BE as këtë vit s’do t’i liberalizojë vizat për Kosovën

Regjimi i vizave për Kosovën do të mbetet në fuqi edhe për pjesën e fundit të 2021-ës. Burime diplomatike të Gazetës Express kanë konfirmuar se liberalizimi i vizave s’do të jetë në agjendën e Këshillit të BE-së në këtë vit kalendarik. Pritja e kosovarëve për të marrë vizë shëngen në ambasada do të vazhdojë.

Këshilli i BE-së, që është institucioni vendimmarrës i Bashkimit Evropian, nuk pritet ta fus në agjendë as këtë vit çështjen e liberalizimit të vizave.

Kështu bëjnë të ditur burime diplomatike brenda BE-së.“Diskutimet për liberalizimin e vizave për Kosovën kanë mbetur në nivel teknik brenda Këshillit. Kjo temë nuk pritet të jetë në agjendën e Këshillit para fundit të vitit”, ka thënë ky burim.

Mosfutja e çështjes së liberalizimit të vizave në agjendën e Këshillit sipas këtyre burimeve ka të bëjë edhe me shqetësimet që kanë shtetet anëtare të BE-së lidhur me përmbushjen e kritereve të kërkuara nga ana e Kosovës.

Skepticizmi sa i përket kritereve është arsyeja pse shtetet anëtare në Këshill s’kanë dalë me një qëndrim të përbashkët lidhur me heqjen e vizave.

“Propozimi për t’i dhënë Kosovës liberalizim vizash është paraqitur nga Komisioni Evropian në Këshill dhe në Parlamentin Evropian në vitin 2016, pas një raporti më 2018 që tregonte se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara. Është mbi bazën e këtij propozimi që Këshilli e ka diskutuar këtë çështje me synim për t’u pajtuar rreth mandatit të negocimit për fillimin e diskutimeve me Parlamentin Evropian. Megjithatë, përkrahja e nevojshme për një tekst nuk është arritur ende për shkak të shqetësimeve nga një numër i shteteve anëtare sa i përket përmbushjes së kritereve të kërkuara”, ka thënë tutje ky burim.

SHKARKO APP