Banka Botërore: Kosova me rritjen ekonomike më të madhe në rajon

Kosova ka shënuar rritje ekonomike prej 3.6 për qind në vitin 2016, kurse gjatë këtij viti rritja ekonomike pritet të arrijë në 3.9 për qind, që konsiderohet më e larta në rajon, ka bërë të ditur Banka Botërore gjatë një prezantimi të raportit të rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor, shkruan rel.

Banka Botërore tha se rritja ka ndodhur për shkak të investimeve dhe konsumit dhe nënvizoi se rritje ka pasur me krijimin e vendeve të reja të punës, megjithëse nuk u dhanë numra të saktë.

Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli, tha se pavarësisht parashikimeve pozitive për rajonin dhe Kosovën, megjithatë ende ka nevojë për përmirësim, konkretisht në krijimin e kushteve për punësim.

“Lajmi i dytë pozitiv që ka të bëjë më Kosovën, ngjashëm sikurse me vendet e rajonit, është se kjo rritje po tregon shenjat e ndikimit që kishte tregu i lirë. Pra kemi evidencë për krijimin e vendeve të reja të punës . Por raporti nuk specifikon numrin”, tha ai.

Matovanelli tha se Kosova duhet të krijojë kushte për konkurrencë të jashtme, pasi mungojnë kapacitetet për eksport të prodhimeve.

Vetëm në këtë mënyrë, sipas tij, Kosova është në gjendje të krijojë vende të reja të punës në mënyrë të vazhdueshme dhe të qëndrueshme për të rinjtë, kategori kjo që është një aset që e dallon Kosovën nga vendet tjera të rajonit, vlerësoi Matovanelli.

“Pra ka sinjale pozitive, por duhet të bëhet më shumë. Mesazhi ynë është se reformat më kalimin e kohës, duhet të ndihmojnë ekonominë rreth produktivitetit të brendshëm dhe kapaciteteve më të mira për të qenë konkurrentë jashtë vendit”.

“Dhe kjo është vërtet dhe vlen për biznesin mjedisor, por gjithashtu edhe për krijimin e shkathtësive të reja për popullatën e re, në mënyrë që të jetë në gjendje të konkurrojnë në tregjet ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Edhe Agim Demukaj, ekonomist i Bankës Botërore në zyrën në Prishtinë, ka treguar se gjatë vitit të kaluar në Kosovë pasur krijim të vendeve të reja të punës, deficiti fiskal ka qenë më i ulët, sektori financiar ka pasur performancë të mirë, por që ka pasur një rënie të lehtë të investimeve të huaja.
Kurse në rritjen ekonomike, sipas tij, ka ndikuar diaspora më remitanca dhe investime.

Sipas parashikimeve të Bankës Botërore edhe gjatë këtij viti do të ketë rritje ekonomike.
“Parashikimet tona për vitin 2017 janë se do të ketë një rritje 3.9 për qind, do të ketë një ngritje nga viti i kaluar. Kurse në vitin 2018, parashohim se do të ketë një rritje më të madhe. Shtytësit kryesor të kësaj rritjeje gjatë këtij viti, dhe vitin tjetër do të jenë prapë investimet që është shumë pozitive, pasi krijohet një bazë më e madhe e prodhimit, një bazë më e qëndrueshme për të ardhmen”, ka thënë Demukaj.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike në Prishtinë, i quajnë inkurajuese shifrat për rritje ekonomike të Bankës Botërore, por të pamjaftueshme për një zhvillim të qëndrueshëm.

/BW

SHKARKO APP