Atentati që ndryshon gjithçka: Serbia kushtëzon Kosovën

Serbia e kushtëzon vazhdimin e bisedimeve mbi normalizimin në Kosovë me pjesëmarrjen në hetime për vrasjen e Ivanoviqit, Prishtina thotë: Jo!
Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar të martën mbrëma se Beogradi nuk do të marrë pjesë në vazhdimin e dialogut mbi normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën, derisa Serbia nuk merr përgjigje mbi vrasjen e Oliver Ivanoviqit, ndërsa nga Prishtina arrin mesazhi se Beogradi nuk do të jetë i përfshirë në hetime për vrasjen e politikanit serb, shkruan portali kroat Jutarnji.hr.

Gjuriq për televizionin shtetëror serb (RTS) ka thënë se informatat deri te të cilat kanë ardhur organet hetuese serbe tregojnë se fjala është “për organizatën serioze dhe të gjerë”, dhe se informatat po vijnë çdo moment.

“Çdo minutë po marrim informata, dhe gjithnjë e më tepër jam i bindur se kjo nuk rrjedh nga vendi ynë dhe sigurisht as nga serbët e Kosovës. Ne nuk po lusim, por po kërkojmë që organet kosovare menjëherë t’i gjejnë fajtorët dhe t’i dorëzojnë drejtësisë”, ka thënë Gjuriq, transmeton Gazetametro.net.

Ministri kosovar i drejtësisë, Abelard Tahiri, e ka hedhur poshtë mundësinë që Beogradi të përfshihet në hetim për vrasjen e Ivanoviqit, kanë publikuar mediet kosovare pas kërkesës nga Beogradi që t’iu mundësohet organeve hetuese të Serbisë të marrin pjesë në hetim.

“Hetimi i takon vetëm institucioneve të Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka porositur se janë të mirëseardhura të gjitha informatat nga shqiptarët apo serbët, të cilat ndihmojnë në zbardhjen e vrasjes, por jo edhe përfshirjen e Beogradit në hetim.

Kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vlerësuar se vrasja e Ivanoviqit është “akt terrorist” dhe ka kërkuar nga EULEX-i, UNMIK-u dhe nga Policia e Kosovës që organet serbe të marrin pjesë “në hetime dhe zbulimin e të vërtetës” mbi atentatin ndaj Ivanoviqin.

Kryeprokurori i Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Shyqeri Syla, ka deklaruar se dy prokurorë po e hetojnë vrasjen e Oliver Ivanoviqit, shqiptari dhe serbi, Nijazi Rexha dhe Jova Radoviq.

Njëkohësisht Prokuroria për krim të organizuar në Beograd ka kumtuar se e ka filluar procesin parahetimor me rastin e vrasjes së Ivanoviqit, ndërsa nga policia dhe agjencia e inteligjencës ka kërkuar “mbledhjen e informatave të nevojshme në lidhje me veprën penale të terrorizmit”.

SHKARKO APP