Arrestohet burri i ish-ministres Shahini, 6-të policë e shtrijnë në tokë (FOTO/VIDEO)
Në Kosovë, ku vendi pritet që të shkojë në zgjedhje të parakohshme më 14 shkurt, ka trazira. Bashkëshorti i ish-ministres së Arsimit në Shqipëri, Besa Shahinit është arrestuar ditën e sotme. Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj është arrestuar në mënyrë të dhunshme nga ana e policisë kosovare pasi ishte pjesë e një proteste.
Përfaqësues të Partisë Socialdemokrate protestuan para stacionit të Policisë së Kosovës në qendër, duke shkruar në murin e këtij objekti “Për partitë tubime, për qytetarët dënime”. Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje aty ku bëri disa arrestime e një prej tyre ishte dhe Molliqaj. Gjashtë efektivë e kanë shtrirë në tokë politikanin dhe po e prangosin.
Partia Socialdemokrate (PSD), ka thënë se gjatë aksionit të tyre simbolik, policia ndërhyri dhunshëm për ta ndërprerë këtë aksion duke arrestuar aktivistët e PSD-së. “Gjatë aksionit të sotëm simbolik për të shpërfaqur hipokrizinë e institucioneve të Kosovës karshi qytetarëve të saj, të cilët shqiptuan gjoba në vlerë prej 3 milion eurosh për qytetarët e gati asnjë për tubimet e partive politike, aparati policor shtetëror ndërhyri dhunshëm për ta ndërperë aksionin duke arrestuar aktivistët e PSD-së”,-thuhet më tej.
PSD ka kërkuar urgjentisht që aktivistet dhe aktivistët Dardan Molliqaj, Teutë Rrusta, Zgjim Hyseni, Nol Nushi, Leonard Shala, Gëzon Kastrati, Qëndrim Sahiti, Arbër Sejdiu, Drin Ahmeti, Gent Brahimi, Agron Kabashi, Veton Dragusha, Fatos Sahiti, Trim Gashi, Natyra Kuçi dhe Frashër Krasniqi të lirohen menjëherë nga arrestimi i padrejtë që iu është bërë nga policia.