Arrestimet e EULEKS-it, Presidenti Thaçi: Nuk ka arsye për aksione spektakulare

“Nuk ka asnjë arsye për ekspedita apo aksione spektakulare”, tha Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kur zyrtarë të sundimit të ligjit bastisën zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe arrestuan udhëheqës të saj. “Veteranët e UÇK-së janë vlera më sublime e rezistencës dhe lëvizjes sonë për liri e pavarësi. Asnjë grackë e ngrehur nga kushdo, nuk do ta vendosë Kosovën në anën e kundërt të drejtësisë”, tha Thaçi përmes një deklarate për media.

Të premten, pjesëtarë të Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë- EULEX bastisën zyrat e OVL-së në Prishtinë dhe arrestuan kryetarin e organizatës, Hysni Gucati. Disa orë më vonë, edhe nënkryetari i organizatës, Nasim Haradinaj, u shoqërua nga zyrtarë të Zyrës së Prokurorisë së Specializuar, bashkë me Policinë e Kosovës. Ende nuk dihen arsyet e shoqërimit të Haradinajt, e as të arrestimit të Gucatit.

Tri herë këtë muaj, Organizata e Veteranëve të Luftës ka thënë se ka pranuar – në mënyrë anonime – dosje që lidhen me Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë. Përmbajtja e këtyre dokumenteve nuk është bërë e njohur dhe nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike ose jo. Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka thënë, këtë javë, se disa aktivitete në të cilat është e përfshirë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “kanë për qëllim të minojnë administrimin e drejtësisë në mënyrë të duhur“.

Swiss Digital Desktop Reklama

Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar në Hagë, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në deklaratën e tij për media, presidenti Thaçi tha se “rrjedhja e dokumenteve e ka cenuar legjitimitetin e gjykatës në sytë e qytetarëve, ka dëmtuar imazhin e shtetit të Kosovës dhe të drejtat e të pandehurve potencialë”.

“Asnjë i pandehur potencial nuk do t’i ikë drejtësisë. Prandaj, vlerësoj se nuk ka asnjë arsye për ekspedita apo aksione spektakulare. Ndërsa, integriteti dhe dinjiteti i secilit qytetar duhet të respektohen”, tha Thaçi.

“Kosova gjithmonë ka qenë dhe do të jetë në anën e së vërtetës, bashkëpunimit, drejtësisë dhe së drejtës ndërkombëtare, e përcaktuar për ndërtimin e shtetit demokratik, ligjor dhe shumetnik, atdhe të të gjithë qytetarëve të saj”, theksoi Thaçi.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?