Aktakuza ndaj Thaçit, Ministria e Jashtme e Gjermanisë: Zbardhja e krimeve, e nevojshme! Të akuzuarit po bashkëpunojnë
Ministria e Jashtme e Gjermanisë reagoi pas dorëheqjes së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe konfirmimit të aktakuzës për krime lufte nga Prokuroria Speciale. Përshëndetet gatishmëria për bashkëpunim me drejtësinë.
“Kemi dijeni mbi dorëheqjen e presidentit, Hashim Thaçi dhe bashkëpunimin e tij me autoritetet e drejtësisë. Ne e përshëndesim faktin, që të akuzuarit tregojnë gatishmëri për të bashkëpunuar me organet e aktakuzës. Zbardhja e krimeve të luftës është e nevojshme dhe pjesë e mbështetjes kosovare për shtetin ligjor”, thekson Ministria e Jashtme gjermane.
Më tej në prononcimin e saj theksohet rëndësia e vendosjes së drejtësisë në një shoqëri si faktor i rëndësishëm për paqen shoqërore. “Nuk ka paqe afatgjatë në një shoqëri pa drejtësi për padrejtësitë e shkuara. Gjermania është e bindur, që luftimi i pandëshkueshmërisë në shumë pjesë të botës përmes gjykatave ndërkombëtare është pjesë e një politike të jashtme të përgjegjshme. Për këtë arsye Gjermania e mbështet punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si nga ana financiare, e personelit dhe ajo politike. Kosova është një partner i rëndësishëm, me të cilin ne bashkëpunojmë ngushtë dhe e mbështesim në rrugën e saj europiane.”
/DW