BE: Nuk mbështesim idenë e shkëmbimit të territoreve

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se unioni është i gatshëm për vazhdimin e dialogut, por si fillim duhet pritur sqarimi i situatës politike në Kosovë.

“Ne nuk jemi në garë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës rreth dialogut. Është vetëm një dialog, e ai është dialogu që e ka nisur BE-ja. Nëse Shtetet e Bashkuara duan të ndihmojnë, kjo është mirë, të na japin një dorë ndihme. Ne nuk veprojmë për qëllime propagandistike, por bëjmë punë serioze për të rinisur dialogun, i cili është i bllokuar”, tha Borrell.

Në lidhje me idetë për ndryshimin e kufijve, më saktësisht për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, Borrell shprehu një ndryshim pozicioni në krahasim me atë që ka thënë më herët, kur nuk e ka përjashtuar këtë mundësi.

“Së pari, duhet thënë se marrëveshja duhet të jetë mes serbëve dhe kosovarëve. Nëse ata nuk pajtohen, atëherë asgjë. Por, është thënë tashmë se marrëveshja duhet të pranohet nga bashkësia ndërkombëtare. Ato [Kosova dhe Serbia] nuk i kanë duart e lira që të vendosin çfarëdo të duan, sepse mund të ketë edhe pasoja kolaterale në rajon. Dihet shumë mirë se sa e ndjeshme është të ndryshohen kufijtë”, u shpreh Borrell duke shtuar “Nëse filloni t’i ndryshoni kufijtë në një vend, atëherë edhe të tjerët mund të thonë se duan të njëjtën gjë. Pra, gjëja më e mirë për t’u bërë është ruajtja e status quo-së dhe të shihet se si do të shkojnë negociatat. Është e qartë se ne në BE do të preferonim të ruhet gjendja e tanishme sa u përket kufijve. Po ashtu, disa shtete anëtare janë kundër çfarëdo lëvizjeje në këtë drejtim”.

SHKARKO APP