Bashkimi ekonomik Shqipëri-Kosovë

Nga Koço Kokëdhima –

Kryeministri i Shqipërisë tha gjatë konferencës për shtyp në Tiranë, me homologun e Kosovës, Hoti, se mbledhja e radhës mes dy qeverive mund të mbahet në Shkodër, në shtator; do të vihet në funksionim dogana e Kosovës në Durrës; do të njehësohen dokumentet për shkëmbimin e mallrave mes dy vendeve dhe njerëzit do të lëvizin pa kontrolle.
Kjo histori premtimesh përsëritet prej vitit 2014, kur nisën mbledhjet e përbashkëta të qeverive. Ato mbetën në letër, duke u bërë pengesë për pasurimin e dy vendeve që janë më të varfrat në rajon, por që së bashku mund të zhvillohen dhe të rriten. Dhjetra marrëveshjet e nënshkruara 6 vitet e fundit duhet të zbatohen, për të rritur nivelin e shkëmbimeve ekonomike, krijimin e një tregu të përbashkët, pa kufij dhe dogana. Zyra e doganës së Kosovës në portin e Durrësit, që u mbyll një ditë pasi u përurua me bujë më 15 janar 2019, si hapi i parë i bashkimit të plotë të doganave mes dy vendeve, duhet të vihet në punë.
Qeveria e Shqipërisë duhet të rrëzojë trarët dhe barrierat e ngritura me koncesionet zhvatëse që kanë shtuar kostot e lëvizjes së njerëzve dhe të mallrave, duke zbatuar modelin e BE-së për doganat, me tarifa dhe procedura të thjeshta. Shqiptarët duhet të bëjnë bashkimin ekonomik Shqipëri-Kosovë, si hapi pararendës i bashkimit në një shtet. Ata duhet të sigurojnë ushqimin bazë për gati 5 milionë konsumatorët e tyre, që të mos jenë të varur nga importet sllave, dhe të refuzojnë ‘shengenin ballkanik’, që do t’i falimentonte ekonomitë e Shqipërisë dhe të Kosovës.

SHKARKO APP