Kur bijtë e shqipes fluturuan nga Amerika drejt Kosovës

20 vjet më parë, Batalioni Atlantiku u nis nga Yonkers, New York, për t’iu bashkuar UÇK-së

Nga Vehbi Bajrami*

Gjenerali i Ushtrisë Shqiptare, Asllan Bushati shqipton urdhrin “Gatitu” për ushtarët. Pastaj, udhëheqësi i batalionit “Atlantiku”, Hysni Syla dhe ish-komandant i Flotës Ushtarake Detare Shqiptare (FUDSH), Skënder Doçi parakalojnë para ushtarëve. Më pas, si në kor, dëgjohet zëri i fuqishëm: “UÇK, UÇK”, një thirrje kjo e dëgjuar shpesh në mbledhje e demonstrata të shqiptarëve që kur kjo ushtri rroku armët dhe i doli përballë armikut shekullor. Ditë e ftohtë prilli e vitit 1999. Aleanca ushtarake e NATO-s vazhdon bombardimet e trupave serbe nga ajri, ndërsa në tokë Ushtria Çlirimtare e Kosovës lufton ballë për ballë me armikun dhe thërret bijtë e vet nga diaspora për t’i dhënë grushtin e fundit forcave serbe që kanë zbrazur gjysmën e Kosovës. Sot është një ditë e veçantë për gjithë diasporën e Amerikës: ajo nis ushtarët e vet për në luftë. Sot bijtë e shqipes marrin fluturim drejt vendlindjes. Ajo deri tani i ka parë djemtë në demonstrata, në mbledhje e në fushata për të mbledhur ndihma për ushtarët tanë në frontin e luftës. Të gjithë këta njerëz që kanë ardhur sot në Yonkers nuk kanë asistuar kurrë më parë në një ceremoni të tillë, të ngarkuar me kaq shumë emocione e krenari.

Në oborrin e restorantit “Royal Regency” në Yonkers të New York-ut, ushtarët e veshur me uniforma të bukura të batalionit “Atlantiku” janë rreshtuar në kolona të gjata dhe përcjellin fjalimet e urdhrat e eprorëve, për të bërë betimin para se të lënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’iu bashkuar luftëtarëve të UÇK-së. Janë çaste me të vërtetë solemne. Pranë janë të afërmit e tyre që kanë ardhur këtu t’i përcjellin. Deri para pak çastesh ata qenë njëlloj. Thirrja e atdheut i veshi një pjesë me uniformën e ushtarit. “Vullnetarët që sapo bënë betimin, qysh sot numërohen ushtarë të UÇK-së dhe e ndjejnë veten krenarë që po shkojnë për të luftuar për çlirimin e Kosovës kreshnike nga bisha gjakatare serbe”. Janë fjalët e ish komandantit të FUDSH-së, Skënder Doçi, i cili pasi i hedh një vështrim kolonave të batalionit falënderon ushtarët dhe familjet e tyre për ndjenjat e larta patriotike që po shprehin në këto momente historike.

– Ne shkojmë në luftë për të fituar dhe do të fitojmë, sepse ne luftojmë në tokën tonë, për atdheun tonë, për lirinë e popullit tonë-, thotë ai me një ton ushtarak të lartë dhe, më pas, jep premtimin: – Duke kujtuar historinë e popullit tonë, luftërat e pandërprera të të parëve tanë, amanetin e martirëve të rënë për çlirimin e atdheut, ju premtojmë se do të tregohemi trima të zgjuar, të pamëshirshëm ndaj armikut gjakatar, të shkathët e dinakë dhe do të bëjmë të pamundurën për çlirimin e Kosovës. Të rinjtë e përfshirë në urdhrin për mobilizim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, të paraqiten për regjistrim dhe për të filluar përgatitjen ushtarake me moton: “Sa më shumë djersë në stërvitje, aq më pak gjak në luftë”.

UÇK-ja që në fillim qe bërë objekt sulmi nga një pjesë e gazetarëve dhe politikanëve të huaj, mjerisht edhe të disa shqiptarëve. Ndërkohë që në malet e Kosovës, ushtarët tanë po jepnin jetën duke mbrojtur vendin, nga zyrat e disa politikanëve e redaksive dëgjoheshin sulme e etiketime kundër tyre. Banda kriminale e Millosheviçit kishte marrë disa mesazhe nga jashtë: “Është çështje juaj e brendshme se si do të përballoni këta terroristë”. E merr fjalën komandanti i batalionit “Atlantiku”, Hysni Syla. Me një ton të lartë ushtaraku ai u jep përgjigjen e merituar atyre që akuzojnë djemtë trima të UÇK-së, të cilët, siç thotë ai, nuk rrokën armët e as morën vdekjen në sy për mjekrën e Marksit e as të Leninit, as për “lodrat” terroriste të Bin Ladenit; as për bashkimin e vëllazërimin e rremë e as për internacionalizmin e mallkuar proletar. I vetmi flamur i tyre ishte dhe është flamuri kuq e zi me shqiponjën dykrenare. I vetmi ideal i tyre ishte dhe mbetet liria e demokracia, çlirimi dhe pavarësia e Kosovës nga regjimi më barbar që ka njohur historia e njerëzimit në këto 50 vjetët e fundit.

