kosova do të përdorë Lekun si valutë zyrtare kishte raportuar edhe gjatë vitit të kaluar.

Atë kohë kishim treguar se si mund të ndodhte kjo, dhe se cila ishte ideja konkrete e ish-kryeministrit Kurti. Albin Kurti që drejton aktualisht Vetëvendosjen, parti kjo që kishte dalë fituese në zgjedhjet e tetorit, dhe se më vonë Kurti u bë shef qeveria, pati dhëne një deklaratë publike duke thënë se nëse ai vjen në pushtet e ka synim që ta bëjë Lekun valutë të Kosovës, si Shqipëria.

“Duhet të jemi të vetëdijshëm se Bashkimi Evropian mundet të na e pezullojë në çdo moment të drejtën për ta përdorur euron. Sigurisht se kjo është një hipotezë pak e mundshme, por duhet ta kemi në mendje, sepse nuk kemi asnjë zotërim mbi këtë monedhë. Ndoshta do të ishte më e matur, më e sigurt, ta përdorim Lekun shqiptar”, kishte thënë Kurti në një intervistë për portalin francez, Politique-Internationnale.

Në faqen zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës thuhet se është përgjegjëse për sigurimin e një furnizimi të duhur të Kosovës me kartëmonedha dhe monedha euro, për kryerjen e transaksioneve me para të gatshme në ekonomi.

Në BQK tregohet se kontingjenti i parë me euro (rreth 100 miliona Euro) u soll në Kosovë në dhjetor të vitit 2001. Gjatë periudhës dhjetor 2001 – janar/shkurt 2002 janë eksportuar gjithsej mbi 1 miliard Marka gjermane, ndërsa janë importuar mbi 350 miliona Euro. Njëkohësisht, janë riatdhesuar afër 10 miliona monedha të Markës gjermane, ndërsa janë importuar rreth 7 miliona Euro monedha që në aspektin logjistik reflektonte një operacion transporti të monedhës në peshë mbi 100 tonelata./Fatos Shala për Monitor.al/.

SHKARKO APP