Ambasadori rus: Nuk e përjashtojmë shkëmbimin e territoreve mes Serbisë dhe Kosovës

Për Rusinë, shkëmbimi i territoreve dhe idetë tjera mund të vlerësohen vetëm nga Prishtina dhe Beogradi. Ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksandar Botsan Kharcenko deklaron se zgjidhja përfundimtare duhet të kalojë në Këshillin e Sigurisë.

“Aktualiteti i idesë së ‘ndarjes së Kosovës’, ashtu si edhe çdo ideje tjetër, mund të vlerësohet vetëm nga Beogradi dhe Prishtina. Zgjidhja e qëndrueshme e çështjes së Kosovës është e realizueshme vetëm si rezultat i marrjes parasysh të interesave të balansuara reciproke, pa imponim të skemave të jashtme apo afateve kohore. Kriter kryesor për ne është që zgjidhja të jetë e pranueshme për Serbinë”, ka thënë ai në intervistën për gazetën “Politika” të Serbisë. Ai është pyetur se cilat janë “vijat e kuqe” të Rusisë rreth Kosovës.

Kharcenko thotë se Moska mund të hyjë në dialogun Kosovë-Serbi nëse i kërkohet nga Beogradi. “Me këtë rast, vetë procesi negociator duhet të zhvillohet në një kornizë të arsyeshme dhe të pranueshme për ne, mbi bazën e Rezolutës 1244, teksa duhet ta ketë një formë dhe përmbajtje të pranueshme. Më duhet ta theksoj se rezultatet e aktiviteteve diplomatike, deri më tani, nuk janë aq evidente. Përkundrazi, në Kosovë tash ka vetëm më shumë kaos”, ka thënë ai.

Sipas tij, zgjidhja përfundimtare e çështjes së Kosovës duhet të arrihet në Këshillin e Sigurimit në OKB.  “Zgjidhja definitive e çështjes së Kosovës duhet të konfirmohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, përmes miratimit të një rezolute të re, e cila do ta zëvendësonte Rezolutën 1244”, ka thënë ambasadori rus në Beograd

SHKARKO APP