Akuza për afera seksuale në Kuvendin e Kosovës
Me nxehjen e temperaturave është nxehur situata edhe në Parlamentin e Kosovës.
Opozita ka sulmuar pa u kursyer kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, në seancën ku ai ishte thirrur në interpelancë për korrupsionin, ndërsa mbrojtësit e tij, janë kundërpërgjigjur po ashpër. Madje, deputeti nga nisma socialdemokrate Milaim Zeka, shkoi edhe më larg, duke akuzuar jo thjeshtë zyrtarët vendorë, por edhe ata ndërkombëtarë.
Sipas tij, çdo gjë e keqe Kosovës i ka ardhur nga EULEX dhe UNMIK. Ai madje denoncoi edhe një rast të një afere mes kryeprokurores së EULEX, Isabelle Arnall dhe një politikani të Kosovës, që nuk ia ka përmendur emrin. Aferë kjo, që sipas Zekës, kishte si qëllim ngritjen e aktakuzave ndaj kryetarit të nismës, Fatmir Limaj.
“Kam raport me shkrim sekret se kryeprokurorja e EULEX-it Isabelle Arnall përpos që ka bërë marrëdhënie intime me një politikan se nuk po guxoj me përdor fjalën ‘seks’, përpos që ka bërë marrëdhënie intime me një politikan të kalibrit të lartë në një vilë në Brezovicë ‘i ka thënë futja Fatmir Limës t’u bë lezet në krevat’ ” tha Milaim Zeka, deputet i Nisma Socialdemokrate. Këto fjalë të Zekës bën që kryesuesi Xhavit Haliti t’ia ndërpres fjalën.
Zeka në fjalimin e tij foli edhe për kërkesën e opozitës për dorëheqjen e ministrave duke kërkuar që së pari të dorëhiqen deputetët që kanë aktakuza.
“Hajde ta fillojmë nga shembulli jonë personal, sa deputet jemi nën aktakuzë hajde të dhamë na dorëheqje kqyrni që ka me met parlamenti ‘tangall’, po po tu fillu prej Dardan Sejdiu e teposhtë. Na kemi deputetë që jemi nën aktakuzë, unë jam kanë nën aktakuzën e EULEX-it”, tha Zeka.
Në mbrojtje të Haradinajt, Zeka tha se ai nuk mundet ti bëjë shokë gjykatësit dhe prokurorët, pasi Hashim Thaçi, sipas tij, nuk i lë radhë askujt.