Albin Kurti për garancinë e lirimit të krerëve të UÇK-së: S’më takon mua të marr kësi hesapesh
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë ku ka miratuar programin Qeverisë, ka folur për çështjen e përgatitjes së padisë për gjenocid ndaj Serbisë, atë të dialogut me Serbinë dhe për punën e ofrimit të garancisë për krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.
I pyetur nga gazetarët për punën e shumë diskutuar të ofrimit të garancisë për mbrojtje në liri të krerëve të UÇK’së që po gjykohen në Hagë. Kurti ka thënë se Kosova s’mund të jetë si shtet i tretë meqë Specialja “është një këmbë në Kosovë e një këmbë jashtë Kosovës”.
Derisa ka thënë se si kryeministër s’mund as ti kërkojë Kroacisë ofrimin e garancisë për Gjykatën Speciale për mbrojtjen në liri të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Problemi me çështjen e garancisë është që Kosova nuk është shtet i tretë. Në Gushtin e 2015, argumenti kryesor pse duhej të votohet amendamenti 24 e që ne e kundërshtuam, ka qenë që nëse nuk e bëjmë ne, do të bëhet gjykatë ndërkombëtare. Ne e kemi ditur që nuk ishte ashtu. Ne e kishim të qartë që kjo Gjykatë nuk do të ishte krejtësisht jashtë Kosovës, por një këmbë jashtë e një këmbë brenda. Prandaj jemi në këtë situatë te pafavorshme, kur Kosovës me vendimin e gushtit i pamundësohet. Nuk mund të kërkojë unë garanci nga Kroacia. Ka një proces juridik. Ata që janë në burg. Nuk është shteti në gjyq. S’më takon mua që të marr këso hapash. Do të ishte gabim për shtetin”,– ka theksuar ndër të tjera kryeministri.