Elinda Muriqi, më e vogla në radhët e “Atlantikut”, është vetëm 16 vjeç. Ajo ishte nxënëse në një shkollë të Bronx-it. Babai i saj Ramizi, tashmë gjendet në luftë. “Vendlindja na thërret”, thotë kjo vajzë e brishtë, moshataret e së cilës kanë problem se si ta kalojnë sa më këndshëm kohën e lirë e si të vishen sa më bukur. Ndërsa ajo ka veshur uniformën ushtarake. Kush më shumë se nëna brengoset për fëmijën? Por këto nëna që po u rrinë afër djemve të tyre sot, kanë vënë atdheun mbi gjithçka, ndaj po i përcjellin bijtë e tyre për t’i sjellë atij lirinë e pritur prej shekujsh. Aishe Shala, nipi i së cilës Isa Kodra ka veshur sot uniformën e UÇK-së, duke folur në emër të nënave shqiptare të Amerikës shpreh krenarinë dhe lumturinë që ndjejnë ato duke lindur e rritur djem e vajza trime e patriote, të gatshme për të mos kursyer sa jetën e tyre. Ushtarët nisen. Bëjnë gati plaçkat. Ata po lënë paqen dhe shkojnë drejt luftës pikërisht për të fituar paqen. Ndarje, lot, krenari, të gjitha ndjenjat janë bashkuar këtu.

-Mirupafshim bir! – thërret nëna përmes lotëve.

-Mirupafshim nënë!- ia kthen i biri duke u përpjekur të mbajë lotët.

***

Yonkers, tre vjet më vonë duke përcjellë tre arkivole të tri shqipeve…

Në të njëjtin vend prej nga u nisën ushtarët e batalionit “Atlantiku” për të luftuar në Kosovë, mërgimtarët tanë, me numër më të vogël janë mbledhur sot për t’u dhënë lamtumirën tre heronjve të rënë dëshmorë të këtij batalioni: Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi. Menjëherë pas përfundimit të luftës, siç u mor vesh më vonë, forcat serbe i kishin zënë ata dhe i kishin pushkatuar. Deri në shtator të vitit 2001 familja jetoi me shpresë. Shpresa të mban gjallë, por edhe të mashtron…Shpresa u thoshte prindërve se ndoshta ata mund të ishin diku në burgjet e Serbisë e ndoshta dikur do të dilnin. Por, pritja e gjatë një ditë mori fund. Lajmi mori dhënë e u përhap me shpejtësinë e rrufesë: vëllezërit Bytyçi u gjetën në një varr në Serbi. Në fund të shkurtit të vitit 2002 trupat e tyre u sollën në Kosovë dhe në fillim të marsit, u prunë në Shtetet e Bashkuara. Se ç’ma pushton një brengë shpirtin e bërë akull nga dhimbja. Një pyetje po ma shpon trurin si me tryelë: Ç’po ndodh kështu me shqiptarët e Amerikës? Pse kaq pak njerëz sot në varrimin e tyre? Vëllezërit Bytyçi nuk luftuan për asnjë parti apo grup politik, por për mbarë popullin e Kosovës që të jetonte i lirë. Në Yonkers shoh bashkatdhetarë të ardhur nga Dallas-i e Detroit-i, por shumë nga ta që banojnë në New York nuk kanë ardhur. Po klerikët tanë ku janë? Imam Muhamet Osmani ka ardhur i vetëm. At Arthur Liolini ka dërguar një letër… Po të tjerët? As kanë ardhur, as kanë dërguar letra e as kurora. E po ku janë pra sot shqiptarët tanë? Pse nuk kanë ardhur sot këtu të ngushëllojnë babain e nënën e dëshmorëve për t’ua lehtësuar sado pak dhimbjen që po u çan zemrat?

