Avokati tregon me sa vite burg mund të dënohet Vuçiç, pas mohimit të masakrës së Reçakut
Përfaqësuesi juridik i viktimave të masakrës së Reçakut, Tomë Gashi, i cili ka ngritur kallëzim penal ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për mohimin e Masakrës së Reçakut, ka thënë se Vuçiç për veprën penale që ka kryer mund të dënohet deri në 10 vjet burg.
“Aleksandar Vuçiç ka kryer vepër penale të rëndë që është e paraparë dënimi deri në 10 vjet burg”, ka thënë Gashi.
Kallëzimi penal, siç thuhet në dokument, është bërë pasi më 5 dhjetor në cilësinë e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç me dashje ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare në mes të serbeve dhe shqiptarëve që jetojnë në Republikën e Kosovës, duke deklaruar në mënyrë sistematike dhe duke e keqpërdorur pozitën e tij si president i Republikës së Serbisë, si dhe duke e mohuar masakrën e Reçakut në të cilën masakër më 15 janar të 1999 nga forcat okupuese, ushtarake dhe policore të Republikes së Serbisë janë vrarë 45 shqiptarë civilë të moshave të ndryshme, fëmijë, gra dhe burra po ashtu është deklaruar se Masakra e Reçkut është një “trillim i sajuar nga William Walker”, dhe masakra e Reçakut ishte një krimi i fabrikuar ku gjithçka sipas tij “është falsifikuar nga ai mashtruesi me flokë të bardha, një mashtrues si Walker”, këtë e ka thënë para gazetarëve dhe këtë e kanë raportuar edhe të gjitha mediat në Republikën e Serbisë dhe në Republikën e Kosovës.
Avokati, Tomë Gashi vlerëson se më këtë rast i paraqituri ka kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik nga neni 147 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Kallëzimi është dorëzuar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Ku është kërkuar nga ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, që pas zhvillimit të hetimeve të ngris aktakuzë kundër Vuçiçit.