Asambleja e Këshillit të Europës voton sot për anëtarësimin e Kosovës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të votojë për raportin për anëtarësimin apo jo të Kosovës në këtë organizatë sot gjatë një seance plenare në Strasburg. Fjala është për miratimin e një mendimi pozitiv apo jo për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, një organizatë e cila kryesisht merret me të drejtat e njeriut dhe zhvillimin e demokracisë.

Raporti u përpilua nga deputetja greke, Dora Bakoyannis, dhe drafti i këtij raporti ishte miratuar në mars nga Komiteti për Politikë dhe Demokraci i kësaj organizate. Për t’u miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës duhet të sigurohet një shumicë prej dy të tretave të votave të anëtarëve të pranishëm në mbledhje. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës përbëhet nga deputetët të cilët vijnë nga parlamentet nacionale të vendeve anëtare.

Një ditë para votimit në Strasburg ka pasur konsultime të shumta për të parë se si është disponimi. Ka pasur takime mes delegacioneve të partive politike, ndërsa delegacionet nga Serbia dhe nga Kosova kanë bërë përpjekjet e fundit për t’i bindur deputetët që në numër sa më të madh të votojnë në favor të tyre. Në rastin e Kosovës të miratojnë opinionin pozitiv për anëtarësim, ndërsa në rastin e Serbisë të votojnë kundër.

Nga Kosova në selinë e Këshillit të Evropës ndodhet një delegacion i Kuvendit të Kosovës, ndërsa takime në nivele të ndryshme ka mbajtur edhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla. Përshtypja e delegatëve të disa vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, është se do të mund të sigurohen votat e favorshme për Kosovën në këtë seancë.

Por, ata kanë vërejtur se në momentin e fundit ka pasur lëvizja nga disa vende anëtare të cilat e njohin Kosovën si shtet, por nuk janë të sigurta në mbështetjen e tyre për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës në këtë moment.

Do të jetë sfidë edhe të sigurohet prania e numrit të mjaftueshëm të deputetëve për të siguruar kuorumin e nevojshëm. Për këtë duhet të jenë të pranishëm së paku një e treta e anëtarëve të përgjithshëm të Asamblesë. Ndërsa, nevojitet dy e tretat e votave të të pranishmëve që raporti për Kosovën të kalojë. Përmendet edhe mundësia që një numër i caktuar i deputetëve të mos marrin pjesë fare në seancë, në mënyrë që të mos shihen duke votuar as në favor e as kundër.

Nëse Asambleja Parlamentare voton pro anëtarësimit të Kosovës të martën, atëherë çështja kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht për të pranuar apo jo Kosovën si anëtaren më të re të organizatës.

Takimi i radhës i Këshillit të Ministrave do të zhvillohet në mesin e muajit maj. Këshilli i Ministrave të Jashtëm në Këshillin e Evropës takohet një herë në vit, tradicionalisht në muajin maj. Por, ka zëra në qarqet diplomatike që thonë se anëtarësimi i Kosovës mund të mos vendoset fare në agjendën e takimit e ministrave në maj.

Kjo lidhet edhe me aktivitetin e vendeve të QUINT-it, Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia, të cilat zakonisht e mbështesin Kosovën, por tani duan të shohin nga Kosova lëvizje drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sa i përket raportit, për të cilin do të votohet të martën, në të themelimi i Asociacionit përmendet si kusht pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Por, mësohet se delegacioni i Italisë ka propozuar një amendament në këtë raport, duke kërkuar që Kosova të themelojë Asociacionin para anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Deri në momentin e fundit do të jetë e paqartë se si do të shkojnë votat dhe në cilën formë do të miratohet teksti. Debati për Kosovën dhe votimi pritet të zhvillohet pasditen e së martës në Strasburg./REL

SHKARKO APP