Albin Kurti: Jam shumë i kënaqur që jemi ende në balotazh, synojmë të fitojmë kudo
Kryetari i LVV-së njëherësh edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 17 tetorit ku duket se partia e tij deri më tani nuk ka arritur të sigurojë fitore.
Kurti në deklaratën e tij për mediat ka thënë se zgjedhjet e së dielës ishin të lira, demokratike dhe të hapura.
Kurti tha se janë të kënaqur që kanë shkuar në balotazh në shumicën e komunave dhe synon që të fitojnë në këtë garë.
“Si kryetar i LVV jam i kënaqur të shoh kaq shumë kandidatë tanë në balotazh. Është një shans që të vazhdojmë të flasim dhe të diskutojmë me qytetarët se si ti mbrojmë dhe avancojmë të arriturat në këtë gjysmë viti të qeverisjes. Ndryshimi real është shumë më shumë se fjalë. Jam i etur të punoj e bashkëpunoj me secilën komunë që vlerat tona të arrijnë në cdo lagje e secilën shtëpi. Do të punoj me secilin kryetar komune… Urime të gjithë kandidatëve, kjo është festë e madhe e demokracisë si zgjedhje dhe e politikës si shërbim. Kandidatët e LVV-së do të jenë të angazhuar për secilën votë”, është shprehur Kurti.
Ai ka shtuar se si kryeministër është krenar që kishim miq nga BE-ja që vëzhguan demokracinë tonë që mund të shërbejë si shembull për vendet e rajonit.