Albin Kurti pritet nga Presidenti Macron, e fton në Kosovë: Një situatë e re politike po krijohet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka nisur vizitën zyrtare në Paris, aty ku është pritur nga Presidenti Emmanuel Macron. “Jam i nderuar të jem këtu me ju, me presidentin e një shteti të fuqishëm. Është privilegj dhe përgjegjësi si kryeministër i shtetit më të ri në Evropë. Të jem para pallatit presidencial francez duke marrë parasysh se Kosova do të jetë gjithmonë pro aspiratave evropiane. Tanimë realiteti i ri ka përbërës të ri. Ju siguroj president se ne po i ndjekim nga afër zhvillimet e fundit në Bruksel, sidomos pas ardhjes së presidentit Amerikan. Ne besojmë se një situatë e re politike po krijohet. Në një situatë të tillë ne do të kontribuojmë”, u shpreh Kurti.
Ndërkaq, Kurti ka vlerësuar rolin që ka pasur Franca në çlirimin e Kosovës duke theksuar së Franca është ndër vendet e para që ka njohur shtetin e Kosovës.
“Dua t’iu shpreh mirënjohjen time dhe të popullit të Kosovës për drejtësinë e lartë që vendoset në kuadër të NATO-s për t’i dhënë fund një regjimi shovinist që synonte territore me çdo kusht qoftë edhe me gjenocid mbi civilët. Realiteti i ri ka përbërës të ri. Ne besojmë se një situatë e re politike po krijohet. Ne do të kontribuojmë me të gjitha mundësitë tona si në rajon ashtu edhe në Evropë. Ju jeni ndër shtetet e para që keni njohur shtetin e Kosovës. Ka ardhur koha që ne të dëshmojmë se jemi të gatshëm për zhvillim. Kosova mund të përfitojë shumë nga kombi francez”, tha Kurti.
Në mbyllje të fjalës së tij, Kurti e fton Presidetin Macron të vizitojë Kosovën. “Ndihem i nderuar që kam mundësinë të flas me juve, rreth zhvillimeve të Kosovës. Sado i vogël shteti ynë, ai ka përgjegjësi të ndërtojë vetën, si shtetet me histori, një prej të cilave është Franca. Unë shpresoj shumë nga biseda me ju dhe ju ftoj të vizitoni shtetin tonë”.