Albin Kurti në 85-vjetorin e Joe DioGuardit: Një jetë e përkushtuar ndaj çështjes së Kosovës
Në një mesazh të ngrohtë dhe mirënjohës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka nderuar Joe DioGuardin, ish-kongresmenin shqiptaro-amerikan, në 85-vjetorin e lindjes së tij, duke e cilësuar si figurën që e ktheu çështjen e Kosovës në kauzë të karrierës së tij politike.
“Çdo shqiptaro-amerikan, pavarësisht pikëpamjeve apo përkatësive politike, e pranon se Joe DioGuardi luajti një rol qendror për zërin e shqiptarëve në politikën amerikane, në një kohë vendimtare për Kosovën,” shkroi Kurti, duke theksuar se DioGuardi ishte portë e hapur drejt Kongresit Amerikan, në një periudhë kur pak vetë ishin të gatshëm të dëgjonin për vuajtjet në ish-Jugosllavi2.
Në krah të tij, qëndroi gjithmonë bashkëshortja Shirley DioGuardi, e cila festoi 75-vjetorin. Së bashku, ata lobuan pranë Presidentit Clinton për ndalimin e gjenocidit në Kosovë, mbrojtën UÇK-në si ushtri çlirimtare me kauzë të drejtë, dhe bindën administratën Bush për pavarësinë e Kosovës, e cila u realizua në vitin 2008.
Veprimtaria e çiftit DioGuardi nuk u ndal me shpalljen e pavarësisë. Ata vazhdojnë të jenë aktivë në Uashington DC, duke punuar për vendosjen e drejtësisë dhe mbrojtjen e paqes në rajon, si zë të palëkundur të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Kryeministri Kurti e përmbylli urimin me fjalët: “Ju jeni pjesë e historisë sonë, ju formësuat lirinë tonë dhe do të mbeteni përgjithmonë pjesë e së ardhmes sonë.”
AV/KJ
KOHA JONË SONDAZH

