Ambasadorët e ShBA dhe Gjermanisë përshendesin formimin e qeverisë Kurti
Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka uruar zgjedhjen e qeverisë së re të Republikës së Kosovës.
Përmes një postimi në Tëitter ai ka thënë se mezi pret që të punojë me të gjitha institucionet e Kosovës, palët e tjera dhe palët e interesuara të shoqërisë civile për të forcuar drejtësinë dhe prosperitetin në Kosovë.
Gjithashtu, siç ka thënë tutje Kosnett, ai pret edhe bashkëpunim për të ndihmuar Kosovën të ndërtojë marrëdhënie paqësore me fqinjët e saj.
“Urime për formimin e qeverisë së re. Mezi pres të punoj me të gjitha institucionet e Kosovës, palët e tjera dhe palët e interesuara të shoqërisë civile për të forcuar drejtësinë dhe prosperitetin dhe për të ndihmuar Kosovën të ndërtojë marrëdhënie paqësore me fqinjët e saj”, ka shkruar Kosnett.
Edhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë thotë se pret me padurim të vazhdojë bashkëpunimin, duke mbështetur sundimin e ligjit në Kosovë dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
“Urime Qeverisë së re të Kosovës për themelimin e saj në seancën e sotme të Kuvendit!
Si një partner i gjatë i institucioneve të Kosovës, Ambasada Gjermane mezi pret të vazhdojë bashkëpunimin tonë, duke mbështetur sundimin e ligjit në Kosovë dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Ne inkurajojmë qeverinë e re të fillojë zbatimin e agjendës së saj ambicioze të reformës për këtë vend dhe të rifillojë dialogun me Serbinë në një proces negociues të strukturuar mirë dhe të lehtësuar nga BE.
Për të gjitha këto procese thelbësore, të brendshme dhe të jashtme, Gjermania është e gatshme të mbështesë Qeverinë e Kosovës dhe popullin e Kosovës”, thuhet në urim.
Kuvendi i Kosovës me 66 vota për dhe 10 abstenime e votoi Qeverinë e Re të Republikës të udhëhequr nga Albin Kurti.
Të pranishëm në seancë ishin 76 deputetë, kurse para votimit, seancën e kanë braktisur deputetët e PDK-së dhe AAK-së.
Pas votimit, kabineti qeveritar ka bërë betimin solemn.
Qeveria “Kurti” e votuar tashmë në Kuvendin e Kosovës ka dy zëvendëskryeministra, 15 ministra dhe 33 zëvendësministra.