Albin Kurti: BE të heqë masat, Kosova, gati të hapë negociatat për anëtarësimin

Kryeministri Albin Kurti, shprehet se Kosova i ka plotësuar të gjitha kërkesat e Bashkimit Evropian (BE), për heqjen e masave të vendosura ndaj saj.

Gjithashtu, Kurti ka theksuar në mbledhjen e Këshillit Ministror për Integrim Evropian, se këto masa duhet të hiqen.

“Masat që janë në fuqi ndaj Kosovës bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në BE, sidomos edhe në planin e rritjes dhe qëllimin e tij. Në anën tjetër po vazhdojmë me përpjekjet tona që të hapim më tepër mundësi në kuadër të dialogut të reformave të BE-së. Në këtë kontekst kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen masave kufizuese dhe këto masa duhet të largohen”, është shprehur Kurti.

Ai ka thënë se Kosova është e gatshme, jo vetëm për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, por edhe të që të hapë negociatat dhe kapitujt e shumtë drejt anëtarësimit.

“Besojmë që anëtarësimi në BE duhet të jetë i bazuar në meritokraci, si demokracia me e avancuar në rajon ne jemi të gatshëm t’u përgjigjemi mijëra pyetjeve teknike që vinë nga komisioni Evropian. Krahasuar me rajonin Kosova është jo vetëm e gatshme për statusin kandidat por edhe për të hapur negociatat dhe kapitujt e shumtë drejtë anëtarësimit. Anëtarësimi në BE është zgjedhje strategjike, ne kemi bërë zgjedhje andaj Agjenda e Reformave Evropiane që nga fillimi i mandatit është trajtuar me shumë seriozitet”, ka deklaruar Kurti.

Në mbledhjen e Këshillit Ministror për Integrim Evropian, është diskutuar për përgatitjet e vendit në kuadër të Planit të Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor, si dhe për reformat kyçe të Programit Kombëtar për Integrim Evropian (PKIE) 2024-2028.

SHKARKO APP