Arrestimi ish-kryeministrit kosovar që mund të destabilizojë Ballkanin
Ish-kryeministri dhe kryetari i Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj u arrestua mbrëmjen e së mërkurës në Francë. Vendimi i autoriteteve franceze vjen në zbatim të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, e cila e akuzon politikanin kosovar dhe ish-drejtuesin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte. Vendimi i autoriteteve franceze mund të cilësohet absurd dhe i pabazuar për shumë rrethana.
Së pari, Ramush Haradinaj është ndër të paktët politikanë që ka marrë dy herë pafajësinë në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në Hagë. Tribunali i Hagës, si institucioni kryesor i së drejtës ndërkombëtare nuk ka gjetur asnjë provë për akuzat që i janë bërë Haradinajt gjatë luftës në Kosovës. Në këtë kuptim, ndalimi i tij në Francë për llogari të drejtësisë serbe duket se është jashtë çdo argumentimi juridik.
Arsyeja tjetër pse arrestimi i Haradinajt duket absurd lidhet dhe me kohën në të cilën ndodh. Autoritet serbe kanë lëshuar urdhër-arresti ndaj tij që në vitin 2004. Është e pakuptueshme sesi një urdhër i tillë zbatohet 13 vjet më vonesë. Ndërkohë që Haradinaj ka udhëtuar rregullisht në Francë gjatë këtyre viteve dhe nuk ka pasur asnjë ndalim nga autoritetet e këtij vendit. Bile ai ishte si tifoz i kombëtares shqiptare, bëri foto, xhiro, lëvizi nëpër Francë dhe askush nuk e ndaloi. Nuk e dinin vjet urdhër-arrestin serb?! Apo dje u kujtuan!
Një arsye tjetër e bënë gjestin e autoriteteve franceze të duket i pavend janë dhe precedentët e shteteve të tjerë me Ramush Haradinajn. Disa kohë më parë, ish-kryeministri i Kosovës u arrestua nga autoritetet e Sllovenisë me të njëjtën akuzë. Pas nisjes së procesit verifikuan pretendimet e palës serbe dhe ai u la i lirë. Por çuditërisht mbrëmë një gjykatë franceze vendosi që ish-kryeministri Haradinaj të qëndroj në qeli deri shqyrtimin e plotë të dosjes së tij. Duket absurd ky vendim, ndërkohë që pritej që ai të lirohej mënjëherë.
Veprimi i autoriteteve franceze, me apo pa dashje, kanë shkaktuar një lëkundje sizmike për zhvillimet mes Serbisë dhe Kosovës. Në mos qoftë ndonjë lojë e shërbimeve të fshehta perendimore për plan destabiliteti në Ballkan. Mundet! Gjithçka mundet tani që bota po ndryshon, tani që Rusia po forcohet, tani ku nuk dihet ende fati i Bashkimit Europian.
Prej disa vitesh Kosova dhe Serbia, ndonëse kjo e fundit nuk e ka njohur pavarësinë, kanë nisur një proces bisedimesh që do të sillte normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Është një proces që është cilësuar si më i rëndësishmi nga BE dhe SHBA për vendosjen e paqes në Ballkan. Kushdo që njeh sadopak këtë Rajon e di mirë se pa një paqe mes shqiptarëve dhe serbëve nuk mund të ketë normalitet në këtë zonë të Europës. Nga Ballkani filloi edhe Lufta e Parë Botërore. Por pas arrestimit në Francë të Ramush Haradinajt, për llogari të palës serbe, natyrshëm lind pyetja çfarë vlere kanë bisedimet e paqes mes Prishtinës dhe Beogradit? Në momentin që BE dhe SHVA kërkojnë nga palët të arrijnë marrëveshje, Beogradi tinëz mban në sirtare fletë-arreste me akuza të montuara ndaj politikanëve kryesorë shqiptarë, duke e futur në kolaps krejt procesin dhe stabilitetin në Ballkan. Arrestimi i Haradinajt nuk ishte rastësi, pasi vetëm pak minuta pas ndalimit në Francë politikanë të rëndësishëm serbë kërkuan ekstradimin e tij për gjykim në Serbi! Kjo tregon se Serbia nuk e ka marrë seriozisht procesin e negociatave me Kosovën, ndërkohë që Kosova ka lëshuar jo pak nga kushtet e saj për t’u ulur në negociata me shtetin që e kishte pushtuar.
Arrestimi i Haradinajt, qëndrimi i autoriteteve franceze, por edhe heshtja e Bashkimit Euopian ndaj zhvillimeve të dy ditëve të fundit kanë vënë në pikëpyetje gjithë procesin e negociatave. Politikanëve të Kosovës u kërkohet që të harrojnë të shkuarën dhe luftën me Serbinë, por shtete të BE, si Franca, bëjnë të kundërtën me palën serbe duke zbatuar urdhër-arrestet e një shteti që kriminalizoi kosovarët. Është një lojë jo vetëm me dy standarde, por edhe e dëmshme për vetë zhvillimet në rajon. Nëse pala kosovare do kishte ndjekur të njëjtën logjikë, sot duhet të kishte urdhër-arrreste nga Kosova për Presidentin serb Timoslav Nikoliç, si zyrtar i qeverisë gjatë regjimit të Sllobodan Milosheviçit, por edhe për Kryeministrin Aleksandër Vuçiç si zëdhënës i partisë së nacionalistëve që kanë kryer krimet serbe në Kosovë. Deklarata e djeshme e Kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç për ekstradimin e Ramush Haradinajt dhe gjykimin në Serbi, dëshmoi se ndalimi i tij në Francë nuk ishte rastësi, por një lobim i fuqishëm për dëmtimin e Kosovës. Nëse iu referohemi zhvillimeve të muajve të fundit me ngritjen e murit ndarës nga serbët në Mitrovicë dhe krijimin e asosacionit (bashkisë së komunave serbe), kuptohet se kemi të bëjmë me strategji për rikthimin e tensionit në Ballkan.
Është koha që BE të rishikojë edhe një herë qëndrimet për dialogun dhe paqen mes Kosovës e Serbisë. Autoritetet e shtetit të Kosovës dje ndërmorën masat e para ndaj kësaj ofensive të Serbisë duke kërkuar minimalisht vendosjen e reciporitetit dhe përgjigje me të njëjtën mënyrë për zyrtarët serbë të akuzuar për krime lufte.
Ndalimi i Haradinajt në Francë me kërkesën e palës serbe është dhe një shenjë e fortë për Kryeministrin Rama për raportet me Serbinë.
Nëse ndaluan ish-kryeministrin kosovar, pala franceze, për llogari të Serbisë atëhere si do të shkonte tensioni dhe përplasja nëse policia kosovare arrestonte presidentin serb Nikoliç që do të hynte në Kosovë? Përplasje, luftë apo …?
Ndalimi i ish-kryeministrit kosovar nuk sjellë asgjë të mirë, përveçse tregon se Ballkani nuk do jetë më ai që ishte deri tani.