Arti në zi! Shuhet ”Baresha e Kosovës”, Nexhmije Pagarusha

Baronesha e Kosovës nuk është në mesin tonë. Është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare, ikona e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha. Kanë qenë familjarët e së ndjerës ata që kanë dhënë lajmin e trishtë. Vajza e saj, Cuca Pagarusha ka publikuar një fotografi zie në profilin e saj në facebook. “Zemër ike e qetë ashtu si edhe në jetë. Vdiq Nexhmije Pagarushe”, ka shkruar ndërkohë një familjare e saj.

Nexhmija Pagarusha lindi më 7 maj të 1933-shit në Pagarushë, një fshat pranë Malishevës në Kosovë. Ajo përfundoi shkollën fillore në Malishevë ndërkohë që më pas shkoi në Beograd për të vazhduar shkollën për këngë. Karrierën muzikore si këngëtare Pagarusha e nisi në vitin 1948 në Radion Prishtina.

Veprimtaria e saj muzikore 40-vjeçare është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon. Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera. Nexhmije Pagarusha ishte edhe aktore e suksesshme, si në film ashtu edhe në teatër.

Në Beograd vijoi shkollën e muzikës për solo kanto, të cilën ajo e la në vitin e tretë dhe nuk e vazhdoi më. Po ashtu në Beograd kishte paraqitjen e parë muzikore në skenë. Në vitin 1948 është pranuar soliste në Radio Prishtinë. Bashkëpunoi edhe me këngëtarët nga Shqipëria dhe u paraqit edhe në Shqipëri me ansamblin “Shota” me rastin e një turneu. ”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexhep Mulliqi, me tekstin e poetit Rifat Kukaj.

Disa nga këngët e saj

“Baresha”
”Ani mori nuse”
”Mora testin”
“Kur më shkon si zog n’hava”
“Kur më del në derë”
”Ke selvitë”
“Ç’u ngrit lulja në mëngjes”
“Çil njat zemër plot kujtime”
“Dallëndyshe”
“Një lule”
“Zambaku i Prizrenit”

SHKARKO APP