Albin Kurti i vendosur: S’do ketë shtyrje të afatit për targat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se nuk do të ketë shtyrje të afatit për targat.

Në një deklaratë për mediat, Kurti tha se të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë automjetet me targa të kohës së Millosheviçit, do të mund t’i konvertojnë ato në targa legale.

“Ne tashmë e kemi bërë një shtyrje të afatit më 31 korrik e kemi shtyrë afatin për një muaj, dhe në vend se të jetë data 1 tetor është data 1 nëntor. Të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë automjetet me targa të kohës së Millosheviçit, do të mund t’i konvertojnë ato në targa legale e legjitime RKS”, tha ai.

Më tej ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të përkatësisë serbe që ta shfrytëzojnë kohën e mbetur për t’i konvertuar targat ilegale në RKS.

Ka qenë SHBA dhe BE ata që kanë kërkuar shtyrjen e afatit për targat për 10 muaj, pasi kanë thënë se nuk duan tensionim të situatës në veri.

Vendimi për targat ishte parashikuar të hynte në fuqi më 1 gusht, por u shty për një muaj pas incidenteve që ndodhën në veri të vendit.

Qytetarët serbë kanë kohë deri më 31 tetor t’i konvertojnë targat e tyre të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës.

SHKARKO APP