Aksidentet rrugore, në 3 vite kanë vdekur 113 këmbësorë
Mbikalimet dhe nënkalimet në Kosovë vazhdojnë të projektohen, ndërtohen dhe të mos shfrytëzohen nga qytetarët, pasi sipas ekspertëve nuk bëhet një studim i mirëfilltë para vendosjes së tyre dhe si rezultat i vendosjes në vende jo adekuate, qytetarë detyrohen t’i shmangin dhe të kalojnë rrugën edhe aty ku nuk është paraparë kalimi për ata. Këmbësorët po bëhen shkaktar i një numri të madh të aksidenteve në trafik. Sipas Policisë së Kosovës, aksidentet e trafikut në të cilat kanë qenë të përfshirë këmbësorët, janë në numër të lartë.
Në vitin 2017 nga aksidentet e trafikut kanë mbetur 44 persona të vdekur, në vitin 2018, janë 29 të vdekur, kurse, në vitin 2019 janë 40 persona të vdekur. Kurse sa i përket këmbësorëve të cilët kanë pësuar lëndime nga aksidentet në trafik, numri është akoma më i madh, në vitin 2017 kanë qenë 1322 raste, në vitin 2018, 1225 raste, kurse në vitin 2019, gjithsej 1093 raste të lënduar. Sipas ekspertit të komunikacionit, Visar Baxhuku arsyeja që këmbësoret nuk i shfrytëzojnë vendet adekuate për kalimin e rrugës është për shkak të mos planifikimit të duhur të vendosjes së nën dhe mbi kalimeve. Baxhuka theksoi se masat represive nuk funksionojnë, detyrimi i kalimit nga policia nuk jep rezultat, por që sipas tij, paraprakisht para vendosjes së këtyre vendeve është dashur të bëhet analiza e duhur, në mënyrë që siç tha ai të mos vije puna deri këtu ku jemi sot, ku nën dhe mbi kalimet kanë mbetur të pa shfrytëzueshme.
“Masat represive nuk funksionojnë, vendosja e pengesave detyrimi i kalimit nuk jep rezultat. Para se të ndërtohen ata duhet të shikohet arsyeshmëria ndaj ndërtimit, zonat që lidhin pastaj edhe pjesën e asaj se a është i nevojshëm në një masë të tillë, kur studiohen këto arrihet në një përfundim dhe i vendosët një atraksion, nuk ka ma vendkalime, nënkalime apo mbikalime të destinuara vetëm për mbikalim ose nënkalim, duhet t’i vendoset edhe elementi i atraksionit që njerëzit të jenë të tërhequr për me realizu kalimin në atë zonë në mënyrë të sigurt në aspektin e sigurisë publike, për shkak se shumë nënkalime që janë të ndërtuara në Kosovë, sidomos jashtë zonave të banuara te rrugët e karakterit më të lartëjanë të pa shfrytëzueshme dhe kur pyesim banoret për rreth pse nuk shfrytëzohen e përmendin aspektin e sigurisë”.