Dëgjoj Ahmet Bytyçin, babain e dëshmorëve tek flet para mërgimtarëve tanë: “Nuk kam lot se dëshmorët nuk qahen, – thotë ai. – Dy lot që derdha në Kosovë, i derdha për lirinë e saj këto ditë që shkova atje, pas 23 vitesh mërgimi. Djemtë e mi janë dhe djemtë tuaj se ata e flijuan jetën për lirinë e të gjithë shqiptarëve të Kosovës”. Skënder Doçi, ish- komandant i FUDSH-së që pat përcjellë tre ushtarët tanë në Kosovë para tri vitesh, ndodhet edhe sot në krye të ceremonisë ushtarake për t’u dhënë nderimet e fundit heronjve të lirisë. Fjalët e tij të fundit “Lavdi” përsëriten njëzëri nga ish ushtarët e batalionit “Atlantiku”.

Arbër Muriqi dhe Ukë Lushi, ish-ushtarë të këtij batalioni, flasin për heroizmin e vëllezërve Bytyçi atje në fushën e betejës për të çliruar Kosovën. Sot gjendet me ne edhe miku i shquar i shqiptarëve, ambasadori William Walker. Ishte ky që denoncoi botërisht masakrën e Reçakut. I shoqëruar nga një grup bashkatdhetarësh ai shkoi në Kosovë për të sjellë këtu trupat e heronjve. “Gjatë vizitës sime të fundit,- thotë ai, -unë shkova në Kosovë për një arsye krejt tjetër nga të mëparshmet. Unë shkova atje si simbol i njërit prej miqve të shumtë të Kosovës në Amerikë, duke sjellë me vete edhe një mesazh, jo për lirinë e arritur, por për dhimbjen që ndjej për të rënët. Jo një premtim për të ardhmen, por një brengë të së shkuarës. Jo sa shumë është fituar që nga dëbimi i së keqes, por sa shumë vuajtje dhe dhembje ka kushtuar dëbimi i saj”. Fjalët e tij ngjallën emocione të fuqishme tek të afërmit dhe tek miqtë e tre martirëve, si edhe tek të gjithë përfaqësuesit e organeve të ndryshme të shtypit që kanë ardhur për të pasqyruar këtë ceremoni prekëse.

Ambasadori Walker ndalon për një moment. U hedh një vështrim të ngrohtë pjesëtarëve të familjes Bytyçi dhe bën një krahasim ndërmjet tre heronjve dhe djemve të tij. “Unë, -tha ai, — jam baba i tre djemve që kanë pak a shumë moshën e tre të rinjve që ne po u japim lamtumirën e fundit. Thjesht, unë nuk mundem ta imagjinoj dot se çfarë do të ndodhë me mua e me familjen time, sikurse të humb djemtë e mi: sikur të na i marrin ata në kulmin e rinisë, pa e ditur se ku janë e si janë për muaj të tërë, e jo më të marrësh vesh një ditë, me kthimin e tyre që duket pranë, se janë ekzekutuar pamëshirshëm dhe barbarisht nga kasapët e tyre. Kush nuk mund të nderojë kujtimin e tyre?- pyet ambasadori Walker. – Kush nuk mundet të vajtojë humbjen e pazëvendësueshme të familjes, të komunitetit, i cili u kujdes për ta dhe të shtetit në të cilin ata u rritën dhe e donin aq shumë? Kosova ka përjetuar shumë histori tragjike, por të rralla janë ato që krahasohen me tragjedinë e vëllezërve Bytyçi, këta tre vëllezër trima, të dashur dhe vetëmohues”.

Pas fjalimeve turma e njerëzve përkulet e heshtur mbi arkivolet e heronjve para se të vendosen përgjithmonë në tokën e bekuar të Amerikës. Pastaj, kortezhi i gjatë, me në krye ish ushtarët e UÇK-së, me flamuj shqiptarë dhe amerikanë, niset drejt varrezave. Toni Vulaj me trumpetë interpreton muzikë funebre, ndër të tjera dhe melodinë e njohur, “Zoti e bekoftë Amerikën”. Momentet e fundit të ndarjes me heronjtë. Aty është nëna e tyre që deri në këto çaste ka qëndruar si burrë. Por, edhe qëndresa ka një kufi. Bahrije Bytyçi, nuk përmbahet dot më. Kërkon të thotë diçka. Sytë e të gjithëve janë drejtuar nga ajo. Dhe nëna shpërthen:

“Ikët vullnetarë bijtë e nanës dhe dhatë jetën për liri. A doni që edhe nana juaj të vijë me ju?”.

Varret e dëshmorëve tanë u njomën me lot e u mbuluan me lule. Varret e tyre qysh sot e tutje – përmendore të lirisë.

Lavdi!…

*Artikulli është marrë nga libri i autorit “Shqiptarët e Amerikës”.

 

SHKARKO APP